7.5 C
Tiranë
E martë, 17 Shkurt 2026

Sejdi Berisha

Në vend të përkujtimit për gazetarin dhe publicistin, Halil Gashi
PO PSE BASH TASH IKE ORE BURRË E MË LE PËRGJITHMONË TË TREMBUR DHE TË LËNDUAR NË ZEMËR DHE NË SHPIRT…!Mund të jetë një imazh i 1 person
(Sot, sikur çdo pjesë e trupit më derdhë lot për gjithçka e për shumëçka)
Se jeta është edhe ajo dhembja e dhembjes, e cila përveç tjerash grumbullon kujtime nga më të ndryshmet të cilat ta rëndojnë mbase edhe ta plasin shpirtin dhe zemrën. Gjithë këtë sot ma rëndoi mendjen, gjakun dhe shpirtin lajmi për vdekjen e Halil Gashit, që përnjëherë më dalin gjithë ato rrugëtime që ishin edhe vuajtje, edhe krenari, edhe mall, edhe skamje, që i përballuam së bashku. Dhe, e tërë kjo na bashkoi që në fëmijëri, dhe u kalitem e u kalitem për të ngelur vertikalisht, për të krijuar familje dhe me punën, me djersën tonë për t’i kontribuar familjes, qytetit, kombit dhe atdheut.
Nuk ishte lehtë as kjo, sepse, u përplasem me shumë sfida, të cilat shpesh na i kanë djegur ëndrrat edhe na i kanë rënduar e ndrydhur kujtimet.
Halil,
Rrugëtimi ynë ishte i çuditshëm dhe i mbështjellë me atë etjen për ta trasuar rrugën e lumturisë. Dhe, në tërë kohën që iku, kudo ishim bashkë, frymonim njëjtë, dhe se të gjitha rrethanat na detyronin ndonjëherë edhe t’i përplasim mendimet dhe qëndrimet, për të cilat nuk ishim fajtorë na!
Sot, më detyrove të kthehem prapa, shumë prapa, në atë rrugëtimin prej punës sate në arsim e deri në frymën e fundit në gazetarinë, e cila na bënte herë të lumtur, herë të rebeluar, herë të demoralizuar nga rrethanat, vuajtjet dhe shtypjet e ndrydhjet e njeriut të kësaj toke.
Nuk ishte lehtë edhe kur kuvendonim, edhe kur në qytet thjeshtë shëtisnim, sepse, gjithmonë diçka na mundonte, shumëçka na mungonte, besa edhe etja për ta parë njeriun sinqerisht të buzëqeshur.
Më kujtohen edhe ditët kur ishe mësues në Gllogjan të Baranit, edhe në fshatin Isniq të Deçanit, punoje larg shtëpisë sate vetëm për ta fituar kafshatën e bukës, sepse, ishim rritur të mbështjellë me skamje por të stolisur me krenari. Më kujtohen edhe ato ditët e rinisë në teatrin e qytetit të Pejës, ku me gjithë kushtet e vështira ekonomike, ndanim kohën për të bërë diçka mirë përmes artit skenik, dhe gjithmonë ia kemi dalë me faqe të bardhë.
Sot, unë në këtë gjendje, nuk mund t’i numëroj të gjitha kujtimet, sepse, jam i trembur në shpirt e zemër, sepse, sikur çdo pjesë e trupit më derdhë lot për gjithçka e për shumëçka. Andaj mos ma shih për të madhe nëse në këtë moment jam i shkurtuar nga mendja për kujtimet.
Arrite shumë, që nga koha kur nuk ngurronim të bënim edhe qerpiçë për ta ndërtuar një grimë shtëpi. Formove, ndërtove dhe e edukove një familje të artë dhe shembullore. Ky ishte ai synimi yt, ky është ai thelbi i punës sate.
Në atë kohë, duke u bërë djem-burra e duke u plakur, shumë e shpeshherë kemi qenë pjesë e gëzimeve edhe përmes vizitave familjare, që ishin themel i një shoqërie dhe miqësie të veçantë. Nuk kishim limit në këtë aspekt.
Halil,
Kurrë nuk e harroj respektin dhe dashurinë e familjes sate ndaj meje, gjë e cila kurorëzohet me bukën e nënës sate, Hajrijes, e cila ma kënaqte zemrën me leqenikët dhe me pitet, që në çdo kohë nuk hezitonte t’i gatuante enkas për mua, qoftë edhe në orët e vona të natës.
Të gjitha këto, sot më dhembin, sepse, rrugëtimin nuk ka fuqi që mund ta ndalë deri në amshim, por kujtimet ngelin si diçka e çuditshme, të cilat herë të madhështojnë e herë të bëjnë të çmendesh!
Dhe, dita e sotme diçka përmbylli, diçka plagosi rëndë, por unë nuk di si ta shpjegoj këtë, ndoshta, padrejtësi jete…!
Sot nuk dua të besoj asgjë, as nuk mund të të them, lamtumirë, sepse,
jeta është trakullimë, por ajo është dhe ngelet dëshmi, pjesë e historisë që nuk shlyhet dot…
Halil,
E di se ky shkrim është pak, mbase edhe i mangët edhe i çalë, të cilin ma turbullojnë dhe ma çmendin lotët dhe çdo gjë që ka peshën e dhembjes…
Kaq, Halil Gashi…!
(Pejë, e diel 07 nëntor 2021)
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.