O hënë, e heshtur, që naten ndrin
Më sheh nga lart dhe zbukurohesh
Si nuse me vello, më shfaqesh ti
Drejt meje, afrohesh e largohesh…
Hënë e heshtur, e netëve të mia
Kalëron mes reve si e marrë
Vezulluese si vetë magjia
Në zemër më ke vrarë…
O vezullim i syve të mi!
O ndjenjë që pezull rri !
Si kupë me verë do të të pi
Të dehem me dashuri!
Të dua në ëndrrat e mia
Si gji gruaje të të thith
Ti, si një embrion fëmije
Brenda teje më ngjiz…
I trembur ty të shoh
Nje re e bardhë dua të jem
Me mall të të pëqafoj
Dhe veten të gënjej…
“””””””””””””””””””
Mu duk se trëndafili yt
Në pistoletë u shndërrua
Si plumb zemrën më goditi
Më plagosi mua…
Me duar të gjakosura
Preka fustanin tënd
Gjethe pemësh te trullosuara
U shkundën ne lot.
Dielli u fsheh pas një reje
Nga bukuria jote u tremb
Zemra ime në heshtje
Pas teje furishëm rend…
Trëndafil i kuq i dashurise
Zemrën ç’ më prushëron
Më vrave në çdo shqisë
Gjak ndjenjash më kullon…