16.5 C
Tiranë
E enjte, 20 Mars 2025

Sami Guzina

Këto ditë Këshilli bashkiak i Selenicës pranoi kërkesën e kryesisë së shoqatës së Aviatorëve për të shpallur “ QYTETAR NDERI “
ish pilotin legjendar Lulo Musai.Ishte dhe mbeti komandant – Monografi kushtuar pilotit të klasit të parë  Lulo Musai (Spahaj) | Aviacioni Shqiptar
Me këtë rast u kujtova tu sjell miqve e kolegëve të mi një portret të komandant Lulos botuar në gazetën shqiptare vite më parë.
KU E KA BUSTIN KY BURRË… !?
Mirënjohje LULO MUSAIT, komandantit të parë të Rregjimentit të Helikopterëve.
Ishte pragu i luftës së Kosovës. Në rregjimentin e Farkës do të disllokoheshin 5-6 njësi të ndryshme të aleatëve të NATO-s, kryesisht mbështetës, ndërlidhje, zbulimi dhe llogjistike. Të parët mbërritën spanjollët, një kompani ndërlidhje,të cilët kishin në përbërje veç antenave e mjeteve llokative dhe tre a katër helikopterë të vegjël si pilivesa. Veç gabinës së xhamtë, konstruksioni i tyre ishte i tëri metalik. Ata përdoreshin për zbulim.
Komandantit të kësaj kompanie, me një emër aspak spanjoll, Mikelanxhelo, bashkë me komandantin e rregjimtit, Beqir Barxha, po i tregonim diçka nga historiku i rregjimentit tonë. Mbas një rikonjicioni të shkurtër nëpër repart u gjendëm në sheshin para godinave. I thamë se “arkitekti” i gjithçaje këtu ishte një ish pilot supersoniku, madje i pari në Aviacionin shqiptar. “- Ku e ka bustin ky burrë?- na pyeti duke vështruar rrotull.
Ishte e vështirë t’i shpjegonim homologut tonë se ish legjenda e qiellit shqiptar, jo vetëm që nuk kishte bust në hyrje apo në mes të repartit (siç edhe e meritonte) , por ai u persekutua për vite të tëra nga diktatura, nga Partia që ai vetë e deshi aq shumë.
………………………………………………………………………….
U lind në Smokthinë, Vlorë, më 15 Janar 1929.Koha nuk mund ti zhvlerësojë kontributet | Aviacioni Shqiptar
1938 – 1941, mbaron shkollën fillore në Shalës – Mesaplik.
Dhjetor 1943 – Mars 1945, partizan në Brigatën e 5-të Sulmuese.
1945 – 1948, përfundon ciklin 7-të vjeçar dhe shkollën Ushtarake “Skënderbej”
1948 – 1952, kreu studimet për pilot në B. Sovjetik (Novosimbirsk, Siberi.)
1952 – 1954, komandant skuadrilje ( Laprakë, Tiranë.)
1954 – 1959, pilot e drejtues në rregjimentin luftarak, Kuçovë.
Mars-Qershor 1958 dhe Maj-Tetor 1959, specializim e kualifikim në B. Sovjetik.
1959 – 1967, pilot e më pas komandant i skuadriljes së MIG-19, në rregjimentin luftarak, Rinas.
Tetor-Nëntor, 1960 rikualifikim në B.Sovjetik për avionin supesonik Mig- 19.
Tetor 1963 merr titullin “ Pilot i Klasit të Parë”
1964-1967, komandanti i skuadriljes Mig-19, në Rinas.
1967-1975, komandant i rregjimentit të helikopterëve,Farkë – Tiranë.
1975- nxirret në lirim si i padëshiruar në ushtri.
Ndahet nga jeta më 7 Nëntor 1988.
Për merita në luftë e punë, në shërbim të mbrojtjes së Atdheut është nderuar me 12 Medalje e Urdhëra.
……………………………………………………………………………………………….
Nuk di nga t’i a filloj me KOMANDANTIN LULO. Kur e kam njohur, në nëntor të 1970-ës, ai ishte i madhi LULO MUSAI e vetëm 41 vjeç.
Një burrë me trup të bëshëm, me kokë të madhe, hundë të rrumbullakët, vetulla të trasha, gati-gati të bashkuara. Kur ishte me kapele në kokë, ajo ia mbulonte atë “aerodrom” që i bashkonte ballin me “pistën”e kufizuar anash me atë tufë flokësh që i dilte si xhufka resh të zbardhura.
Në pamje të parë të dukej sikur kishe përpara një 65-70 vjeçar të mbajtur. Por … vetëm në pamje të parë. Me të tjerat…. ishte tjetër.
Një 25 vjeçar. Brënda asaj koke punonte pashtershëm një tru elektronik. Brënda atij trupi buronte një energji djaloshare. Brënda atij burri mund të gjeje një fshatar tipik lab, me një të folme të pastër çobani, me një humor, ironi e sarkazëm bashkë, sa do t’i a kishte zili dhe aktori më i thekur.
Por brënda asaj figure fshihej e shfaqej dhe një filozof, një arkitekt, një akademist, një ekonomist, një strateg i sprovuar betejash, një burrë i urtë.
Ai në çast të shfaqej nga komandanti më i rreptë në një shok, aty tërsëllinte si bubullimë e në çast të vinte dorën në sup duke të thënë; E a derëzi….qetësohu se s´të vrava.
…………… Grupi ynë pilot prej 22 studentësh që kishim fluturuar për një vit në Akademinë e Aviacionit, në Vlorë, me avionin mësimor Jak-91, kishim një javë që ishim vendosur në rregjimentin e Farkës. Ne rreshtoheshim paksa veç rregjimentit. Kjo sepse akoma nuk quheshim pilotë luftarakë.
E pra një ditë para nesh u shfaq Ai, Komandanti Lulo. Qëndroi me këmbë paksa të hapura duke na hedhur një vështrim të shpejtë, sejcilit prej nesh;
– “ Hë djema, mirë jeni¬? A u sistemuat mirë me gjithçka? Hë mo flisni! Ju mungon gjë? Po këta komandantët që kemi caktuar të punojnë me ju, si ju duken? Ç´të keni ma thoni këtu. Edhe për mua….Hë de, se nuk jeni kaq të urtë, mos më rrini si çupa…
( pastaj i u kthye buzagaz Ndue Logut, i caktuar si komandanti ynë)Mund të jetë një imazh i 8 persona, duke përfshirë Dilaver Goxhaj, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme
…- O Ndue! Sa do vuajmë me disa prej tyre… ( pastaj bubulliu si uragan) …Djemaaa, mos ma vini re. Do bëjmë dhe shaka. Ju do bëheni pilotë shumë të mirë. Kur të mos jemi ne, ju do i vini shpatullat rregjimentit, do kryeni detyra luftarake për Atdheun, për popullin. Por që të arrini deri atje duhet mendje e djersë e përkushtrim.
Pastaj na u afrua më pranë. Filloi të na pyeste….dikur mu drejtua dhe mua:
– Po ty djalo, nga të kemi? Shijaku…? Ah, e kemi dhe një pilot të talentuar nga Shijaku. E njeh Besnik Shahin? Bëhu si Besua që të nderoni Shijakun… Të jesh pilot do të thotë të jesh dhe trim dhe i mënçur, dhe inxhinier dhe profesor, dhe i urtë dhe çakmak…
……………………………………………….
Përballimi i dytë me komandantin Lulo ndodhi 7-8 muaj më vonë. Fluturonim në aerodromin e Shtoit, në Shkodër.
Kishim fluturuar rreth 20 orë program me instruktor.
Isha përzgjedhur me tre apo katër shokët e parë për të fluturuar me komandantin e rregjimentit në fluturimin kontroll për të dalë vetëm.
Të fluturosh me komandantin Lulo është jo vetëm emocion, por dhe ëndërr. Ëndrrën po e prekja, por emocionin nuk e shmangia dot. Tek po mbërtheja rripat në kabinë e hapja çelsat e nevojshëm, komandanti kish vënë re emocionin tim. Me dorën e majtë më rregullon disa cullufe që më binin mbi ballë nga nënshlemafoni e me të djathtën shtypi butonin e bashkëbisedimit të brëndshëm;
– Jepi djalo…Zëre se nuk jam fare këtu. Bëj ç´di e ç´të kanë mësuar. Unë çoç kam qenë në Rinas, kurse këtu je ti usta… mblodhi këmbët duke i hequr nga pedalet dhe kryqëzoi duart mbi gjoks.
Me këtë veprim donte të më thoshte se …” ja, fluturimin po e realizon vetëm ti. Unë jam thjesht pasagjer…”Koha nuk mund ti zhvlerësojë kontributet | Aviacioni Shqiptar
U ngrita. Realizova dy fluturime nё rreth. Patjetër që lejova dhe gabime. Fundja isha një kursant që aspiroja për tu bërë pilot. E për të më promovuar në këtë mision ishte në kabinë pikërisht ky babaxhan, i cili jo vetëm që nuk preku asgjë, por as dhe nuk foli një fjalë. Vёshtronte jashtё e hera herёs hidhte vёshtrimin nё paretin e instrumentave e dorёn time mbi dorezёn e komandimit duke buzёqeshur i kёnaqur. Komunikova me radio vetëm më udhëheqësin e fluturimit, komandantin e skuadriljes, Ndue Logu.
…… E prita komandantin duke i u paraqitur me bllokun e vërejtjeve dhe librezën e fluturimit në dorë, për vlerësim e firmë. “- Të kam thënë që do t´i ngjash Besnik Shahit. Bravo! E nderove Shijakun. Mos e vrit mëndjen për gabime të vogla. Je akoma i ri për të qenë perfekt. Dale-dale, i a futa kot. Fluturim perfekt nuk ka. Pilot i zoti është ai që e zbulon në kohë gabimin e bërë dhe e eliminon. Fluturimi është art, art i të mundurës.
Pse artistët nuk bëjnë gabime¬? Por i kalojnë situatat aq bukur sa ne në sallë nuk kuptojmë gjë. Këto gjëra arrihen vetëm me punë, me disiplinë, me kërkesë ndaj vetes, me përvojë…..
Ju sot jeni djem me shkollë, jo si ne dikur……. Eh!! ( psherëtiu thellë)
….. Ja unё, 14 vje¬ç partizan, pas lufte për tre vjet mbarova 7 vjeçaren dhe shkollën “Skenderbej”, pastaj andaj nga stepat ruse, shkolla e kurse…Do mësoja gjuhën, e me atë gjuhë do mësoja teorinë e fluturimit, teorinë e motorit, navigimin, rajonin e fluturimit, etj, etj. Shqetësohesha shpesh, për gjakun e shokëve më zinte paniku, a do të arrija unë, një çoban e bir çobani, a do të arrija këtu në dhe´ të huaj të nderoja veten dhe Shqipërinë time të varfër e të dashur… eh ( psherёtin përsëri ) ….. por, çoç bëra. Erdha këtu, nё mёmёdheun tim. Në Laprakë, në Qytetin Stalin (Kuçovë), në Rinas, në Farkë. Gadishmëri e fluturime, ditën e natën, net pa gjumë …eh. Ja shiheni! ( hoqi kapelen e shkoi pëllëmbën mbi kokën e braktisur nga flokët) E pra jam 40 vjeç. As fёmijёri s´kalova si tё tjerёt, as rini jo se jo! ( psherёtin pёrsёri ) …..Ja, kam tri çupa, u rritёn e s´i ula njё herё nё prehёr…
Sot brezi juaj ka më tepër shkolla e më pak telashe…. Hajde çuna nëpër gabina. Boll ju prrallisa.” Ne kursantët, instruktorët dhe komanda, të mbledhur rreth tij në formë gjysëm rrethi, të mahnitur nga ligjërata e sinqertë, tërësisht shoqërore e miqësore bashkë, e këtij burri të plakur para kohe në qiell, i cili foli me ne kursantët sikur kishte përpara shokët e vet më të ngushtë. Nuk lëvizi askush nga vendi megjithë “ urdhërin” e komandantit të madh, por vazhdonim ta shihnim me admirim tek nxorri qesen e duhanit “Tarabosh” e filloi të dredhë cigaren me gishtat e trashë.
…… Më pas tek u “rrita”, krijova familje, fillova të thinjesha e të kaloja ditët e netët më tepër nё repart se pranё familjes, tek jam përplasur me dallgët e qiellit e të jetës, i kam kujtuar me qindra herë ato fjalë e atë psherëtimë ….“ Eh, djema…”
Kёtё psherёtimё e kam kujtuar dhe nё kabinёn e helikopterit pas 30 vjetёsh tek
vёshtroja kursantin tim qё “vallёzonte” nё varje. Nuk i flisja, nuk i ndёrhyja, le tё djersinte vetё…
Kishte vite qё ne brezi i “aerodromit tё Shkodrёs” ishim bёrё “ baballarё” tё
rregjimentit. Kryenim detyra nga mё tё rёndёsishmet, ditёn e natёn, madje dhe
stёrvitje bashkёvepruese mё kolegёt e NATO¬s, ishim instruktorё prej kohёsh…
I madhi Lulo ishte i madh në çdo gjë.
Në punë, në fluturim, nё fantazi, në biseda, në kritika.
Më vjen keq që nuk e kam librezën e parë të fluturimit. Pas përfundimit dhe mbushjes ato dorëzoheshin në sekretari.
Sot do të isha i lumtur po të kisha atë “ shkëlqyeshëm” të shkruar me dorën e
“UJKUT Tё QIELLIT LULO MUSAI, me shkrim disi të deformuar, të shkruar në
këmbë, aty në aerodromin e Shtoit, nga ku nisi rrugëtimi im 33 vjeçar në qiell.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.