16.5 C
Tiranë
E dielë, 19 Janar 2025

Rifat Ismaili

 

 

 

POETI- GLADIATOR I VARGUT TË BUKUR

Shënime rreth poezisë së EDUART VELIT

I lindur dhe i rritur brigjeve të detit jonian, edhe poezia e Eduart Velit, vjen si një anije me vela të bardha, duke mbartur mbi vete mijëra copëza jete, ngjarje, fytyra të dashura njerëzish, peizazhet e tokës së bukur e magjepsëse të jugut shqiptar, vetë fytyrën e jetës, një jete të gjallë e të jetuar.
Ja si shprehet poeti në poezinë kushtuar vendlindjes; ” Shalësi im, je përherë mes ëndrrash”;
” Kam një mall, kam një brengë, ndaj dua t’ju takoj të gjithë, një e nga një
Mes jush , një jetë, jam djegur në diell, jam lagur nga shiu
Kam mall për të gjithë, për ata që rrojnë, dhe për ata që s’janë më
Që këtu dua të bërtas: ” jam dhe unë këtu, vëllai e biri juaj, Eduart Veliu”…

Një barkë e bardhë eshte poezia e tij, me vela të ndritura malli, që hera-herës i afrohet tokës stërgjyshore dhe eksploron brigjet e fantazisë, përshkon rrëketë e mendimit filozofik, duke u njehesuar me mundin e djersën e njerezve të thjeshtë, të bujkut me duar të ashpersuara, të dëshmorit rënë në luftë , dehet me aromen e portokallave dhe te blerten e kodrave, shkrihet ne muzgjet e perndezur te detit. Pastaj barka e magjishme prej Noe, e ndertuar me trungun e lashte te fjalës shqipe, me fjale te dritësuara, largohet drejt thellësive joniane, atje ku fshihen ndjenjat dhe ëndrrat, pershkon misteret e ujërave te femijërise dhe jetes duke u bëre nje metafore, nje këngë për jetën.
Ajo që flet më shumë në poezinë e Eduart Velit, është dashuria; dashuria për jetën, dashuria për njeriun. Ja si shkruan ai ne poezinë ” Nuk kam kohë te plakem”;

” Unë nuk kam kohë të plakem, shoku im
Se me jetën unë, marrëzisht jam dashuruar…”

Dashuria, mirësia, pozitiviteti përshkon çdo varg të tij, optimizmi për një jetë më të bukur e me të mirë, e konsoliduar tek besimi i pakufijshëm qe ka ai tek njeriu. Poezia e tij përshkohet nga universalizmi, ai si një piktor i fjalës e mbush telajon e poezisë me ngjyra, me mesazhe domethënëse, me urtësinë e njeriut dhe poetit të angazhuar.
Në poezinē “Gladiator i shpirtrave të lënduar ,dua të jem” ai shpreh me së miri thelbin e poetit, si mbrojtës i vlerave dhe njerezve. Ja si shkruan;

” Eja tek unë, shpirtin e zemrën për të pastruar
Lakmia po të mbyt, pastroje zemrën
Unë poeti me poezinë, marrëzisht jam dashuruar
Gladiator i shpirtrave të lënduar, unë dua të jem!…

Poeti me vargje të artë i fton njerëzit në mëngjeset e jetës, të kene shpresa dhe besim në vetvete dhe në të ardhmen, të punojnë për familjet dhe atdheun e tyre, duke rritur dinjitetin dhe vlerat kombëtare.
Universalizmi dhe shumedimensionalja e poezisë së Velit, u japin vargjeve forcë e bukuri, trokasin në ndërgjegjet e njerezve, përmbushin qëllimin e misionit të tij poetik.
Dhe në këtë gjithpërfshirje universale, ai ne gjumin dhe ëndrrat e tij ndjen dhe dëgjon zëra, zëra që i flasin, që i ndriçojnë udhët e vështira të jetës. Por zëri i babait që s’ eshte më, eshtë i gjithpushtetshëm dhe e shtyn në vargje si këto;

” Zëri i babait që nga zemra të mban ngrohtë
Drejt zërit të tij si dre këmbëshpejtë vrapon
Babai në jetë, është si lisi i malit, përherë i fortë
Që nga zemra të flet, kur jetës tënde i mungon.

Por se paku, ka ende prane nenën e plakur, që i mëkon dhimbjet e babait te humbur dhe e ben te ndjehet ende djaloshar. Ajo dashuri nëne që kurrë s’ mungon. Dhe ai e shpreh dashurine e tij per nenen nëpermes vargjesh margaritarë, që depërtojnë si shtëllunga drite në zemrën e çdo njeriu;
“Je në çdo frymë e rrahje zemre, o nënë”

Tē bëheshe dhe njëherë e re, doja unë i vogël të bëhesha përsëri
Aty rreth vatrës, o nënë, të na këndoje këngët e bukura çame
Ishim të varfër, nënë, por tek neve ju derdhët një det me dashuri
Ti, o nëna ime, më e bukura ndër shoqe, me jelek e me tumane!

Poeti Eduart Veli është një këndues i zjarrtë i ndjenjave më të thella e me sublime. I kendon shokeve të fëmijërise, burrave të fshatit, babait, nënës, gruas, fëmijëve.
Ja si shkruan ai në poezinë ” Të kërkoj”;

Në ëndërr të kërkoj se ëndrrat duhet ti shohim bashkë të dy
Dua edhe në ëndërr, të lundroj në zemrën tënde, në të bukurit sy
Ëndrrat s’ duhet të na ndajnë, kështu ka qenë dhe duhet të jetë
Bashkë të dy, si vala me bregun, sot deri në të përtejmen jetë!

Çfarë madhështie shpirti përmbajnë këto pak vargje për gruan dhe shoqen e jetës. Vetëm një shpirt i bukur dhe fisnik si i poetit, do i thurte vargje gruas në këtë mënyre, duke mos e ndare ate as nga ëndrrat, dhe duke dashur te jenë gjithmonë bashkë gjersa të kenë frymë.
Herë herë patosi i tij shperthen edhe në lirika dashurie, qe per nga bukuria nuk mbeten pas nga lirikët e mëdhenj shqiptarë, Dritëroi, Lasgushi e të tjerë që e lëvrojnë ende sot. Poezia ” Moj drenushë në rradhua”,eshte e tillë, e thënë thjesht, një perlë dashurie. Ja një prej strofkave të saj;
” Të më japësh synë e bukur
Dhe mushtin e buzëve të tua
Të të marr në krahë si flutur
Vdeksha, po s’të mora grua!”

Kjo poezi jo vetëm që i përmbahet një frymëzimi të pastër lirik, por edhe perzgjedhja dhe qëmtimi i fjalëve është për tu admiruar. Gjen tek- tuk atje nëpër vargje edhe fjale te dialektit jugor e çam, qe i japin vargjeve ëmbëlsi e rrinë si qershia mbi tortë.
Poetin Eduart Veli, me të drejtë mund ta quajmë poet i dashurise.I dashurise së pakufishme që ka ai për jetën dhe për njerëzit. I dashurisë sublime. Dhe vargjet e tij tek poezia ” Vallë…çfarë është dashuria” e shprehin më së miri këtë;
” Ç’ është dashuria, shpeshherë veten pyes
A ka vallë njësi matëse, për dashurinë në jetë?”…

Poezia e veshur me diell e me det e Eduart Velit, na thërret pandërprerë në gëzimet e jetës. Si një anije velëbardhë ajo pluskon në valët e ëndrrave të njerëzve , i përkthen ato në çaste të vërteta përndritjeje e amëshimi, i çon në një ridimensionim kohor të pavdekshëm. Një poet që i duhet poezisë dhe letrave shqipe.

Rifat Ismaili 6- 2- 2020

Një përgjigje për poetin e fjalës së ëmbël RIFAT ISMAILI:L'immagine può contenere: Eduart Veli, con sorriso

Më surprozve ,në ketë mëngjes.
Poeti i fjalës së ëmbël Rifat Ismaili .
Poeti dashurisë, do jem deri sa të vdes.
Vargjet do mbajnë aromë trëndafili.!

Më bëre me krahë sot,mik im poet.
Mua, djalin e thjeshtë të Çamërisë.
Zemrën e kam plot ,e kam sa një det.
I lumtur, të jem poet i Dashurisë!

Më gëzove pa masë sot ,miku im!
Me mendimin tënd poetik si një ujëvarë..
Digjet nga dashuria ky shpirti im .
Siç digjet toka, nga dielli në behar!

Nuk kemi kohë për të humbur mik .
Vargjet që nga zemra ,na flasin.
Të fshehtat e poezisë të gjejmë me vërtik.
Ejani poetë,mes nesh ,na thërrasin !

Poet,këtë mëngjes sa bukur e përjetova.
Është bukur,kur poetët të vlerësojnë.
Bashkë me valët e detit dhe unë ju urova .
Njerëzit e mirë dhe valët e detit,i urojnë!

Sytë sot poet, mu mbushën me lotë .
Isha në shtrat ,s’më pa asnjëri.
Mendova se ka njerëz të mirë, kjo botë.
Ju uroj unë poeti,më i thjeshti njeri!

Ne miku im,Rifat i përkasim poezisë.
Sa të kemi jetë, vargje do të eksportojmë.
I lumtur ,që më quajnë poet i dashurisë.
Bashkë me mua, vargjet e mija ju urojmë!

Më bëre më flatra në këtë mëngjes që po lind.
Poeti me fjalën e qeshur e zemër bardhë.
Vargjet,poezitë e mija,unë i dua si prind.
Mes vargjesh, Rifat Ismaili mirsekeardhë!

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.