4.5 C
Tiranë
E enjte, 13 Shkurt 2025

Seti Pezaku Vladi

GJURMË MALLI

(Nga libri “Kuja e laureshës”)

Shpesh,
Malli në krahët e tij më pushton,
Më çon udhëve të fëmijërisë
Duke ndjekur xixëllonja e mollakuqe
Fushave ku ndrisnin,
Rrugëve me kalldrëme
Ku shpeshherë dhe gjunjët vrisnim.
Ndjej aromën e dheut e të gurëve,
Të luleve e jargavanëve
Në oborrin e shtëpisë,
Të ftoit, blirit e të drurëve,
Pjegullës ledhatare
Rreth plepit përdredhur,
Ujit të ftohtë të pusit tek prehej,
Gëzimin e lojërave
Me litar e kukafshehtas,
Badhdhësinë e moshës që më nuk kthehet.
Petale çel malli në degët e kujtesës,
Oborri spërkatur me aromë trëndafilash,
Me penelata verore,
Me bujarinë e vjeshtës
Veshur me fllade netët zhurmonin
Me të ëmblat melodi cicërima bilbilash
Botën e përgjumur me këngë e zgjonim.
Qielli qëndisur me yje praruar
Në qetësinë solide olimpike sodiste,
Në gjoks të tij medalion i hënës
Me dritën argjendore nga lart na sodiste.
E ulur në prehrin magjik të mbrëmjes
I bie qark rrugëve të vendlindjes,
Rrugëve të mia të thjeshta që më rritën,
Shamibardhat e urta të skamjes
Përdore më morën
Më përcollën e më pritën.
E përmallur ndaloj tek bankat shkollore
Si tufa pëllumbash imazhet kalojnë,
Si kënga e valëve vijnë qeshjet gazmore
Në tinguj melodish, në vargje fluturojnë.
Eci kudo mbi gjurmët e mia
Ato si lule më çelin kujtimet,
Këndoj me to ylberet e moshës
Si zogjtë në degët e blerta të drurit,
Për dore me to vrapoj nëpër vite
Si era përqafuar me kallëzat e grurit.
Gjurmët e mia të moshës së artë
Mbi stiva librash i ngjitën katet,
Me epose heroike, me vargje të zjarrtë
Më ndiznin dritat, më zgjonin fatet.
Eeh, ky malli im,
Gurgullimë shpirti!
Vetëtimthi kaloi andej si një vegim
Në ato gjurmë ëndrrash
Të lara mëngjeseve në agim.
Sërish ai më kthen,
Më sjell aty
Ku bregu shekullor nga valët skalitet,
Mbrëmja pikturon peizazhin e rrallë,
Shtëllunga e pulëbardhave
Mbi valë kolovitet
Ku dielli zbret shkallët
Puth detin në ballë.

@seti pezaku vladi

“”””””””””””””””””””

Poezi *TANKA*
☆☆☆
Na plagosi kurbeti,
Shi që bie nën shi.
Prej vitesh
Strehëve të botës
Strehuam lotin nën shi.
☆☆☆
Me freski bardhësie,
Mëngjeseve
Pulëbardhat gdhendin
Profilin e verës
Në akuarel mbi det.
☆☆☆
Për kozmosin
Shkruan poeti…
Dhe kur floku zbadhet,
Asteroid
Galaktikash mbeti.
☆☆☆
Ujku mashtron qingjin,
Ndërrojnë gunat.
Ujku “qingj” hëngri tufën,
Hëngri dhe qingjin
Nën gunë të vet.
☆☆☆
Pranëverë!
Me vargje poetike
Desha të konkuroja,
Një curril kroi qe
Para gurrës tënde.
☆☆☆
Jemi prej syrit braktisur,
Prej muri të rrëzuar,
Prej brumi ardhur keqas
Mbi shputat e tokës
Mjekërrbardhë.
☆☆☆
Rrugës më shtyp makina,
Në det dallgësh mbytem,
Në mal më ha ujku.
Hapma derën Hënë,
Emigrante tek ti të vij’!
☆☆☆
Bindjen e kam rrënjë,
Vlagë e saj më rriti,
Arsyes rrugë i hap,
Dallgës s’i largohem,
Me plumbin martohem.
☆☆☆
Shtrydh fijet e kujtesës
Më dhëmb.
Përgjaken fjalët memece.
Muza kruspulluar
Fshin grimin ëndërrprishur.
☆☆☆
Të gjitha ngjyrat
Jeta mi ka veshur.
Harroi të më jepte
Këngën e buzës
T’patrazuar gjer në gjak.
☆☆☆

@seti pezaku vladi

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.