7.5 C
Tiranë
E enjte, 13 Shkurt 2025

RIBOTIM,marre nga faqja e Dom-Nike Ukgjini

 

Nga shtëpia e Abatit te kalaja e Skënderbeut, propozimet për diasporën

13:45 – 06.03.2019… Gazeta Shqiptare
Fatmira Nikolli

– “Muzeu i diasporës” do të jetë projekti më i ri i Ministrisë së Kulturës. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë Samitit të Dytë të Diasporës. Ministrja e re, u shpreh se ky muze do t’i shërbejë brezave të ardhshëm dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. “Ky muze do të jetë i së ardhmes dhe jo i së shkuarës. Një muze për brezat që vijnë. Një muze që do t’u kushtohet çdo shqiptari dhe familjeje shqiptari, që kaloi detin qysh në kohërat e hershme dhe që do të përmbajë regjistrin e diasporës, përveç historive të saj të mëdha ose të vogla. Një muze ku me një donacion secili mund të shkruajë emrin e tij, familjes, apo kujtdo që ai dëshiron”- u shpreh Margariti.
Sipas një njoftimi në faqen zyrtare, në ditët e Samitit të dytë i Diasporës, i cili u mbajt në Tiranë në datat 28 shkurt-2 mars 2019 Ministria e Kulturës shkëmbeu ide, mendime dhe përvoja me përfaqësues të diasporës për çështje të trashëgimisë jomateriale. Produktet dhe shërbimet artizanale shqiptare në kërkim të zgjerimit të tregut, prezantuar nga artizanet shqiptare rrëfyen se tradita jonë e hershme e zejeve është jo vetëm traditë, por edhe mundësi punësimi, shtimi i të ardhurave dhe përmirësimi i mirëqenies së vetë zejtarëve dhe komunitetit ku punojnë. Diaspora shqiptare krijon mundësitë për ta ruajtur, zhvilluar dhe përhapur këtë traditë në të katër anët e botës, duke dëshmuar kështu për pasuritë e rralla të zejeve shqiptare. Ajo prezantoi edhe programin “100 Fshatrat”, një program ku bashkëjeton trashëgimia dhe agroturizmi si një mundësi e mirë bashkëveprimi me diasporën. “Programi për 100 fshatrat është një bashkim jo vetëm nevojash por dhe forcash për të ecur përpara”- u shpreh Margariti.
PROPOZIMI:
Ministrja e Kulturës, në panelin me temë modelet e suksesshme të filantropisë dhe mundësitë për investim në trashëgiminë kulturore shqiptare propozoi edhe tri nga objektet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore, që kërkojnë mbështetjen e diasporës, sa i përket vlerës historike dhe arkitektonike të tyre.
Së pari, ajo foli për Muzeun Kombëtar të Arsimit. Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë nisi të kryejë funksionin e saj më 7 mars 1887, si shkolla e parë laike shqipe. Banesa ku u hap Mësonjëtorja është ndërtuar rreth vitit 1840 dhe ndodhet në bulevardin që mban emrin e “Shën Gjergjit”. Aktualisht në këtë ndërtesë është vendosur “Muzeu Kombëtar i Arsimit”, që rrëfen rrugëtimin e arsimit kombëtar shqiptar në të gjithë epokat.
Më pas ajo përmendi atë që njihet si “Shtëpia e Abatit”. Në Shkodër gjendet ndërtesa dykatëshe e njohur si “Shtëpia e Abatit” ose selia e shoqërisë “Bashkimi”. Kjo ndërtesë, tashmë në gjendje të rrënuar, në janar të vitit 1899 u bë seli e shoqërisë kulturore e atdhetare “Bashkimi”, falë së cilës gëzojmë sot alfabetin e gjuhës shqipe. Në shoqërinë “Bashkimi” të themeluar prej Dom Preng Doçit, kanë dhënë ndihmesë të çmuar emra të shquar si: At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dodë Koleci, Dom Ndoc Nikaj, Anton Xanoni, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, etj.
Dje së treti, ajo kërkoi ndihmë për kalanë në Kepin e Rodonit. Pas Kuvendit të Lezhës më 1444, Skënderbeu u kujdes për riparimin dhe pajisjen e kështjellave, që kishte në zotërim. Ai i kushtoi një rëndësi të veçantë mbrojtjes natyrore të kështjellave. Shembull i kësaj natyre është dhe Kalaja në Kepin e Rodonit, që njihet si Kalaja e Skënderbeut.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.