4.5 C
Tiranë
E enjte, 13 Shkurt 2025

Shkruan: Akademik Flori Bruqi

SINTEZA E DËSHMIVE
Dibran Fylli”Tokë e mbjellë në varre” (Krimet serbe në Kosovë 1998/1999) , një libër dëshmi e terrorizmit, masakrimit, traumatizmit dhe shfarosjes së popullit shqiptar në Kosovë.
Nëse DanteAligeri na solli Ferrin e fantazuar me të gjitha labirintet e tij deri te rrethi i 12-të i perëndisë, në ditët tona doli një Dante i Ri, ai është shkrimtari kosovar, Dibran Fylli. Ky autor, në librin e tij me titull:”Tokë e mbjellë në varre” (Krimet serbe në Kosovë 1998/1999) na ka sjellë ferrin e vërtetë njerëzor, jo si dënesje e perëndisë për të këqijat dhe mëkatet e botës njerëzore, por ferrin e shtetarëve e gjeneralëve të Serbisë, të strukturave të ushtrisë e policisë serbe, që e ushtruan mbi popullatën shqiptare. Në këtë libër, nga faqja në faqe njihesh me skena të llahtarshme, jo të sajuara si te DanteAligeri, por reale, ku artistët që luajnë, janë: plaka, pleq, gra, burra, madje edhe fëmijë, femra e meshkuj, është një popull i tërë i vënë në kalvarin e vuajtjes e të torturës, një popull i destinuar për t’u përzënë nga trojet etnike e për t’u qitur fare me gjithçka. Është një vend, i cili u bë shkrumb e hi jo vetëm nga zjarri i predhave e bombardimeve, por edhe nga zjarri i vendosur me benzinë nga dora e shkjaut.
Kur lexon këto faqe të këtij libri nuk ka mendje që nuk luan, nuk ka sy që nuk loton, nuk ka trup që nuk rrëqethet, nuk ka qenie që nuk revoltohet, nuk ka njeri që nuk reagon dhe nuk besoj të ketë qenie njerëzore që të mos jetë e gatshme për t’u radhitur në skalionet e luftëtarëve për t’u thënë ndal këtyre kriminelëve të njerëzimit, arkitektëve të gjenocidit serb në Kosovë, apo atij çam në Greqi.Duke lexuar librin, lexuesi njihet në botën e krimit dhe nuk është më njeri, por duket si një profet që vëzhgon çfarë ndodh në atë labirint krimesh dhe i raporton zotit të tij. Lexuesi xhiron me kamerën e ndjesive, përjetimeve, fantazive dhe riprodhimeve të realiteteve monstruoze që Dibran Fylli, falë aftësive të tij psikologjike, por edhe atyre artistike i sjell mjeshtërisht në memorien tonë. Përshfaqet aty Shën Bortolemeu i Gjakovës, objektet fetare qindravjeçare që digjen, nëna që dhunohen para fëmijëve, mure të përgjakura, bajoneta që presin kopsa, çjerrin gjokse, trupa që digjen me benzinë, makina që mbushen me kufoma dhe nuk dihet ku përfundojnë, prindër që çmenden para torturave të fëmijëve e dhunimeve të nuseve të djemve, gjurmë dhëmbësh nëpër trupësa, shenja plagësh e djegiesh nëpër trupësat e femrave kosovare, sisa të prera, sy të dalë, gishta të prerë etj. Pra, këtu mund të them se shëmbëlltyrat më të këqija të Evropës të sotme. Është shumë tragjike, e paprecedentë dhe nuk mund të kapërdihet pa lënë gjurmë te çdo lexues e te çdo njeri që i thotë vetes njeri, vrasja e 22 fëmijëve të Familjes Vejsa, të Familjes Cana, Ramadanietj, masakrimi i kirurgut gjakovar Dr. IzetHimës. Këtu nuk mund të kapërdihet as dhunimi i 2019 femrave, që sot trajtohen nga shoqata “Jeta në Kastriot”nga të cilat, 124 prej tyre janë me gji të prerë e gishtërinj të këputur, 9 me sy të nxjerrë, 16 me plagë në fytyrë dhe që kanë lënë 4327 fëmijë jetimë, të cilët presin me padurim ta shohin e ta shijojnë kujdesin amësorë. Pikërisht libri i autorit Dibran Fylli është sinteza më e mirë e dëshmisë së krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit serb në Kosovë.Ai është një apel i hapur për EULEX, BE dhe për Kombet e Bashkuara për të nxjerrë mësimet e duhura, e për të vënë para përgjegjësisë çdo shtetar e shtet që kryen krime e gjenocid, për të prerë e parandaluar një herë e mirë dorën gjakatare të masakrimit, terrorizmit e shfarosjes së njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur. Në këtë libër janë trajtuar me realizëm temat psikologjike. Në këtë sprovë prej disa faqesh, autori Dibran Fylli jo vetëm se paraqitet si njohës i thellë i psikologjisë, por paraqitet i veçantë edhe si prozator. Është veçori dalluese e këtij autori pasqyrimi i proceseve e gjendjeve psikologjike të personazheve të tij artistikisht. Ky autor falë kompetencës në lëmin e regjisë, ka harmonizuar bukur me anë të fjalës artistike rrjedhën e përjetimeve dhe tablotë e mizoskenave psikologjike të qenieve njerëzore, veçanërisht kur ata janë nën presion e shantazhim, nën trysni të kanosjes me vdekje dhe shuarje jete. Autori në këtë plan mund të jetë ndër lauerantët e paktë edhe në botë të këtyre mizoskenave e të këtij areali psikologjik. Dibran Fylli me këtë libër ka sjell një kinoditar me metrazh të gjatë të traumës psikologjike të njerëzve nën dhunim e torturë. Ai me mjeshtëri artistike dhe profesionale ka sjellë në faqet e librit traumën psikologjike të një populli martir, siç është populli kosovar, ka realizuar më së miri edhe një model të rrjedhës së proceseve e gjendjeve psikologjike në kushte të veçanta specifike, në kushtet e traumës e të shantazhimit, kur luhet me jetën dhe vdekjen. Ai nuk mbetet, thjeshtë një vëzhgues i këtyre proceseve e gjendjeve psikologjike të personazheve të të gjitha moshave, por i zhbiron thellë ato, i ndjek hap pas hapi, i analizon me detaje, përgjithësisht jep dhe mesazhe profilaktike për kapërcimin e rehabilitimin e tyre. Pikërisht në këtë anë fokusohet shumë, pasi ajo çka ndodhi, nuk mund të ndalohet më as në Kosovë, as në Çamëri, por e rëndësishme është parandalimi i situatave të tilla kudo në botë dhe rehabilitimi i këtyre viktimave nga qeveria e Kosovës, Greqisë, Afganistanit, Libisë e gjetkë. Autori Dibran Fylli si specialist i fushës së regjisë profilaktike fokusohet në mënyrë të veçantë në një dukuri që është shtuar shumë në Kosovë dhe në shumë vende të botës, vetëvrasjen. Jep dinamikën e këtij procesi, analizon në thellësi faktorët që i çojnë njerëzit në këtë përfundim si dhe jep mesazhe shumë profilaktik për kujdesin dhe parandalimin e Suicidit… Analizat dhe mesazhet që jep autori janë shumë kuptimplote për çdo shtetar e qeveri. Trajtesa e këtij akti nga autori si dhe mesazhi që jep janë sa humanë aq edhe të domosdoshëm për çdo qeveri e për çdo shtetar për ta kthyer fytyrën më mirë nga shtetasit e vet dhe për ta patur prioritet mirëqenien dhe lumturinë e tyre. Me këtë kuprojmë se autori, është një analist dinjitoz i situatave e proceseve rajonale e globale dhe duke qenë i tillë, me vizionin e tij shkencor e largpamës apelon përpara organizmave ndërkombëtare për parandalimin e gjenocidit e të traumatizmit psikologjik kudo në botë. Ai i fton partnerët ndërkombëtar për të mos i anashkaluar këto trauma njerëzore, përkundrazi për t’i zbuluar, vlerësuar, hetuar, parandaluar dhe duke dënuar cilin do që shkel të drejtat universale të njeriut, qofshin individë apo shtete. Libri është një dëshmi e terrorizmit, masakrimit, traumatizmit dhe përpjekjes për shfarosje të popullit kosovar nga ana e okupatorit serb. Me shqetësimin e një atdhetari të vërtetë, me përkushtimin e një hulumtuesi serioz dhe me vendosmëri të rrallë autori Dibran Fylli ka mundur të zhbirojë thellësisht strategjinë e spastrimit etnik të Kosovës dhe të zbulojë të vërtetën e funksionimit e të veprimit të strukturave policore të sigurimit serb. Ai ka arritur të zbulojë pseudonimet, ndërtimin, funksionimin, përbërjen, drejtuesit e tyre, aksionet terroriste, masakruese e shfarosëse të civilëve të pafajshëm e të pambrojtur në Kosovë. Ky autor nëpërmjet hulumtimit, investigimit, intervistimit nga ai vetë apo të tjerë nga Europa e bota e jep të qartë tablonë e krimeve, por edhe të strukturave e autorëve të tyre. Ai ka mundur të japë një tablo të qartë për atë çka ndodhur në Kosovë para dhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s, me synim mirë të përcaktuar nga Millosheviqi dhe krerët e tjerë drejtues të shtetit Jugosllav. Autori i librit zbulon lakuriq të vërtetën mbi masakrat në fshatrat Qyshk, Pavlan dhe Zahaq… etj. Midis tjerash shkruan: “Të premten, ditën e ngrohtë me diell, më 14 maj, të vitit 1999 në një kënd të Europës dhe nën bombat e NATO-s, 41 meshkuj nga fshati Qyshk, ishin vrarë nga forcat e kombinuara militare serbe. Mosha nga 19 deri në 69 vjeç. Në mëngjesin e së njëjtës datë, forcat serbe të sigurimit kishin sulmuar dhe dy fshatra të tjerë fqinj, Pavlan dhe Zahaq, ku kishin dëbuar nga shtëpitë gratë, fëmijët dhe pleqtë dhe kishin vrarë në tërësi 72 njerëz.” Një nga personazhet e librit e rrëqethur tregon: “Me këto dy duar unë kam mbledhur eshtrat e dajave të mi, kushërinjve dhe të babait tim. Atë që kishte mbetur nga babai im, e gjeta fare në fund, por jo tërë kufomën. Vetëm disa pjesë nga trupi i tij. Nuk kam gjetur këmbët as kokën. Vetëm brinjët kam gjetur. Dhe me këto duar e kam kallur në dhe kurse, këta-serbët, këta që e kanë vrarë, ata i kanë duart e zhytura me gjak.Ata e kanë vendin në Hagë …” Duke lexuar librin e Dibran Fyllit lexuesi takon pseudonime të till si : “Frenki”, “OPG”, “Mogla”, “Munja”, “Brigada Cara Dushana” etj. Ata janë struktura të policisë, sigurimit e të Armatës Jugosllave që kanë kryer krimet më makabre që ka njohur njerëzimi, të cilët urdhrat i kanë marrë nga njerëzit e gjeneralët më të besuar të Millosheviçit. Gjithashtu emra të tillë si Dragani, Njebosha Miniq (Mirtvi), Vedamir Shalipuri, Miqo Martinoviq, Gjuro Kastratoviq, Milan Kaljeviq, Obrad Rajiqeviq etj. Kanë qenë pjesëtarë te “Munja” që kanë marrë pjesë në disa përleshje të mëdha me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës… Këta emra ishin më represivët e më të dhunshmit në terrorizimin, dhunimin, djegiet dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Kosovë, veçanërisht në Pejë, Qyshk, Pavlan, Zahaq etj. Pjesët me titujt: “Kush duhet të sjellë drejtësi në vend”, “Na duhet drejtësia sikurse plagës ilaçi”, “Spastrimi etnik dhe ndërgjegjësimi”, “Spastrimi etnik – gjenezë e një ideologjie”, “Përvoja e re, një përvojë e hidhur” etj, tregojnë vizionin e këtij autori, i cili e lejon atë të nxjerri përfundime me vlerë si dhe të japë mesazhe paqe e lirie jo vetëm për Kosovën e kosovarët, por për të gjithë popujt e vendet e botës. Përvoja e fituar dhe ndërgjegjësimi i plotë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë e atë Çam në Greqi përbëjnë pika kyçe orientimi, por edhe bazamente të forta përvoje për parandalimin e këtyre krimeve e gjenocidi kudo në botë. Për nga larmia e tematikës, galeria e personazheve, mënyra e pasqyrimit, analizat e holla e të thella, hulumtimi serioz, të dhënat e njohuritë si dhe deduktimet e mesazhet që jep libri i autorit Dibran Fylli, përbën një nga librat më të arrirë e shumë interesant, nga i cili kushdo mëson. Ai mbetet një thesar krijimtarie dhe meriton të zë një vend nderi në bibliotekat e gjithë shqiptarëve kudo që punojnë e jetojnë, e më gjerë. Ky libër shtroi “trasenë” e krijimtarisë së regjisorit, letrarit, poetit Dibran Fylli , i cili nevojitet, të pasurohet gjithnjë e më shumë, me krijimet e autorëve shqiptarë nga të gjitha trevat e viset, ku banojnë e jetojnë. Krime këta që as mendohen, në realitet, kanë ndodhur dhe dëshmojnë çdo ditë para Evropës e botës. Ja sepse s’ka kohë për pritshmëri, s’ka asnjë mëdyshje dhe s’ka pse të ketë asnjë hezitim nga Tribunali i Hagës për të hetuar dhe vënë para përgjegjësisë autorët e këtyre krimeve. Nuk ka arsye të heshtet, të anashkalohen qoftë edhe ata që i kanë kryer, pavarësisht nga ata që i kanë urdhëruar. S’ka asnjë arsye që të heshtte e të anashkalohen veprime e qëndrime vandale e shoviniste që shfaqen hera-herës nga serbët në Kosovë dhe grekët me shqiptarët. Qoftë edhe raste të shkëputura duhen vlerësuar me rigorozitet, hetuar dhe parandaluar në kohë. Kjo nuk është histori e trilluar, është realitet dhe është shkruar me qëllim që të jepet një shpjegim i zbulimeve, të cilat janë bërë përmes projektit “Gjenocidi i forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, 1997-1999) i iniciuar dhe i mbështetur nga Presidenti Akademik Prof. Dr. Skendër Kodra, Ph.D, Drejtori i Departamentit për marrëdhënie me publikun(Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, Ph.D) i Akademisë së Shkencave dhe Arteve ShqiptaroAmerikane në NewYork, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup dhe i shkruar nga autori Akademik Prof. Dibran Fylli, nga Kosova, nga korriku 1997 deri në qershor të vitit 1999 si dhe hulumtimet tjera të tij në këto 20 vitet e fundit si regjisor filmi dhe letrar për viktimat civile, varrezat masive, vrasjet makabre që i ka bërë ushtria, polica e paramilitarët serb në Kosovë. Dihet mire që Kryeprokurorja Karla Del Ponte/GJND, i dërgoi raportin e parë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në nëntor të vitit 1999, në lidhje me gjetjen dhe vendndodhjet e varrezave masive, ku vetëm gjatë gjashtë muajve të parë ishin zbuluar 195 varreza masive me 2 108 kufoma. Në vitin 2000 ishin regjistruar edhe 325 varreza masive me 1 577 të vdekur. Arsyeja e dytë për këtë projekt është mungesa e hetimit të krimeve ligjore penale për vrasjet e më shumë se 10 600 civilëve dhe mungesa e pranimit zyrtar nga ana e UNMIK-ut, Eulex-it, Republikës së Serbisë ndaj familjeve në lidhje me atë që u ka ndodhur të dashurve të tyre, nga janari i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Arsyeja e tretë dhe ndoshta më e rëndësishmja është se shpresoj që ky libër të mund të shfrytëzohet si bazë e një përpjekjeje për të ringjallur procesin e pajtimit dhe të faljes që UNMIK-u, Eulex-i pretendon se e kishte iniciuar në vitin 1999/2000. Nga zbulimet e z. Dibran Fylli, më duket se ekziston një vijë e kuqe nga viti 1989 deri në vitin 1999, gjë që i tregon qartë ndërlidhjet në të gjitha veprimet që ndërmorën autoritetet serbe në Kosovë, kundër popullatës shqiptare, shumicë në Kosovë. Kjo gjithashtu mbështetet qartazi nga informacioni i zbuluar gjatë dëgjimit gjyqësor në Hagë për rastet e krimeve të luftës kundër ish presidentit të Jugosllavisë Sllobodan Milosheviç dhe zyrtarëve të tij të policisë dhe ushtrisë. Më 26 shkurt 2009, këta ish-zyrtarë policorë dhe ushtarakë të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë u dënuan nga Dhoma e III e Gjyqit të Gjykatës për krimet e bëra kundër njerëzimit në Kosovë, në vitin 1999:
1. Ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Nikola Shainoviç,
2. Gjenerali i Armatës Jugosllave, Nebojsha Pavkoviç,
3. Gjenerali i policisë serbe, Sreten Lukiç, secili prej tyre u dënua me nga 22 vjet burgim për krime kundër njerëzimit dhe për shkak të shkeljes së ligjeve ose zakoneve të luftës.
4. Gjenerali i Armatës jugosllave,Vlladimir Llazareviç, dhe
5. Shefi i Personelit të Përgjithshëm, Dragoljub Ojdaniç, u gjetën fajtorë për ndihmën dhe nxitjen e kryerjes së një numri krimesh të dëbimit dhe shpërnguljes së dhunshme të popullatës shqiptare të Kosovës, dhe secili nga ata u dënua me nga 15 vjet burgim. Prokuroria i fajësoi që të pestë për krime të bëra gjatë fushatës së terrorit dhe dhunës së drejtuar kundër popullatës etnike shqiptare të Kosovës, në fillim të vitit 1999. Secili nga të akuzuarit kishte pohuar se kishte marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, qëllimi i së cilës ishte të modifikonte ekuilibrin etnik në Kosovë për të siguruar vazhdimin e kontrollit nga autoritetet serbe. Plani duhej të ekzekutohej me mjete kriminale, duke përfshirë internimet, vrasjet, dëbimet dhe përndjekjet e detyrueshme të shqiptarëve të Kosovës. Gjatë verës së vitit 1999, pas tërheqjes së forcave policore dhe ushtarake serbe, UNHCRja mori raporte të shumta për trupat e vdekur që gjendeshin në puse dhe në varreza masive gjithandej në Kosovë. Pas disa muajsh ndihmë me rastet e viktimave të puseve, u zbuluan një sërë veprimesh kriminale të bëra kundër fëmijëve të pafajshëm, burrave dhe grave. Autori Akademik Prof. Dibran Fylli, për aq sa ka qenë e mundur, është përpjekur të sqaroj pothuajse të gjitha masakrat serbe ndaj shqiptarëve që janë bërë në Kosovë (1998-1999); se çfarë ka ndodhur me viktimat e gjetura në puse dhe në varreza masive nëpër Kosovë e Serbi. Autori ka biseduar dhe ka takuar dëshmitarë, farefisin dhe fqinjët e viktimave. Shumë nga këta kanë folur haptazi për përvojën e tyre dhe kanë dhënë shpjegime, të cilat i kanë argumentuar me fotografitë e asaj që kishte ndodhur. Të tjerët ishin emocionalisht jo të qëndrueshëm ose dukeshin shumë të frikësuar për t’i paraqitur vëzhgimet e tyre lidhur me vrasjet. Aq sa ishte e mundur, bisedat me dëshmitarët janë paraqitur në formën e tyre origjinale si dhe autori ato gjurmime i ka filmuar dhe disa syresh janë të edituar në RTK. Kjo është bërë me qëllim që herët apo vonë me synim të qartë që Libri i akademik Fyllit të jetë sa më besnik, e mundur ndaj fakteve dhe gjurmëve historike. Disa konsiderime të nevojshme u janë kushtuar termave gjuhësore dhe paraqitjes, por sa më pak që ishte e mundur. Në këtë mënyrë studiuesi (lexuesi) është në gjendje të formojë mendimin e tij për atë se çfarë ndodhi, pikërisht ashtu siç bëri autori, në xhirimet e tij televizive gjatë dhe pas luftës. “Përparësia” e tij ishte se ai kishte parë me sy shumë krime makabre që i kishin bërë forcat serbe ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare si dhe autori kishte në mendje procesin e gërmimit dhe verifikimit të rasteve të vrasjeve të shumë civilë shqiptar, që i kishin bërë me pushkatim policia dhe ushtria Jugosllave.
Libri siguron shumë informacione lidhur me këtë, por nuk kalon nëpër zbulimet e detajuara fizike “trup për trup”. Kjo ndoshta do të bëhej e mërzitshme për lexim, dhe njerëzit, të cilët janë posaçërisht të interesuar, mund të konsultohen me raportin e projektit të ndihmës dhe librin e tij. Gjithashtu autori ka kufizuar përdorimin e fotografive të trupave të vdekur, sepse një përdorim i tepërt i fotografive të tilla, në vend që të nxisë interesim dhe keqardhje, aktivizon mekanizmat mbrojtës dhe krijon distancë. Ky libër do t’u japë një identitet shumicës së viktimave (pushkatimeve), vrasjeve në puse si dhe viktimave të varrezave masive, një emër me të cilin lexuesi mund të lidhet – jo vetëm statistika, të cilat nuk thonë asgjë për tragjedinë njerëzore prapa shifrave. Në Kosovë, është traditë që të respektohet i vdekuri, duke ia vendosur fotografinë mbi varrin e tij, nëse është e mundur, dhe njerëzit në Kosovë janë të interesuar në një lloj “pllake përkujtimore”, siç e paraqet edhe ky prezantim. Fatkeqësisht, mjaft viktima në Kosovë, deri më tani kanë mbetur vetëm si numra në statistikat e Kombeve të Bashkuara dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës, në Hagë. Të afërmit e viktimave janë të bindur se ajo që ndodhi faktikisht në Kosovë gjatë periudhës janar 1998, deri në qershor 1999, duhet të dokumentohet dhe publikohet në forumet ballkanike dhe ndërkombëtare. Ata do të ndjeheshin se u është bërë një padrejtësi e madhe, nëse vuajtjet dhe vrasjet, të cilat ishin fati i aq shumë shqiptarëve të Kosovës, vuajtje të cilat më vonë u ekspozuan si akte kriminale, po tëmbeteshin të panjohura për opinionin e gjerë. Me kalimin e kohës, për autorin Dibran Fylli është bërë e rëndësishme të mos ua kthej shpinën përvojave të tij. Pas tragjedive shpesh do t’i dëgjoni njerëzit të thonë, “kanë ndodhur aq shumë gjëra sa që është e vështirë të fokusoheni në raste specifike”.
Përderisa e pranojmë se ne as nuk mund të dokumentojmë, e as të marrim tërë të keqen në botë, ndoshta na duhet të fokusohemi në këtë rast, në rastin e Kosovës. Vrasjet, dhe në shumë raste përdhunimet dhe gjymtimet, të cilat ishin bërë, meritojnë vëmendjen tonë, sepse këto raste paraqesin shembuj shumë të qartë të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut. Sipas mendimit tim, këto raste duhet të përfshihen në procesin e pajtimit që duhet të ndodhë midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, më mirë më herët se sa më vonë. Shpresa ime është që ky dokumentim të mund të jetë një pjesë e një baze të projektuar për të iniciuar një qasje ndaj pranimit të padiskutueshëm të asaj se çfarë ka ndodhur, gjatë procesit të pajtimit dhe faljes midis palëve, të cilat kanë qenë fqinjë me shekuj. Për më tepër, shpresoj që puna e autorit Fylli të mund të shfrytëzohet për të iniciuar një proces të shumëpritur hetimor dhe ndjekjeje penale ndaj autorëve të krimeve të luftës, gjë që do të kishte mundësi të kombinohej me një Komision të së Vërtetës, i ngjashëm me atë që ishte bërë në Afrikën Jugore pas shfuqizimit të ligjit të aparteidit. Me qëllim që të kalohet në procesin e paqes, pranimi ose njohja nga të gjitha palët, janë fjalët kyçe; pa pranimin, nuk do të ndodhë kurrfarë zhvillimi ndërnjerëzor, dhe qëndrimet e vjetra si dhe krijimet e miteve do të vazhdojnë të dominojnë marrëdhëniet e ndërsjella. Të gjitha të dhënat dhe informacionet në këtë libër, i cili ka të bëjë me viktimat civile, janë hartuar pas kontrollit dhe verifikimit të të dhënave të KNKK-së, GJND-së në Hagë, Qendrës Juridike Humanitare në Beograd, UNMIK-ut/OMPF-së në Prishtinë, dhe OSBE-së në Prishtinë, KMDNJ-së e Burimeve shtesë të autorit janë hulumtimet dhe intervistat e bëra nga vetë autori prej vitit 2001 deri më 2004 dhe nga 2006 deri më 2009.
Emrat e autorëve të krimeve mund të gjenden gjithashtu në secilën komunë, nëregjistrat që i kanë degët lokale të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) dhe OJQve lokale që merren me viktimat e luftës në periudhën 1998-1999. Autori Dibran Fylli, ka shfrytëzuar të njëjtët emra gjeografikë si edhe burimet si p.sh. KNKK, UNMIK-u /OMPF, HLC dhe tjera organizata që kanë vepruar në Kosovë. Kjo është e nevojshme të bëhet me qëllim të sigurimit të kontrollit të informacioneve dhe të të dhënave, të cilat paraqiten në librin e tij. Datat për disa ngjarje mund të paraqiten ndryshe nga ajo që bëhet normalisht, p.sh. nuk ka datë ose vend të saktë, sepse trupat e vdekur janë gjetur dhe identifikuar nga ekipet e mjekësisë ligjore të GJND-së nga njësitet OMPF-së gjatë një periudhe dhjetëvjeçare (1999-2009), kur nuk dihet asnjë datë vdekjeje ose zhdukjeje. Kriminelët serbë kanë përdorur taktikë djallëzore dhe të ligë, duke i zhvendosur viktimat nga vendet ku ishte kryer krimi në vende të tjera, shpesh shumë larg, me qëllim që të maskohet, ose të vështirësohet gjetja dhe identifikimi i trupave të vdekur. Kjo metodë ishte përdorur në gjithë periudhën e luftës nga janari 1998 deri në qershor 1999. Nga janari 1998 deri qershor 1999, kur dhe ku forcat ushtarake, paraushtarake, policore dhe milicia civile e terrorizuan popullatën civile të shqiptarëve të Kosovës me aksionet e tyre vrasëse dhe shkatërrimtare. Dokumentet tjera tregojnë se kur dhe ku janë gjetur viktimat pas datës 20 qershor 1999, kur zyrtarët e KFOR-it dhe të UNMIK-ut kishin kontroll të plotë në Kosovë, pas tërheqjes së njësive të ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova. Të gjithë trupat e gjetur dhe të identifikuar nga janari 1998 deri më 20 qershor 1999 mund të gjenden në një vend ku janë bërë krimet, ose një vend ku trupat e vdekur janë gjetur në varreza masive, ose vendin ku viktimat kanë lindur ose jetuar.
Të gjithë trupat e gjetur dhe të identifikuar pas 20 qershorit 1999 mund të gjenden në dokumentin e regjistrimit te atyre viktimave, për të cilët data e vdekjes ose zhdukja është e panjohur.Varrezat masive të regjistruara në Serbi, ku janë gjetur të paktën 836 civilë shqiptarë të Kosovës të detyruar fizikisht dhe të terrorizuar në shtëpitë e tyre nga ana e forcave ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe, në sulmet e tyre në fshatra, në periudhën shkurt-dhjetor 1998, të regjistruar nga UNHCR-ja. Këto organizime ushtarake dhe policore ishin makineria e terrorizimit gjithëpërfshirës dhe vrasjeve të rrëmujshme të civilëve shqiptarë të Kosovës, që përfundimisht i detyruan ata ta linin Kosovën. Afro 1 milion civilë dhe rreth 500 000 të tjerë u detyruan ta kalonin kohën të fshehur në pyje dhe male. Ky projekt nuk do të mund të realizohej pa pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse dhe aktive të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane, posaçërisht autorit Dibran Fylli , që përgatiti materialin mbi viktimat e luftës…
Prof. Dr. Flori Bruqi
Drejtori i Departamentit për mardhenie me publikun
i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane
në New York, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.