Duhet të jesh vetë jeta
Që matet me peshoren e kohës
Me agime e muzgje të errëta
Rrugëve të spërdredhura të botës
Duhet të jesh vetë durimi
Që nyjë të mban lidhur shpresën
Ngulitur në çdo qelizë truri
Kur e keqja të shpërlanë kujtesën
Duhet të jesh vetë zhvendosja
Në kohë dhe në hapësirë
Dhe të kesh krah të rrufeshëm
Të çash terrin me rrezatim
Duhet të jesh vetë guximi
Dhe kur jeta të dridhet
Ahere kur në sy të ngrin loti
I vetmi i ëmbli dhe i hidhuri
Dhe krejt i vetëm nëse mbetesh
E shpirtin ta shkundë bishë e egër
Gjymtyrë më gjymtyrë të ngjitesh
Të kapësh kufijtë e universit
“”””””””””””””””””””””””””””””
Vëllezërit që nuk janë në gjendje ta shohin
njëri-tjetrin
Në sytë e tyre perde të zezë ka hedhur verbimi
Dhe për shkak të humbjes së dritës së diellit
Shemben urat që i lidhin miqësitë me të tjerët!
“”””””””””””””””””””””””””””””
U ngjit në lartësi majë degës së dëshiruar
Mosmirënjohës ndaj rrënjës që e ushqeu
Brenda vetes i shembi të gjitha mirësitë
Se dinte që lartësiia ka interval të shkurtër
I shkëputur nga rrënja prej dege rrokulliset
“””””””””””””””””””””””””””
Pse çastet e lumtura na zgjasin vetëm pak
ndërsa të trishtuarat dhe vuajtjet më gjatë
mos vallë shpalosja e thesareve të dashurisë
e nxit xhelozinë për lumturinë e përbashkët
“”””””””””””””””””””
Era vjeshtake i ka shkëputur gjethet
si skelete kanë mbetur vetëm degët
bukurive të jetës u bëhet e padrejtë
pa zogjtë kanë mbetur edhe çerdhet
Në vend të tyre nisin fjalët fluturake
nga zemra e poetit me plot ndjesi
me vargje i zgjojnë bukuritë e jetës
t’i përsëritin stinët të çelin nga fillimi