Sipër varrezave të fshatit ishin ca gurë të gjatë që ishin vendosur pranë njëri tjetrit, në një formacion të rrëmujshëm. Në fshat kishin toponimin: “ Gurët e nuses”, ca të tjerë u thoshin “ Gurët e Jenicerëve”. Ne si fëmijë luanim aty majë gurëve duke mbajtur në dorë ndonjë copë listelë dhe e bënim si shpatë. Nga shumë hulumtime të bëra qëndron më shumë variant i toponimit: “ Gurët e nuses”.
Kur martoheshin nuset vinin dhe i merrnin krushqit me kuaj. Ata dërgohen nga shtëpia e dhëndrrit. Ashtu majë kuajve sapo hynin në fshatin e nuses nxirrnin armët e lëshonin batare me krisma. Fëmijët të gëzuar e plot zhurmë dilnin para krushqëve dhe i shoqëronin deri në shtëpinë e nuses. Aty vazhdonte ahengu, kërciste vallja e rakia derdhej lumë. Krushqëve u bëhet nderi i duhur. Kur dilte nusja nga shtëpia, ndahej e malluar nga të afërmit e saj. Deri në kufirin fundor të fshatit përkrahu e mbanin të vëllezërit apo dy më të afërmit. Mbas kësaj e merrnin në dorëzim dy të dërguarit nga shtëpia e burrit. Ata e mbanin atë për krahu për të mos u rrëzuar nga kali
Nga rrëfenja
Ajo dasëm qe nga dasmat më të mëdha që kishin parë në ato anë. Nga shtëpia e burrit u nisën plot dyzet krushq për të marrë nusen. Me ta ishin dhe dy djem të rinj që sapo u kishin djersitur mustaqet. Ata do të mbanin për krahu nusen mbasi të dorëzohej nga të afërmit e saj. Krushqit ecnin plot zhurmë e hare. Martohej djali më i pashëm dhe më i fisëm i krahinës. Për nuse kishte zgjedhur një zanë të bukur mali në fshatin e vogël, mes atyre aheve e lisave të lartë. Ahengu kishte vazhduar një javë rrjesht. Aheng i madh bëhej dhe në shtëpinë e nuses. Deko Mokrari martonte vajzën e tij të bukur e të vetme. Krushqia kishte qënë e goditur nga të dyja palët. Të dy krushqit ishin miq për kokë. Krushqit dasmorë hipur majë kuajve hynë plot zhurmë në fshatin e shtëpinë e nuses.
– A pret krushq o Deko Mokrari- thërret nga maja e kalit Feti Somotina, daja i madh i dhëndrrit.
– Krushq e faqebardhë- përgjigjet Dekua.
Dyert hapen dy kanat e krushqit futen në oborr. Njëri pas tjetrit hynë në odën e miqve ku dollia vazhdon për shtatë palë qefe. Mbas përshëndetjeve të para e urimeve fillon dollia. Vera derdhet lumë e qingjat e pjekur në hell vihen tërthor në sofër. Dy djemtë e rinj rrëkëllejnë proskat e para me verë e bëhen çakërqef. Kur bëhen gati për të dalë e nusja hipën në kalë, dajua nxjerr alltien e qëllon në ajër. Nusen e nxjerrin nga shtëpia me këngë e valle. Ajo majë kalit qan me ngashërim se do të ndahet nga njerëzit dhe të afërmit e saj. Dy vëllezërit mbajnë për krahu nusen dhe e shoqërojnë deri në kufirin e fshatit. Aty për krahu e mbajnë të dërguarit e dhëndrrit. Rruga është mjaft e gjatë. Duhet edhe gjysëm dite për të arritur në shtëpinë e dhëndrrit. Në një lëndinë anës rrugës, krushqit pushojnë. Me kujdes ulin nga kali nusen që të shplodhet e ti shpihen këmbët. Mbas pushimit u hipin përsëri kuajve dhe nisen për rrugë. Dy djemtë shoqërues duke ndihmuar nusen të hipë në kalë, paturpësisht e prekin në vëndet intime të saj. Trupi i saj dridhet nga frika dhe inati por ajo nuk mund t’u ankohet dasmorëve të tjerë. Më tutje në një të përpjetë ata e ngacmojnë përsëri. Ajo ndalon kalin duke u marrë kapistrën djemve. Heq nga koka duvakun dhe me shikim nga qielli i lutet Zotit që ti bëjë gur, atë dhe krushqit e saj. Ashtu e turpëruar ajo nuk mund të shkonte tek shtëpia e burrit të saj.
Të gjithë ngelën të shtangur në vend kur fillon një erë e madhe që e bën vendin katrahurë. Kujt lëvizin të trembur dhe rrëzojnë krushqit nga samarët e tyre. S’po merrej vesh asgje çfarë po ndodhte. Të parët u ngurosën dy shoqëruesit e nuses. Më pas nusja dhe krushqit e tjerë. Dhe vendi dukej i tillë, gurët të vendosur sipas një rrëmuje. Dy nga gurët janë më të shkurtër e si më të shëmtuar, me siguri janë ata besëthyesit, shoqëruesit e nuses. Kështu thonë, askush nuk e di historinë e vërtetë por, që mbas asaj dite, nusen gjatë gjithë rrugës e shoqërojnë të afërmit e saj.
Tani ata gurë nuk janë më. Në vitet e demokracisë u thyen e u përdorën për shtrimin e rrugës me kalldrëm. Por toponimi “ Gurët e nuses” vazhdon edhe sot, për të mos harruar legjendën e asaj ngjarje.