Për Epikurin është folur shumë, por pak dihet në të vërtetë. Është si një gur pezull në ajër, sundimtar por ende i pakonsoliduar. Shumë filozofë kanë kërkuar arsyen e gjërave dhe kuptimin e jetës, por sa kanë zbuluar në të vërtetë, nga enigma e madhe e jetës?
Ajo që dimë për Epikurin është se ishte i pëlqyer nga një grup njerëzish dhe që e urrenin ca të tjerë. Ai pohonte se në rrugën e tij prej filozofi nuk kishte pasur idhuj e mësues, dhe nuk pranonte të.bënte citime nga të tjerët. Thonë se mendimin e tij e përmblidhte si diçka krejt origjinale, të pashpallur më parë nga askush, edhe pse të shumtë ishin ata që e akuzonin për vjedhje idesh nga Demokriti apo Aristipi. Sipas Epikurit, çdokush është mjeshtër i vetes së vet, dhe vetëm brenda vetes e gjen arsyen e gjërave që e rrethojnë. Epikuri nuk kishte shkollë akademike apo lice ku përgatiteshin qeveritarët e ardhshëm, por vetëm një kopsht ku mblidheshin ata që ishin të joshur nga doktrina e tij, njëlloj si Buda. Dhe qëllimet kryesore, për të cilat bënte fjalë ishin; të arrish qetësinë shpirtërore duke fituar mbi frikën dhe vdekjen, ti shpëtosh trazirave të botës, të hedhësh pas shpinës pasionet e dëshirat. ” Virtytet e mira- thoshte – njeriu duhet ti kultivojë sepse i japin kënaqësi, dhe jo prej detyrimit, ashtu si njeriu kultivon shëndetin nëpërmjet barërave shëruese, sportit e ushqimit”. Ai është një mendimtar që predikon kënaqësinë jo si mjet për tu shërbyer epsheve trupore, por në kuptimin moral, kënaqësinë që ka të bëjë me shpirtin.
Zenone, mendimtar stoik, është kundërshtari më i fortë i Epikurit. Ndërsa Epikuri flet sesi të kërkojmë kënaqësinë, Zenone flet për dënimin ndaj dhimbjeve dhe pasioneve. Por Epikuri është në kundërshtim dhe nuk ka të bëjë fare me edonistët. Ata njohin vetëm kënaqësinë në çdo gjë e në lëvizje, ndërsa Epikuri e kërkon atë edhe ne qetësi dhe palëvizshmëri. Edonistët mbanin si më të mëdha të këqijat e trupit sesa ato të shpirtit, ndërsa pë Epikurin ishte e kundërta. Po si mund të jetohet nëpërmes epikurizmit në një botë si kjo e jona , e mbushur plot kontradikta, sëmundje, vuajtje dhe uri? Ndërsa po të jesh pak edonist nuk është keq, por jo si qëllim në vetvete. Përkundrazi, ajo teoria e Epikurit mbi pêrfitimin e kënaqësisë dhe palëvizshmërisë është e mahnitshme.
Por nuk mungojnë ata që gabimisht e kanë cilësuar ” edoniste” etikën e tij, apo ndonjë si Cicëroni, që shprehej se Epikuri quante kënaqësi atë që nuk ishte dhimbje. Por harronte anën tjetër të medaljes, në bazë të së cilës, mungesa e dhimbjes është kënaqësi. Duke qenë njeri i rrafinuar dhe larg skemave, ai di që njeriu nuk jeton dot për asnjë çast pa një gjendje, ku nuk ka mërzi, ankth, preokupim, do të thotë që ka qetësi, pra rehati, kënaqësi. Po ti shohësh ebrenjtë e të krishterët, apo myslimanët, njeriu gjen paqe e kënaqësi pas vdekjes, sepse jeta për të s’ ështe gjë tjetër se një kalim i shkurtër e i dhimbshëm. Ndërsa Epikuri e kërkon kënaqësinë në jetë, se pas vdekjes mendon ai, asgjë s’ është e sigurtë, çdo përfytyrim është i dyshimtë.
” Vdekja nuk është asgjë për ne. Ajo që firon nuk mund të provojë asgjë, as kënaqësi, as dhimbje. Ndaj nuk trembem ndaj vdekjes, sepse eshtë një hiç e askush nuk trembet prej hiçit”….
Shopenhaueri kur shkroi librin e tij mbi lumturinë, duket sikur ishte në një mendje me Epikurin. Anatol Fransi shkruan librin ” Kopshti i Epikurit” duke vlerësuar veprën e tij. Dhe pse kanë kaluar shekuj, ai është po aq i dashur për njerëzit dhe artistët, sa Platoni, Sokrati a ndonjë tjetër. Seneka në shkrimet e tij duket se pranonte diçka nga teoria epikuriane.
Duket se njerëzit e mençur, sado që nisen nga udhë të ndryshme, puqen diku. Epikuri na mëson sesi të mbrohemi prej botës, duke ruajtur respektin për njerëzit që na rrethojnë. ” Gjithçka- thotë ai- është e lidhur me lumturinë tonë, dhe lumturia nuk mund të sakrifikohet për asgjë.”