22.5 C
Tiranë
E premte, 13 Qershor 2025

Seti Pezaku Vladi

MOS HARRO
Supit hodha çantën me polenin e fushave,
brezit lidha ngjyrat e stinëve
dhe udhën mora…
Pyeta vargjet,
ku po më çoni?
Mos harro
netët nën ethet e skamjes kur ngroheshin nën yje!
Pyeta ngjyrat në sinjal vrapimi,
ku po më çoni?
Mos harro
malet kur digjeshin vetëtima
dhe lulet bëheshin krisma!
Pyeta zemrën,
ku po më çonte?
Mos harro
ëndrrën e zgjuar të gjakut,
të shërojmë plagën që koha na dha!
☆☆☆
BARDHËSI
Tri krisma zbrazi perandoria e dimrit,
mbi supet e tokës ra bardhësia,
era flokëderdhur merr gjethet e blirit,
fushës vjeshtore rendi vetmia.
Netët acare i gërvisht një shushurimë,
ecën një përrua malit nëpër natë,
shpirti i një shpendi klith në vetmi
duket se po ngrin majë lisit të thatë.
 ☆☆☆
TRISHTIM
U pikëllua vjeshta dhe flokët shkuli,
tërbohet deti e dallgët ngriti,
pranvera solli qyqen të vajtojë
kur panë se,
dora ime nxirrte syrin tim!
☆☆☆
SYTË
As të parët, as të fundit vargje
për magjinë e dy perlave ndezur.
Sytë,
Arena e suvenireve të shpirtit
ku aktron jeta,
trokojnë ëndrrat
qiell me diell,
dimër me shi.
Sytë,
dallgë kënge e loti,
bëhen Olimp,
bëhen dhe Trojë
dhe Veronë…
Orbitë magnetike e unshme
për të korrat e sotme,
për të nesërmen e largët.
Para syve
përkulet dhe trëndafili në degë
si mbret i kapur rob.
Sytë,
të vetmit që flasin pa fjalë
me gjuhën e syve.
☆☆☆
ANKTHET E PRITJES
Të prita në buzë të një deti,
të prita në sup të një ylberi,
në një krah të hirtë pulëbardhe,
në një sedilje të kuqe avioni.
Të prita gjatë sa dallga erdhi e më mbuloi,
dielli pas shiut ylberin ma mori,
furtuna nga krahu i pulëbardhës më rrëzoi,
sedilja e kuqe u gris si perëndimi.
Ankthet e pritjes i lidha kurorë,
tek porta me lulekambane t’i lashë.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.