Babain shumë herë e kisha parë,
të rriste misrin, thekrën, grurin,
çdo ditë i shtohej një rrudhë në ballë,
dhe rrudhat thoshte janë për burrin.
Çdo pikë uji e çonte te bima,
herë vetëm e herë bashkë me shiun,
dhe të lidhej dhe t’i mbahej fryma,
dhe lodhja-thoshte-është për njeriun.
Ndodhte shpesh, në shtëpi kur kthehej,
të qeshte shtëpia e tëra,
nga fryt i punës niste të dehej,
dhe thoshte “Aq sa munda, bëra”.
“””””””””””””””””””””””””””””””
Iku, iku vjeshta,
E zhurmëshme! E egër! Me potere!
Ne u thinjëm, u thinjëm ditë-netëve
Ndër rryma ere.
Kam parë dhe ngjarje tjetër herë
Nëpër vite, muaj të mbrapshtë
Por si këtë vit asnjëherë
S’kam parë kaq të vrazhdë.
Dhe vargjet e trishta nuk ndalin
E një fjalë të mirë kush s’të thotë.
Njerëzit janë bërë më të ftohtë se varret
Dhe nga varret më të ftohtë.
Iku, iku vjeshta,
Mbi fusha, mbi male, shkëmbinj
Se s’të thinj vetëm dimri
Por dhe vjeshta të thinj.
“”””””””””””””””””””””””””””
S’do ta nis me romët poezinë,
jo se kam shkruar tepër për ta.
Për një zog, për një zog në Ukrainë,
që dashuri kush s’i dha.
Një zog për tek unë u nis, zog i mirë,
dhe një turmë zogjsh e morën pas.
Por i zuri rrugën një njeri i ndyrë,
një njeri i mbrapsht.
Sot s’do shkruaj për romet unë,
as për borën që prilli na ftohu gjer në dej.
As për vajzën që e desha aq shumë,
Vetëm për zogun dhe më s’e kthej.
“”””””””””””””””””””””””””
Atë ditë do çahen daullet,
Kur të gjithë të afrohen në valle.
Siç afrohen retë dalëngadalë në male.
Kur të vijë ora,
Që të të presin te shtëpia e dhëndrit,
Dhe mbi ty të shpërndajnë parreshtur urime.
Unë shoku yt i vjetër, në s’munda të vij dot,
Ca vargje, si zëra dasmorësh
Do të të nis me përgëzime.