Shkruar nga :Rexhep Ndreu
Dhënia në pronësi e tokës u jep fshatarëve të drejtën ligjore të mbrojnë pyjet e dhënë. Në të kundërtën, në pyjet ku nuk ka pronësi, që qeverisen nga departamentet pyjore ose të gjuetisë, ka probleme në rritje për shkatërrimin e pasurive pyjore.
Qendra Ndërkombëtare për Ligjin Mjedisor (Center for International Environmental Law – CIEL) ka shprehur se “njohja e të drejtave të pronësisë me bazë komuniteti do te ishte një hap pozitiv dhe vendimtar për të garantuar kërkesën e Kushtetutës për mbrojtjen dhe mirëqënien e të gjithë qytetarëve” (CIEL, 2002). Sipas kerkimeve të bëra nga CIEL, ka tradita të ndryshme përsa i përket fshatrave, komuniteteve vendore dhe të drejtave pronësore me bazë komuniteti, dhe shumica e tyre ekzistojnë e funksionojnë jashtë strukturave shtetërore. Kur të drejtat pronësore me bazë komuniteti veprojnë në një zonë, shteti mundet dhe duhet t’i njohë këto të drejta. Por më e rëndësishme është që qeveria të përmbushë detyrimin e vet për të ndihmuar komunitetet, jetesa e të cileve varet nga pasuritë natyrore, të mbrojnë këto pasuri dhe të përfitojnë prej mbarështrimit të qëndrueshëm të tyre, qofshin këto publike apo private. Sidoqoftë, rruga me e mirë që duhet ndjekur nga qeveritë për të vendosur drejtësi mjedisore, përfshirë mjete nxitëse vendore për ruajtjen dhe mbarështrimin e qëndrueshëm, do te ishte njohja e të drejtave pronësore ekzistuese me bazë komuniteti. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme; duhet dhe asistence teknike e të tjera forma për forcimin e aftësive të organizatave vendore dhe mbështetje për ruajtjen dhe mbarështrimin e qëndrueshëm, si dhe programe kreditimi të përshtatëshme që ofrojnë alternative ekonomike për shitjen e prodhimeve.
Për rajonin e Amerikës së Jugut, rasti i Bolivisë përfaqëson proçesin më tipik të decentralizimit (sipas Pacheco P., dhe Pacheco D. : Decentralization and community forestry). Ligji i ri për pyjet përmbante dy mekanizma për nxitjen e demokratizimit më të gjerë të përdorimit të pasurive pyjore: (i) të drejta ekskluzive të banorëve vendas për përdorimin e pasurive pyjore Brenda territorit të tyre; sipas këtij ligji, pretendimet e vendasve mbi tokën u pranuan për t’u dhënë çertifikata pronësie pas plotësimit të një proçesi regularizimi të tokës; (ii) grupet vendore të
përdoruesve të pyjeve mund të përfitojnë nga konçesionet pyjore brenda sipërfaqeve të shpallura si rezerva pyjore bashkiake, të cilat përfaqësojnë deri në 20% të pyllit publik brenda juridiksionit të çdo bashkie. Shumica e grupeve vendase të ndodhur në pjesën e ultësirës boliviane kanë të drejtë të pretendojnë toka, të cilat ata i konsiderojnë si të nevojshme për të siguruar mbijetesën e tyre. Fermerët e vegjël dhe territoret vendore janë përjashtuar nga pagesa e taksës për tokën, ndërsa fermerët e mesëm dhe të pasur e paguajnë këtë taksë. Legalizimi i regjimeve të pronësisë së përbashkët për komunitetet vendore, duke u njohur atyre të drejtat e pronësisë mbi pasuritë natyrore të përtëritëshme brenda territoreve të veta, si dhe e të drejtave zakonore për shfrytëzimin e këtyre pasurive, krijon kushtet për zhvillimin e premisave për vetëqeverisje rrënjësore. John W. Bruce and Robin Mearn ne “Natural Resource Management and Land Policy in Developing Countries: Lessons learned and new challenges for the World Bank” shprehen se atje ku një pasuri e administruar dhe e përdorur direkt nga shteti ka dështuar, duhet që mbarështrimi dhe eventualisht pronësia e asaj pasurie t’u kalojë njësive më të vogla shoqërore, familjeve dhe komuniteteve. Komuniteti duhet të ketë kompetencë të mbarështrojë pasurinë, dhe kjo sjell si kompetencën për të kontrolluar përdorimin nga pjesëtarët, ashtu dhe kompetencën për të mos lejuar apo kufizuar pjesëmarrjen e atyre që nuk bëjnë pjesë në komunitet. Shteti dhe institucionet e tij që i qeverisin, janë të prirur për të mos besuar stimujt që rezultojnë nga të drejtat e pronësisë për të siguruar përdorim të qëndrueshëm, dhe kërkojnë të mbajnë një të drejtë të tepruar dhe kontroll të konsiderueshëm mbi përdorimin e tokës. Përdoruesit private, si ata individuale, ashtu dhe ata si grup, shpesh nuk kanë besim në një kontroll të tillë.
Përvoja e mjaft vendeve tregon se sektori pyjor është në gjendje të mbështesë një sërë strategjish për përmirësimin e kushteve të të varfërve për zhvillim social. Për shembull, janë provuar me sukses nisma për kompensimin e të varfërve për rolin e tyre në mbrojtjen e vlerave të shërbimeve mjedisore që ofrojnë pyjet. Në Kosta Rika fermerët që banojnë lart në pellgjet ujëmbledhës dhe me veprimet e tyre ndikojnë në furnizimin me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike në zona më të ulta, kompensohen për ruajtjen e pyjeve nëpërmjet taksave për hidrocentralet. Brazili po eksperimenton taksat ekologjike. Në parkun Kombëtar Bwindi në Uganda, banorët vendas kompensohen për mbrojtjen e specieve të kafsheve vendore nëpërmjet të ardhurave nga një Fond i Kartelit. Tregjet e druve të zjarrit në Afrikën Perëndimore Saheliane po synojnë që të venë e t’i tërheqin drutë e zjarrit në vendin e prodhimit nga prodhuesit e varfër dhe t’i paguajnë po atje, në vend që këta prodhues t’i sjellin vetë drutë e zjarrit në qytet për t’i shitur.
Vleresimi për pyjet pothuajse në çdo vend të botës dhe tendenca për decentralizim, duke u kaluar të drejta pronësie e përdorimi komuniteteve vendore, vjen nga rëndësia që kanë pyjet për prodhimet drusore e jodrusore që japin, të cilat janë jetike për mjaft zona, për ndikimet mbrojtëse e shoqërore, që çmohen në vlerë 3-20 herë më të madhe se vlera e prodhimeve drusore vjetore; si sisteme bioenergjetike, ekosistemet pyjore paraqesin ‘uzina’ të vërteta prodhuese energjie. Dhe së fundi, nëse lënda drusore mund të sillet nga vende të tjera, pyjet nuk mund të importohen; ato duhen ruajtur ose krijuar në çdo vend e qeverisur racionalisht për kryerjen e funksioneve të shumëllojshme të tyre.
Në ngjajshmëri, por dhe në dallim nga përvoja evropiane dhe botërore, tek ne shtrohet legalizimi, njohja e zotërimit tradicional të të drejtave të pronësisë e të përdorimit të pyjeve e kullotave, pra t’u rikthehen këto të drejta përdoruesve të njohur historikisht (fshatit, fisit, familjeve, shoqatave të tyre) dhe të ecet drejt privatizimit total.Gazetari J.GJ