8.5 C
Tiranë
E dielë, 23 Mars 2025

Rovena Shuteriqi

Iu fsheha perëndeshës Afërditë sonte.
S’doja të më shihte kaq shumë të dashuruar!
Kisha frikë se mos nga zilia më mallkonte
dhe humbisja një dashuri të sapo lulëzuar.
U struka nëpër kthina, ku mendja s’të shkon.
Gufuar zemra, sytë vezulluar prej lumturisë.
Mundohesha të mbaja shtrënguar kraharorit përqafimin e tij
e nën gushë më guduliste puthja e parë e tij.

“””””””””””””””””””

Mblodha natës së shurdhët, zërat që oshëtinin akoma nga dita e zhurmshme.
Qarje foshnjash që çirrnin jetën e saponisur.
Këshilla prindërish, që portën u përplasin fëmijët në fytyrë.
Lutje jetimësh për një strehëz të ngrohtë familjare.
Ngashërimet e një femre të dashuruar, zhgënjyer nga lidhja e saj.
Britmat e një zënke çifti, që as vetë nuk dinin kujt t’i vinin fajin.
Rënkimet e një të sëmuri, ku s’di nga të kërkojë ndihmën e mrekullisë.
Çapitjet e njerëzve që në mëshirë të fatit, përballen mes dallgëve të jetës.
Grahmat e një njeriu gjysëm të vdekur që lufton mes jetës e vdekjes.
Klithmat e hareshme të invalidit kur bën hapat e para pa ndihmën e asgjëje!
Të qeshurat e një grupi njerëzish që mes pijesh argëtimi, ngrenë dollitë e njëpasnjëshme!
I mbledh të gjithë këta tinguj në memorie dhe vështroj tutje në horizontin ku dritëzohet nga rreze të arta.

“”””””””””””””””””””

“Shitësja e shkrepëseve”, m’u shfaq sonte kudo!
E pashë, atje, në cepin e një ndërtese braktisur!
Rrëmonte në pirgje plehrash riciklimi,
ndërresa të vjetra, që natën të mbështillej nga erërat e ftohta.
E pashë më tutje, tek përpiqej të provokonte një shkëndijë,
një zjarr të ndizte, të ngrohej sadopak,
flakët s’merrnin hov, sikur edhe për provë,
e duart i ngelën shtrirë, drejt zjarrit imagjinar.
Më pas e pashë në stolin e një parku të zhveshur pemësh,
“shitësja”, mundohej mbi kartona të lagur të flinte,
tisi i natës e mbuloi si me qefin të veshur,
mëngjesi e gjeti me sytë ngrirë drejt qiellit, duke u lutur!

“””””””””””””””””””””

Ma përvëlove zemrën kur më thirre:- Dashni!
Sytë u verbuan, zhytur lotëve të lumturisë!
Çdo pore e trupit u rrënqeth, dridhej në marrëzi,
pranë kurmit tënd kërkonte, rizgjim, ngadhnjim.
Zëri yt kumbonte nën strehëz kujtimesh,
frymë e jetë u jepte, çasteve fiksuar, pikturuar.
Zemrat vraponin shtigjeve, duke lënë prapa ftohtësitë e hijeve,
duart zgjatur njëri-tjetrit, falën zjarrmi t’praruar!

“””””””””””””””””””””””””””””

S’di ç’do doja të ishe për mua!
Mbase një palë dorashka, që duart të më ngrohësh, kur pallton kam pa xhepa!
Mbase dhe një kapuç për kokën, kur të fryjnë “erëra dinake”, mendimet të m’i mbash fort kujtesës, pa lëvizur vendit fare!
Ndoshta edhe një orë dore do.doja të të kisha, me ty të matja kohën dhe ta çmoja çdo sekondë tënden në lëvizjen e akrepave!
Një shami të të kisha, akoma më mirë, me ty të fshija lotët kur malli për ty më tret si qiri.
Aromë trupi do të pranoja me shumë dëshirë, të futeshe në çdo pore e çdo ind të më pushtoje!
Edhe në varëse gushe do çmëndesha të të kisha, si hajmali të të mbaja e ëndërra shumë do thurja!
Dhe ç’nuk do desha të të kisha ty, mjafton të më thuash, se unë për ty, jam e vetmja dashni!

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.