Kam dëshirë të ndjej mornica në trup
Ndërsa pi një cigare pas perdes në dritare.
Kam dëshirë të lagem dhe vrapoj nëpër shi
Dhe të kruspullosem poshtë një peme si iriq.
Kam dëshirë etjen të shuaj në buzët e tua
Si një akullore të ëmbëlsuar me fruta të të thith…
Kam dëshirë të ndjek retë kuturu
Mes tyre të fshihem dhe mes tyre të tretem.
Kam dëshirë ujërash, zërash , gurgullimash
Të dehem me tinguj, britma dhe jetë…
Kam dëshirë trupin tënd të prek
Si një gjarpërushe që në heshtje më pret..
Kam dëshirë të lëviz, të shkundem, të bredh
Si një foshnjë symbyllur në krahët e tu të vdes…
Kam dëshirë të mos bëj asgjë gjithë ditën
Të flas me gjethet, të numëroj yjet në qiell
Kam dëshirë për një prekje, një ledhatim
Për një këngë dashurie që shplodh shpirtin tim…
Kam dëshirë nëpër mjegull të humbas
Si i marrë emrin tënd mes pyllit të thërras
Kam dëshirë, për ty, për gjithçka
Të jetoj, të rend qiellit skaj më skaj.