Ka net që zemra më rrëshqet në heshtje,
mbi akuj ndjenjash të pathëna dot,
më tradhtojnë hapat në peshën e brishtësisë,
çdo frymë më shtyn drejt një rënieje të ftohtë.
Ka zëra që s’flenë brenda meje,
më bien në gjoks si çekiç pa ndjesë,
dhe unë, një patinazhist pa dritë në pistë,
kërkoj ekuilibrin në mes të vetes.
Çdo kujtim – një kthesë e beftë,
çdo faj – një akull i thellë nën këmbë,
dhe lufta s’është më me botën përjashta,
por brenda një zemre që s’e njeh më veten.
Më shpojnë pyetjet si thika në shpirt,
“pse s’po pushojnë lëvizjet e shpërndara?”
Dhe përgjigjet, rrëshqasin tutje,
si silueta në akull që nuk kapen kurrë.