21.5 C
Tiranë
E premte, 17 Prill 2026

Shkruar nga (Baki Ymeri,

BIZHUTERI MËRGIMTARE PËR DASHURI DHE ATDHETARI

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Poezia është çelësi i universit, shprehja e bukurisë, e lirisë dhe e mrekullisë. Me këtë libër të ri (me dy autorë), Zt. Ajet Shala vjen në një festërim të përbashkët të erëtimës së fjalëve të gërshetuara me dashuri dhe sentimente tjera të zgjedhura. Fjalët janë ilaç i mirë për shpirtin dhe ushqim i mirë për ndjenjat. Shpirti i fjalëve nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekstet e këtilla lirike që përfaqësojnë shpirtin shqiptar të një poeti të jashtëzakonshëm.

Ajet Shala është një poet i mirëfilltë, një zë i sinqertë që synon të zgjojë kureshtjen tek lexuesit dhe admiruesit. Tekstet e tij në faqet e Facebokut, si dhe në disa revista letrare, janë të këndshme, mbresëlënëse dhe magjepsëse. Diskursi lirik është modern dhe i drejtpërdrejtë. Një univers hijesh të heshtura me këmbana të dhimbjes, me mallin e emigrantit dhe sprovat e jetës, si dhe me  periskopin e sugjerimit që noton në sipërfaqe. Një mister i ndjenjave të mëndafshta të butësisë janë cilësitë që dalin nga të gjitha vargjet e këtij vëllimi, të titulluar në mënyrë sugjestive „Në krahët e dritës”, një shpërndarje spontane ngjyrash dhe tingujsh, një këngë e qartë, e pastër si vesa, si loti i reve, si dëbora e parë që e mbron grurin.

Poezitë e Zt. Ajet Shala janë një art meditues i relaksuar, një kinema e vogël lirike që përpunon dhe pasqyron realen. Është detyra e çdo poezie të bëjë punën e saj të lindjes. Kjo fytyrë (maskë) e re e reales, është dëshira e autorit për utopi, nga e dukshmja në të padukshme, nga trupi në shpirt. Është një opium, dhe poeti është arketipi, origjinali, dorëshkrimi dhe shkrimtari. Gjithçka është e gdhendur në gjakun e tij. Një lirikë transparente, që legjitimon aktin e krijimit si një akt përjetimi real dhe emocional, aspak i simuluar apo i falsifikuar. Një dëshmi e qartë se poezia është prona e autorit, e jona dhe e të gjithëve: Me djem trima shtatin lisa/ N’dorë të tyre valon flamuri/ Përmbi maja ndalon shqipja./ Syrin pishë, me zemër burri. (Kopiliq, kala mbi kreshta).

Kjo lloj poezie do të na çojë te burimet e lirizmit, te lëvizjet e saj të brendshme, te pulsi i saj autentik. Kjo lirikë huazon të gjitha atributet e gjakut. Poezia është dashuria që rrjedh nga shpirti si një kaskadë ndjenjash e përhapur në faqet e bardha. Është malli që buron nga thellësia e zemrës dhe zjarri përvëlues. Ka disa rregulla të arta për një edukim të shëndetshëm dhe një jetë të ekuilibruar, pas së cilës lindin vepra të denja për t’u lexuar dhe admiruar. Gjatë gjithë evolucionit të tij historik, njeriu është lidhur me natyrën, me të cilën ka pasur lidhje komplekse, të pasqyruara padiskutim në të gjitha hipostazat e jetës së tij shpirtërore:  Për atdheun të presësh nga dikush me shpresë/ Kur për lirinë s`bëri mund, s`derdhi gjak as djersë./ Është njëlloj si të shtrihesh nën hijen e një lisit./ Dhe të presësh të pikë dardhë apo pjeshkë pranë plisit. (Dhëmbët e shpresës).

Një vëllim i ri krijon gjithmonë burimin e një lumturie të madhe. Ai përfaqëson çastet më intime që i ka përjetuar autori, rrëfimet më të thella dhe mendimet më të larta të tij. “Mos prit të të jepet diçka prap, mo sprit të të njihet mundi, të të zbulohet gjeniu, të të kuptohet dashuria! Mbylli disa etapa! Jo nga mburrja, nga pamundësia apo krenaria. Mbylle derën, ktheje diskun, fshije pluhurin dhe pastroje shtëpinë! Mos mendo më se kush ishe, por shndërrohu në atë që je!”, thekson Paulo Coelho në njërën nga veprat e tij. Nuk na merr, ndërkaq, shumë kohë, të kuptojmë se kush është Ajet Shala: një shpirt i mbushur me dashuri, që ia ka dhurruar dashurinë të afërmve dhe atdheut të tij, kaq shumë i përbujshëm dhe kaq shumë i përçarë.

Poemat e Ajetit nuk janë as telonovela, as shqetësime të shkruara, por ato janë një filozofi e jetës, mendime lirike dhe fisnike mbi një jetë të përbujshme kosovare, mërgimtare dhe atdhetare. Jeta në lirikën tij kaplon dimensione reale dhe emocionale. Poezitë e Ajetit janë produkt i përpunuar i një mundi të sinqertë. Në to shpërthen një gurrë e kristaltë përjetimesh të mëdha shpirtërore, sidomos falë përvojës së një jete që e përshkojnë dallgët e shqetsimit dhe lumturisë. Autori i këtyre vargjeve, ka arritur në një mënyrë kaq sublime, të gërshetojë nytyrshmërinë me ndjenjat e zjarta të atdhetarizmit dhe dashurisë, aq saqë disa tekste të tij shëmbëllejnë me një pikturë vlerash të veçanta artistike. Një vepër arti që vlen të lexohet faqe për faqe, sepse libri është një burim ujërash të bekuara, e jo një pemë që tenton t’ia lëmosh vetëm lëvoren, pa ia shijuar frytet.

Çdo poezi e lexuar duket se është një hazard, respektivisht një ngjarje e papritur. Diçka që të mbush me shqetësim apo gëzim, një papritshmëri e bukur sa i përket formës. Kur vjen fjala për përmbajtjen, që i tejkalon pritjet tona, së bashku me domethënien, jemi të befasuar me shkrepje fjalësh direkte, të ashpra dhe simpliste. Para nesh kemi edhe një gamë shprehjesh elegante që i japin një domethënie më të thellë diskursit lirik. Në tekstet e tij, pos talentit dhe llojllojshmërisë së motiveve, del në pah edhe bujaria dhe qëndresa e trimërisë shqiptare: U rrënuan njëri pas tjetrit tre muret e kullës së bardhë./ I katërti shtatprerë rri vertikal, bash përballë me sokak./ Pullazin ia kishte djegur dora mizore e shkjaut barbar/ E lahuta rënkon, s`mund të rrijë mbështetur mbi oxhak. (Rënkimi i lahutës).

Dhuntia e tij lirike gërshetohet me një kulturë dhe edukatë të shëndetshme, duke joshur kështu edhe vëmendjen e lexuesit të huaj ndaj një lënde poetike që mbahet mend. Ajet Sahla dëshmon përmes këtij vëllimi me dy autorë të jetë një shërbestar besnik i penelit të shenjtë, duke i ofruar lexuesit bizhuteri kosovare mbi dashurinë dhe vdekjen, mbi heshtjen dhe mosheshtjen, mbi një botë emocionesh të gjalla, duke patur, përndryshe, një qëndrim ferm ndaj jetës, me vargje prekëse, aktuale, dhe herëpashere të dhimbshme: Me ethe të virusit fillikat jam në karantinë/ Nga Convid 19 izoluar mes muresh të thara/ Prushi i mallit ma ringjallka nostalgjinë/ E unë bëhem hije e ëndrrave të bardha. (Hija e heshtjes). Ka edhe shumë për të thënë për poemat që Ajet Shala na i vë në disponim, por tani ua lë juve të zbuloni valencat e shumëfishta të fjalëve të tij. Merrni si shembull duke medituar gjatë mbi këto vargje, ngase, siç thot Friedrich Nietzsche në  librin Tejmatanë mirësisë dhe ligësisë”: „Jo forca e ndjenjave të mëdha i bëjnë njerëzit të famshëm, por vitaliteti dhe jeta e tyre.

Lidhja e pazgjidhshme me natyrën, në format e ndryshme të shfaqjes dhe paraqitjes së saj, në të gjithë diversitetin e saj gjeografik dhe historik është materializuar në veprat e artistëve të konsumuar nga pasioni i krijimit të të gjitha kohërave. Natyra është tempulli në të cilin njeriu jeton, në të cilin ai hap shpirtin e tij, në të cilin lutet, dashuron, mediton dhe rimbush shpresat e tij. Nëpërmjet veprave të tyre, artistët përpiqen t’i kthejnë natyrës dritë, ngrohtësi, parfum, dashuri.  Ajet Shala është poeti i natyrës që e di se lumturia është arti për të mos mbajtur asnjë kujtim të një gjëje të pakëndshme që ka ndodhur. Fjalët në ndërgjegjen e poetit janë një lloj hijesh të arta. Luajnë dhe elektronet pasqyrohen në vargje përmes temës dhe kallëzuesit: një lloj tingulli ekuivalent i materies, por edhe i kaluar nëpër ekranin e ndërgjegjes. Si objekt i letërsisë, ndjenja e natyrës evoluon në tre komponentë kryesorë: përshkrues, meditues me anën e saj nostalgjike dhe fantastike, që shpreh lirinë totale në krijim të veçantë për romantikët. Natyra është një lirë e madhe mbi të cilën këndon poeti: N’Fushë të Llazit rrezja ndrit/ Dorë më dorë të ledhaton./ Më të mirët djemt Shaljan/ Kokën lart besnik qëndron. (Kopiliq, kala mbi kreshta).

Fjalët e poetit janë pluhur yjesh dhe dritë magjike që tregojnë ndjenjat e brendshme. Aty është shiu, pasqyra, e bardha totale. Poezia është pothuajse po aq e rëndësishme sa historia. Dallimi mes historianëve dhe poetëve është se të parët shkruajnë prozë, ndërsa të dytët vargje. Të parët përshkruajnë gjërat që ishin, të dytat punët që mund të bëhen. Për shkak të kësaj, poezia është shumë më filozofike dhe më e rëndësishme se historia, sepse pohimet e saj janë të një natyre shumë universale dhe shumë të veçantë të historisë. Poezia duhet t’i lërë përshtypje lexuesit sikur fjalët e saj të ishin mendimet e tij ose pothuajse një kujtim i jetës së tij: U rrënuan njëri pas tjetrit tre muret e kullës së bardhë.

I katërti shtatprerë rri vertikal, bash përballë me sokak./ Pullazin ia kishte djegur dora mizore e shkjaut barbar/ E lahuta rënkon, s`mund të rrijë mbështetur mbi oxhak. (Rënkimi i lahutës).

Ajet Shala është një ndërgjegje e madhe poetike. Poezia e tij dallohet nga reflektimi i thellë, vazhdimisht polemizues, i vendosur në botë, si dhe në universin e brendshëm. Autori na jep tekste të një cilësie të jashtëzakonshme. Poezia e tij është një hapje drejt bukurisë, thellësisë, risisë dhe hyjnisë. Zoti Ajet nuk është poeti i habisë apo i heshtjes. Ai është poeti i dashurisë dhe atdhedashurisë, një dhuratë hyjnore me një buzëqeshje kerubini. (Baki Ymeri, Dimër, 2021)

“”””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””Mund të jetë një imazh i libër

Poezi te shkruara nga

Ajet Shala

 

HIJA E HESHTJES

 

Me ethe të virusit fillikat jam në karantinë 

Nga Convid 19 izoluar mes muresh të thara 

Prushi i mallit ma ringjallka nostalgjinë 

E unë bëhem hije e ëndrrave të bardha.

 

Në orët e ditës heshtja merr memecërinë 

Hija e fjalës së pathënë ngre ujëvara shpirti 

Vdekja e ftohtë sikur troket pa mbarim 

Vargun e mbajtur peng do e marr si filizi.

 

Do e bëjë abazhur të shndrisë natën e parë 

Për lotin tënd kristalor dikur derdhur në Kala 

Heshtjen e varrit e thyen ajo fjalë e rpa thënë

Është kurorë dashurie e ngrirë në çdo damar.

 

NËN HIJEN E PLISIT

(Kushtuar Babait)

 

Mes rrudhash të babait të shtrenjtë

Lundrojnë nëntë dekada krenarie.

Në ugare kullon djersa si vesë

E ndwr vite mbillet farë e florinjve.

 

Nën hijen e plisit borë të bardhë

Currili nuk ndal kurrë gurgullimë

Rrodhi djersa si rrëkeja në ujëvarë

Rrjedh lumi që freskon ardhmërinë.

 

U zgjuan krismat e luftës së gjatë

Në shtigjet e zymta të sfidave

Mbete dëshmitar i historisë së pafat

Ndër fushëbeteja, si mes vetëtimave.

 

Nga mermerët e reja u zgjua liria

Hapi krahët dhe bijtë e saj përqafon

I miri baba merr urime me mijëra

Me bastunin drejt yjeve heronjtë numëron.

 

Në vitet e tua përherë e prekëm jetën.

Preka ëndrrën e re që nesër do të kem.

Gjithë lulet e bardha që mbushin degën

Për ty të bëhen fruta në çdo mëngjes.

 

Për ty thuren ditëve sa e sa urime

Që gdhenden tek kujtesa kohë pas kohe.

Në ditët që prekën fëmijët nëpër vite

Me ty morën krahë të fortë shqiponje.

 

SHANDANËT E DHIMBJES

 

Si një kalorës i vonuar erdha mbi kalin e çalë

Ishe hapi i dhimbjes së bardhë në hullitë e ferrit të egër

S’i ndihej tringëllima para portës së kalasë

Vetëtimat e ndjenjës shkrepën fotografi në zemër.

 

Yllnajave në veshët e shurdhër kaherë ju pëshpërtita

U tretën ëndrrat e bardha në qiellin e trishtë

Pa u zgjatur duart e lamtumirës kur niste dita

Nën qerpikët e dhimbjes u fikën shandanët e dashurisë.

 

Dora më dridhej tek kërkoja dritën në udhë.

Kur dhe dielli ishte fshehur pas reve të zeza sterrane

O jetë shandanin e dashurisë mos ma fik kurrë

Bëmë njeriun që betohet për fjalën mentare.

 

RËNKIMI I LAHUTËS

 

U rrënuan njëri pas tjetrit tre muret e kullës së bardhë.

I katërti shtatprerë rri vertikal, bash përballë me sokak.

Pullazin ia kishte djegur dora mizore e shkjaut barbar

E lahuta rënkon, s`mund të rrijë mbështetur mbi oxhak.

 

Oborrit të mirë s’i mungon vetëm kulla me gurët e bardhë

I mungon zjarri se oxhaku u shemb në rrokullimë.

Mungon hija shekullore dardhës së djegur gjysëm të tharë.

I mungon dhe qeni besnik, se hijenat Karpate e patën vrarë.

 

Kishin djegur tonelata grurë e misër në kosha e hambarë.

Kishin djegur shtëpinë dhe gjithçka ishte në oborr.

Lopës duke pjellë ia hodhën plumbat në ballë

E kush tjetër mund ta bënte vetëm se dorë e shkjaut barbar?

 

E lahuta mes plagësh mes psherëtimave vetëm rënkonte.

E teli sikur ka njomur me gjakun e freskët çdo lule lëndine.

Po kulla është prapë e fortë e dotë jetë e tillë në mote

Në dritaret e saj vjen historia e vrullshme me gjëmime.

 

PËRBALLË VIRUSIT

 

Ah, Atdheu im i dashur mbaju qëndro vertikal si rrap bjeshke

Prek majat e virgjëra në hapësirën kaltroshe prek rreze lirie

Qëndrove i pathyer ndër shekuj s’u përule në jetë të jetëve.

E degët e tua nuk u përkulën në dallgë historie.

 

Sheshet, parqet, rrugët jan zbrazur, po nga dritarja preken.

S`preken xixëllonjat e lulet me duart e fëmijërisë.

Janë mbyllur çerdhet, lodrat kanë mall për hapat e të vegjëlve.

Heshtja e shkumësit i ka dhënë shkollave shurdhërimë.

 

Të prek nga largësia, ta ndiej dhimbjet e plagës së hapur.

Edhe pse jam i mbyllur mes muresh të ftohta në largësi.

Mendjen s’e kam tek vetja, as tek familja ime e dashur

Gjithçka ke të mirë e të ligë, unë, biri yt, ti mbaj në gji.

 

Të luftojmë së bashku ta mundim armikun e paparë.

Vrastarin dinak së bashku me kokën lart do e dëbojmë.

Do ia kthejmë gazin shkollave, teatrove, lisave të lartë

Dëshmorëve lule të freskëta prap do ju dërgojmë.

 

Atdheu im, mos e vraj mendjen për neve mos mbaj as zi

Jemi të gjithë edhe më shumë në numër me lindjet e reja.

Të betohemi se në pragjet e tu do të kthehemi sërish.

Të ndiejmë e të këndojmë si në betejat e reja.

 

“RRI N`SHPI”

 

S`meriton për besë, kjo botë këtë kalendar të ri jete.

Ndonëse stinët rrjedhin, përherë lënë gjurmë mbi supe.

Dhjetra mijëra dashuri po shuan kohë e zezë  me vdekje.

Kufomat presin arkëmortet pa këmbana e pa tufat me lule.

 

Stinët lidhur doradorë bëjnë kurora në vallen e një djalli.

Edhe sa mijëra të pafat presin në radhë askush s’e di.

Jemi në skenat e Hamletit, tërrorr ku kërruset dhe mali

Jemi në arenat e dhimbjes më bajlozët e mortit Pandemi.

 

Jami ballë ëndrrash të vdekura larg jetës së lumturuar

Detyrimisht “Rri n`shpi” apo i vetëizoluar në karantinë

S’dihet sa fatzinj presin duart e lamtumirës drejt amëshimit

Në vend të lirisë se qiellit, blerimi na sjell mërzinë.

 

Presin parqet e lodrave gjyshërit e fëmijët e lumtur

Presin malet e brigjet hapat, detet e udhëtarëve

E ne ah, mes muresh të ftohta jemi futur

Në pritje të një jete ku të hapen kanatet e dritareve.

 

KËMBANA E DHIMBJES

(Yllit të Skenës Rikard Ljarja)

 

Sot të gjitha plagët mbajnë vetëm një emër, Rikard

Zambakët e bardhë lotojnë nën rrezatimin e hënës.

Në Kalanë e Rozafës skalitesh, si gur i art

Emocioni, ndjenja dhe krenaria na vënë mes ëndrrës.

 

Në fushën e artit buzëqeshjen skenike ti rrezaton

Erërat e forta zgjohën, shkundin kujtimet e mira

Sikur dëgjojmë ende fjalën tënde që cicëron

E atë zë nuk e shuan as dimri i gjatë me ngrica.

 

Me ylberin e artit pushtove gjithë zemrat shqiptare

Shkronjat e mësuesit lartësove bukur në piedestal

Dedë ku je, sikur piskojnë gjamat bjeshkatare

Me qerpikët e dhimbjes qiparisët nxjerrin lotin kristal.

 

Lamtumirë Rikard, dimrat na pëshpërisin në vesh

Për ty sot zemrat këmbojnë si këmbanat e deteve

Do mbetesh piktor kujtimesh të bardha mes nesh

Si shandan i ndezur do ndrish në jetë të jetëve.

 

Në sytë tanë sot zgjohet dhimbja dhe mirënjohja

Zërat e dritës se artit dëgjojmë në fushën e skenës

Fjala jote e ëmbël njihte vetëm gjuhën që ka toka

Vajton era nën qiellin me re, në palcë të pranverës.

 

Ra ora e diellit në horizontin e lartë të artit

Në xhepa zemrash zgjove këmbanën e simfoninë

Mjalti i shpirtit të bëri zog mes dallgëve sa mali

Në hambarët e zemrave tona ti përherë trokëllin.

 

KUJDES !

 

Për vendin mund të thuhet se është në rrezik

Kur poshtërsia keqbërëse bëhet zot konaku

E amanetet e heronjve hidhen në greminë

Dhe ëndrrat e tyre vyshken tek pragu.

 

DHËMBËT E SHPRESËS

 

Për atdheun të presësh nga dikush me shpresë

Kur për lirinë s`bëri mund, s`derdhi gjak as djersë.

Është njëlloj si të shtrihesh nën hijen e një lisit.

Dhe të presësh të pikë dardhë apo pjeshkë pranë plisit.

 

KOPILIQ –

KALA MBI KRESHTA

 

Kur të thërras më rritet zemra

Me një zë që vjen nga bjeshka

Tek ti vjen kaherë pranvera.

Kopiliq, kala mbi kreshta.

 

N’Fushë të Llazit rrezja ndrit

Dorë më dorë të ledhaton.

Më të mirët djemt Shaljan

Kokën lart besnik qëndron.

 

Sjell një ehoo lart nga bjeshka

Kur nis këngë, gëzohen kullat

Në Jutbinë po zgjoj shkrepa

Kur n`lahutë këndojnë burrat.

 

Me djem trima shtatin lisa

N’dorë të tyre valon flamuri

Përmbi maja ndalon shqipja.

Syrin pishë, me zemër burri.

 

Armët n’dorë gati i kanë

Kur Ballkanin mbuloi zija

Bijtë e tu therën Sulltanë.

Për ta shkroi dhe historia.

 

Valë t’u bëfsha në breg lumi

Ku rrjedh kroi nën lajthi

Ballë mullirit bluhet gruri

Kopiliq, ooo t’mbaj në gji.

 

Qofsha ujë n`burim, për trima

T`freskojn ballin ngurrë të bardhë

Nderuan kullat mbrojtën pragjët

Çdo anmiku i bënë ballë.

 

Qënkam bërë sot zanë e malit

Përmbi brigje ku shoh lisat.

Qënkam bërë sot zog shqiponje

Që nga lart po numëroj plisat.

 

Do këndoj do këngë të gjata

T`i përcjelli me krenari

Ku hedh dielli rreze t’arta

Nëpër shekuj dhe lashtësi.

 

Do puth shkurrat në lëndinë

T`prekë me dorë, plisa, pragje

Kënga imë bëhet currilë

Ku kukam gjenin e të parëve.

 

Gur më gur do të prek kullat

Do të zgjoj gjithë shqiptarinë

Fisin Shala nderuan burrat

Ëndërrbardhë për lumturinë.

 

Në Kopiliq do të puth djepet

T`përkund foshnjat në konak.

Fjalë më fjalë amanetet

Do dërgoj o prag më prag.

 

NDJENJË

 

Në dritaren e syrit ta lexoj heshtjen e zemrës mistike.

Ajo mban ngjyrën e ndjenjës, bukurisë hyjnore

Në tragjeditë e Sofokliut prek qelizën e dhimbjes

Fjalën e pathënë do e pikturoj në kaltërsinë qiellore.

 

Do të lundroj në rrugën e qumështit sa dhe yjet t’i prek.

Simfoninë e zogjve ta ndjej në hapësirën e pambaruar.

Prushin e gjakut ta shuaj me lotin kristalor që rrjedhë.

Të derrdhën ujëvara shpirti në pellgun e trazuar.

 

Mos u çudit kur të vesh rrobat e polumbarëve

Mbase do shoh sytë e ty në thellësitë e deteve

Në gjoksin tënd do bëhem kërkues i mineraleve

Atëherë nga ndjenja polen dashurie do të derdhet.

 

SPROVAT E JETËS

 

Që të mësohesha me të gjitha kurthet e jetës duhet të rritesha.

Që të rritesha duhej të ndjeja uri ,drithërimë ironi dhe trishtim

Të ndjeja dinakërinë e të më mbyste shpesh heshtja

Dhe i ftohti të më thante këmbë palcë e duar në ditët pa kthim.

 

Që të rritesha duhet të ngrohja duart në vullkan jete

Të bëhesha motër me shtizën e diellit të ngrohtë.

Të desha si motër të paqenë madje edhe vdekjen.

Mbi të gjitha të dashuroja me pasion Zhuljete fort,

 

Mos më thoni që nuk kam qoftë dhe një grimë të drejtë

Për nderin e jetës së bukur, miq, kur sinqerisht po ua them.

Edhe kur ferra e gjëmbuar t’ju përgjakë në këmbë e në jetë

Dashuroni me zjarrin e një zemre sa një det e sa një ortek.

 

Se duhet duhet të jetoni dhe pritë për të keqen të ndërtoni!

 

MALLI I EMIGRANTIT I PËRJETSHËM

 

U ngjall në lulëzim shpatesh tufë e trishtimit

Mes pyllit të jetës u bë si shushurimë

I a bënte zili detit me syrin hapur mes përgjimit

Me dallgët hargalisur, që lagnin supet natë e ditë.

 

Kam kohë që filtroj kohën që prekim e jetojmë

Zgjat duart të m’i rrëmbejë të dyja burimi

Në dritësimin e yjeve që në dete pikojnë

Dua të bëj miqësi mbretërore me rreze dielli.

 

Mua, qyqarin, të gjithë mes ofshamave më ngushëllojnë.

U rrita, e hodha shtat, kur nënës ju deshta s`e pata pranë.

Mbi akull të ndrydhur fantazia për te mu bë si kurorë

Qiell të ri kërkonte ëndrra të fëmija dhe të ëmblat fjalë.

 

Dhe drita që binte, nuk hynte te sytë e faqet e prushaur

Në tortura të pagjakta shkonin e iknin ditët si zinxhirë.

E vendosëm të vinim kokën në jastëkët e dheut të huaj

Me zemrat e bardha që vyshkeshin si fletë plot trishtim.

 

U vranë shumë zërat më tepër se zjarri dhe plumbi

Ndriçojnë shikimet në shpatulla të rënda burri

Shkëndijë xixa-xixa, lëshojnë besimin dhe mallin

Nga kështjella mosbesimi s’mendon të dalë gjëkundi.

 

S’është lojë realiteti, ndaj o dashuri, përqafomë

Me ca duar që të zgjojnë në vite buzëqeshje e qetësi

Mes dhimbjes shoh buzëqeshjet që shmangen kur shkojnë

Të të zgjasin një dorë, jo, s’e pranojnë kurrsesi.

 

Marrëzi dashurie tregojnë, për tokën tonë të bekuar

E na bëhen flugerë të prishur mbi çati

Po ku do të shkojmë, ku, ku kemi për të jetuar?

E ku do të na hapet varri i ftohtë, s’e di, s’e di.

 

 

NOLIANE

 

“Anës detit i palarë

Anës dritës i paparë

Pranë sofrës i pangrënë

Pranë dijes i panxënë “

(Noli)

 

Kam prekur me pëllëmbë valët e rrëmbyera të Drinit,

Kam parë brigje lumenjsh të panumërt në Evropë

Me forcën e krahëve jam matur dhe në mes të dimrit.

Flladet më kanë përkëdhelur ëmbëlsisht në gjoks.

 

Me Nolin kuptova dhimbjen pelin të mërgimit

Në Sofër shpesh syri i burrit më ka lotuar

Jam bërë Nolian kur fjalës i ka rënë vello trishtimi.

Kam shkuar në lumenj që dhe emrat nuk ua kam mësuar

 

Më ka prekur në palcë dhimbja e shkronjës së munguar.

Atje, në Kopliq, Noli më ka ardhur në kujtesë

Kur liria për trojet arëbërore ishe Mollë e Ndaluar.

Me lahutën e nderur ngrita një lumë të vërtetë.

 

Nuk dua që shkronja shqipe të jetë flutur tek llampa.

Ku digjen krahët e saj të brishtë butësisht

O, historia shepsh na hodhi në tokë pranga

Po kurrë nuk na thane shpirtin si shkarpat që flakërijnë.

 

NË SARANDË

 

Kur vij nga Kosova në Sarandën bukuroshe

Jam më shqiptar se shqiptarët e tokës.

Bëhem djalë i posalindur a gjysh mes ode

Bëhem valltar e i bie vetë me thupër lodrës.

 

E ngrej dollinë dhe në palën e dallgës

Tek iu rrëfej për Sharrin për Lumëbardhin e Drinin

Në Drenicë trimave iu thahet pak korja e plagës

Tek shohin dy vëllezër që përqafohen rrëzë blinit.

 

E vargu më duket si trau që ngrihet pa doganë

Një pasaportë që e njohin malet e Joni.

Me bëhet se jam kumbar dasmash në Sarandë

Lumturohem kur i etur pi curril kroi.

 

Në kthim marr drejt Kosovës një kordele deti

Një dorë miku që mbetet qoftë si gjurmë përralle

Ah, ta shihte Europa këtë lot që në qerpik mbeti

Gjer në tokë do të përulej para plagës së madhe.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.