11.5 C
Tiranë
E shtunë, 15 Shkurt 2025

RAPSODI DHE LIRIKU NË POEZINË E ADEM ZAPLLUZHËS,shkruar nga RAPSODI DHE LIRIKU NË POEZINË E ADEM ZAPLLUZHËS

RAPSODI DHE LIRIKU NË POEZINË E ADEM ZAPLLUZHËS
 Shkruar nga.
Vangjush Ziko
Mund të duket paradoksale dyfytyrësia e një krijuesi: edhe rapsod, këngëtar i bëmave heroike dhe lirik, këngëtar i shpirtit të vet. Mund të duket e çuditshme kjo shartesë. Fjala “poet” nuk është patjetër sinonim i “lirikut”.
Poezinë e Adem Zaplluzhës nuk e fut dot as në gjininë e lirikës dhe as në atë të epikës së mirëfilltë. Lirika si lloj i poezisë është shumë vështirë të përcaktohet: a është shkrirja e plotë e lëvizjeve të shpirtit apo aventurat e shpirtit të derdhura në formën poetike. Ndërsa epika mund të përcaktohet më lehtë: bëmat dhe ngjarjet të mishëruar në vargje, ku qëndrimi i poetit ndaj tyre pasqyrohet në mënyrë të tërthortë. Kësaj dileme do përpiqem t’i përgjigjem.
Në poezinë e Adem Zaplluzhës gjej të pasqyruar, historinë e kaluar dhe të tashmen e vendit të vet të lindjes, Kosovës. Poeti e merr lëndën, kryesisht nga historia dhe konkretisht nga kalvari i vuajtjeve dhe sakrificave mbinjerëzore, nga trimëria dhe vetëmohimi i popullit të vet të shtypur dhe të persekutuar fizikisht dhe moralisht, por të papërkulur asnjë çast, gjithnjë me sytë nga liria. I gjithë vëllimi “Fytyra e Lirisë”, në tërësinë e vet tematike, meditative dhe emocionale, i bën jehonë legjendës së feniksit, zogut mitologjik që rilind nga hiri i vet. Ai pasqyron jo vetëm këto realitete, por edhe përjetimet e veta, na i jep ato të përthyera në prizmin e vet shpirtëror apo meditativ intim. Ai këndon jo vetëm si rapsod, por edhe si poet lirik Në poezinë e tij, pra, gjej një përthyerje gjinish, një gërshetim të dy llojeve poetike, të epikës dhe të lirikës.
Kur them se poezia e këtij vëllimi është sa epike po aq edhe lirike, kam para sysh ndërtimin shumëplanesh të poezisë së tij; në të gjej fillin e legjendës bashkë me tragën e historisë, të kaluarën dhe të tashmen, kujtesën kombëtare dhe kujtesën e ngjarjeve dhe përjetimeve personale. Në planin estetik kjo poezi gërsheton të madhërishmen historike me të zakonshmen e përditshmërisë njerëzore; tragjedinë popullore kombëtare dhe atë personale, trimërinë dhe ligështimin, vdekjen e qyteteve dhe lindjen e njerëzve, pra, gërshetimin e kombëtares dhe personales.
Kështu cikli “Më kujtohet kur i dëgjonim daullet” na flet për rezistencën e një populli të robëruar: “Kaçaniku krenar ndez qirinjtë e kujtimeve” (f.6), “këndojnë hardhucat dhe pemët e shartuara” (f.8), gjëmojnë “daullet e alarmit”, detaje që na flasin për ngjarje konkrete; nga ana tjetër kemi kujtesën e poetit, që i mban mend daullet e alarmit (f.9), gjithmonë në shtëpinë dhe në shpirtin e tij ka trokitur lufta (f. 27), pra, ngjarja është bërë pjesë e vetëdijes së tij.
Këtë gërshetim epiko-lirik e gjejmë edhe më të spikatur në ciklin “Portreti i erës”, ku lëndën e poezisë e përbën, jo aq e kaluara, por aktualiteti jo më pak dramatik kosovar dhe ku mbizotëron jo përshkrimi historik, por dialogu me kohën dhe me vetveten për ngjarjet e ndryshme, ai lexon epitafet (f.62), sharton fjalët e përrallave (f.63), na flet për nuset e maleve njëmijë vjet duke pritur dhëndurët(f.64), për sytë e lahutarit pa lot me “zgavrat e kokës/që i ngjante zgërbonjës së lisit” (f.71), për gjendjen profetike që jep çastin absurd i “vdekjes pa vdekur” (f.68), për lumin e çmendur, që “ka filluar t’ia gërryejë brigjet e kujtesës” (f.74),për kambanat e qytetit që paralajmërojnë “profecinë e fluturimeve të metalta” (f. 69), këndon absurdin e pritjes njerëzore (f. 65), për vandalët që djegin Biblën dhe Kuranin (f.70), “një lumë i çmendur/ka filluar t’ia gërryejë brigjet e kujtesës” (f. 74), ai trishtohet se harta e Kosovës “paska mbetur ende pa trokitur në portat e botës” (f. 75).
Tematika kryesore e vëllimit “Portreti i Lirisë” është, pa diskutim historia, ndërsa meditimet e pështjellimet e heroit lirik e përcjellin këtë histori, jo thjesht si një komentues, por si një pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në këtë epope, si subjekt dhe objekt i saj. Kjo më duket e veçanta e filozofisë krijuese të poetit, që është larguar nga tradita e trashëguar nga poezia jonë me teme epike, që vetëm përshkruante dhe komentonte emocionalisht ngjarjet historike. Heroi lirik i Zaplluzhës është kronikan dhe pjesëmarrës, apo vuajtës i drejtpërdrejtë i ngjarjeve: “O ju lutem…/Më leni të çmallem sonte me dhimbjen e kësaj nate”; “më kujtohet kur i dëgjuam daullet/….ishte një natë që s’ harrohet”; “Ishte rrugë e gjatë,/Ne,megjithatë ecëm gjer në fitore”.
Çdo gjë e re në krijimtari nuk mund të lindë e shkëputur nga tradita. Poeti,jo vetëm është njohur me traditën e epikës dhe baladat, por ka bërë të vetën stofin e tyre artistik. Mbi të gjitha, ai ka ditur të përfitojë nga mënyra e ndërtimit të figurave dhe tropeve të saj, e ka bërë të vetën frymën dhe teknikën e tyre, është ushqyer prej tyre. Personifikimet dhe metaforat, si këto më poshtë, kanë stofin grotesk të figurave të baladave dhe të legjendave: ”drita pret dasmorët te varret e legjendave”; “ gjarpri lëkund legjendat e harruara”; nga flokët e hënës “këputen meteorë”; “prej balte i krijuan Zotat/deri sa erdhi njeriu sykaltër”; dëgjohen “duartrokitjet e xixëllonjave”; “ai njeri i madh këndonte si rrapi…/këndonte për vdekjen e qyteteve/ dhe lindjen e njeriut”.
Në vëllim gjen edhe figura delikate për nga lirizmi i tyre: “duart e tua prej mishi/preknin me lehtësi të paparë/lëkurën time të grisur”; “më prit se do vij një ditë…/siç prita unë ardhjen e stinës së luleve”; “një ditë më dukesh si zanë mali/kurse ditën tjetër ngjan me perëndeshën e bukurisë”. Këto vargje kaq lirike, të kujtojnë përsëri vargjet e legjendave dhe baladave ku figura e lirisë njëjësohet sa me atë të zanës, po aq edhe me atë të vajzës së dashur. E, megjithatë,unë nuk mund ta quaj poet të mirëfilltë lirik;monologu i tij poetik është më shumë ai i një heroi epik se sa lirik. Në vargjet e Zaplluzhës u këndohet “aventurave” historike të kombit.
I gjithë vëllimi e ka këtë petk rapsodik të stolisur nga një figuracion i harlisur. Ndodh kështu si në një simfoni heroike ku gjëmojnë trumbetatdhe daullet e luftës dhe, krahas tyre, dridhen telat e harpës lirike patriotike.
Adem Zaplluzha është një nga autorët bashkëkohorë që e ka bërë të vetën filozofinë e shkrirjes së zërit të bardit me atë të lirikut që lënë më një anë “aventurat intime shpirtërore”. Kjo nuk është një “mangësi” e talentit të vet të spikatur, përkundrazi, kjo është një “therori|” e lirikut patriot, që realizohet në mënyrë krejt të natyrshme, pa asnjë sforcim apo artifis. Poezia e Zaplluzhës është një poezi misionare patriotike.
Kjo filozofi krijues e poetit ka përcaktuar edhe prozodinë e vargut të tij të bardhë, që nuk respekton metrin, rimën, por e ndërton vargun e vet, kryesisht, mbi bazën e ritmit logjik dhe emocional, gjë e cila e lejon poetin të alternojë mjeshtërisht figurat heroike me ato me nuanca të holla psikologjike, duke e bërë poezinë e tij një poezi moderne bashkëkohore, poezi e cila nuk përshkruan, por rikrijon situatën, dialogon në distancë me lexuesin duke i përcjellë kujtesën, mendimet dhe emocionet e kombit të vet.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.