Shkruar nga:Gjergj Elizabete Lacuku

Potrebbe essere un'immagine raffigurante testo

SI MUNDESH?
Nji pyetje drejtuem meshtarit që u ul pranë Edi Ramës
E pashë fotografinë. Në nji tryezë të shtrueme për festë, mes luleve, dritave e buzëqeshjeve, ishe ulë pranë Edi Ramës, kryeministrit të Shqipnisë dhe udhëheqësit të asaj force politike që sot paraqitet me emnin “Rilindje”. Ndoshta për të tjerët ajo asht vetëm nji fotografi e zakonshme, nji çast protokollar, nji darkë ku njerëzit takohen e bisedojnë. Por për mue, dhe për shumë shqiptarë që e njohin historinë e përgjakun të vendit tonë, ajo pamje ngre nji pyetje që nuk mund të kalohet me heshtje:
Si mundesh, Atë?
Si mundesh me ndejë i qetë pranë përfaqësuesit ma të fuqishëm të nji partie që mban mbi vete peshën e nji trashëgimie të randë komuniste?
Si mundesh me kenë në atë tryezë pa t’u kujtue vllaznit tuej në fe, meshtarët, ipeshkvijtë, rregulltarët, seminaristët dhe besimtarët laikë që u pushkatuen, u torturuen, u burgosën dhe u lanë pa vorr prej regjimit që lindi nga ajo traditë politike?
Unë nuk e di çka ke bisedue me Edi Ramën. Nuk e di nëse i ke folë për martirët, për të burgosunit politikë, për eshtnat që vazhdojnë me mbetë të humbuna dhe për familjet që ende presin nji vorr ku me vendosë nji tufë lulesh. Nuk e di nëse ia ke kujtue se pushteti nuk asht i përjetshëm dhe se çdo sundimtar, herët a vonë, del përpara gjykimit të historisë dhe të ndërgjegjes.
Shpresoj që t’ia kesh thanë.
Por fotografia asht publike, prandaj edhe pyetja duhet me kenë publike. Nji meshtar nuk e përfaqëson vetëm vetveten. Ai mban jakën e bardhë, petkun dhe kujtesën e Kishës së tij. Në atë jakë të bardhë jeton dëshmia e atyne që shkuen drejt pushkatimit tue falë vrasësit e tyne. Në atë petk gjendet kujtimi i meshtarëve që kremtuen meshë fshehtas, që pagëzuen fëmijë në terr, që mbajtën kryqin në dorë ndërsa hetuesit i torturonin dhe që nuk e mohuen Krishtin as përpara vdekjes.
Prandaj, kur nji meshtar ulet pranë pushtetit, ai nuk ulet vetëm si qytetar privat. Me të ulet edhe historia e Kishës. Me të ulen edhe martirët. Me të ulen edhe nanat që pritën më kot bijtë e tyne. Me të ulen edhe familjet që nuk mësuen kurrë se ku u hodhën trupat e njerëzve të tyne.
Potrebbe essere un'immagine raffigurante lo Studio Ovale e testo
Dhe atëherë pyetja bahet edhe ma e randë:
A mundesh me shkelë mbi gjakun e martirëve, mbi gjakun e vllaznëve tuej?
Partia Komuniste Shqiptare u themelue më 8 Nandor 1941. Mbas ardhjes në pushtet ajo u quejt Partia e Punës, ndërsa në qershor të vitit 1991 mori emnin Partia Socialiste. Emnat, ngjyrat dhe siglat ndryshuen, por ndryshimi i emnit nuk e fshin vetvetiu prejardhjen historike dhe as përgjegjësinë morale për me u përballë me të kaluemen.
Duhet thanë gjithashtu me saktësi se Edi Rama nuk i ka pushkatue personalisht martirët dhe se Shqipnia e sotme nuk asht diktatura e Enver Hoxhës. Me ia ngarkue nji njeriu fajin penal për krime të kryeme përpara kohës së tij nuk do të ishte e drejtë. Por Edi Rama drejton forcën politike që trashëgoi strukturën, emnin e ndryshuem, njerëzit, kulturën politike dhe nji pjesë të kujtesës së Partisë së Punës. Për këtë arsye, ai ka nji përgjegjësi të veçantë morale dhe politike: me u nda pa asnji ekuivok nga krimet komuniste, me nderue viktimat, me hapë arkivat, me ndihmue kërkimin e të zhdukunve dhe me i dhanë fund çdo nostalgjie për diktaturën.
Në Shkodër u shpallën të lumë 38 Martirët e Kishës Katolike Shqiptare, të vramë ndërmjet viteve 1945 dhe 1974 nga regjimi ateist komunist. Ata nuk ishin të gjithë priftën: ndër ta kishte dy ipeshkvij, shumë meshtarë e rregulltarë, nji seminarist dhe disa besimtarë laikë. Pikërisht kjo e ban dëshminë e tyne edhe ma të fuqishme, sepse terrori nuk goditi vetëm altarin, por krejt bashkësinë e besimit.
Dhe 38 Martirët nuk janë krejt historia e përndjekjes. Numri i klerikëve që u pushkatuen ose vdiqën ndër burgje ishte shumë ma i madh. Burimet e Vatikanit flasin për rreth 130 priftën katolikë të ekzekutuem ose të vdekun si pasojë e burgimit, krahas mijëra besimtarëve të përndjekun.
Këta nuk janë numra të ftohtë në nji libër historie. Secili kishte nji emën, nji familje, nji fytyrë dhe nji thirrje. Secili kishte kremtue meshë, kishte pagëzue fëmijë, kishte bekue martesa, kishte përcjellë të vdekunit dhe kishte ngushëllue të vorfnit. Ata nuk u vranë pse kishin grabitë ose pse kishin ba krime. U vranë sepse nuk pranuen me e zëvendësue Zotin me partinë dhe ndërgjegjen me urdhnin e diktatorit.
Prandaj të pyes, Atë: kur u ule pranë Edi Ramës, a t’u kujtue Atë Anton Harapi?
A t’u kujtue Imzot Vinçenc Prennushi, që vdiq prej mundimeve?
A t’u kujtue Atë Shtjefën Kurti, i pushkatuem nga regjimi?
A t’u kujtue Dom Lazër Shantoja, Dom Mikel Gjergji te torturuem mizorisht përpara se ti vrisnin?
A t’u kujtuen ata që shkuen drejt vdekjes tue thanë se e falnin popullin dhe atdheun?
A i përmende emnat e tyne në atë tryezë?
A e pyete kryeministrin pse, mbas kaq vitesh, shumë familje ende nuk i kanë gjetë eshtnat e të afërmve të zhdukun?
A i kërkove shtetit shqiptar që kujtesa e martirëve dhe e viktimave të komunizmit të mos përdoret vetëm nëpër ceremoni, por të bahet pjesë e vërtetë e ndërgjegjes kombëtare?
A i the se pajtimi nuk ndërtohet mbi harresën dhe se falja e krishterë nuk e përjashton të vërtetën?
Sepse Krishti, asht e vërtetë, u ul në tryezë edhe me mëkatarët. Nji meshtar mund të takohet me çdo njeri, madje duhet me shkue edhe aty ku ka mëkat, pushtet dhe padrejtësi. Por Krishti nuk u ul kurrë me mëkatarët për me e shpallë mëkatin virtyt. Ai nuk i lajkatonte të fuqishmit dhe nuk ua bekonte hipokrizinë. Ai u afrohej njerëzve për me i thirrë në kthim, në pendesë dhe në të vërtetën.
Gjon Pagëzuesi foli përpara Herodit dhe e pagoi të vërtetën me krye. Profetët qëndruen përpara mbretënve dhe nuk i ndërruen fjalët për hir të sofrës. Prandaj prania e nji meshtari pranë pushtetit mund të jetë e drejtë vetëm kur bahet dëshmi, jo stoli; vetëm kur bahet thirrje për ndërgjegje, jo dekoratë politike; vetëm kur meshtari ia thotë pushtetit atë të vërtetë që oborrtarët kanë frikë me ia thanë.
Nëse ke shkue aty për me ia thanë Edi Ramës të vërtetën, atëherë na e thuaj edhe neve. Nëse i ke kërkue me u përkulë përpara viktimave, me dënue pa kushte diktaturën, me kërkue të zhdukunit dhe me respektue lirinë e dinjitetin njerëzor, atëherë dëshmia jote duhet me u ndigjue. Sepse fotografia tregon afërsinë fizike, por nuk na tregon fjalët që janë thanë.
Mirëpo, nëse ajo afërsi ka qenë vetëm për nder, fotografi, buzëqeshje dhe miratim shoqnor, atëherë ke detyrimin me e pyetë veten se çfarë mesazhi u ke dhanë familjeve të martirëve.
Çka i thotë ajo pamje nji të moshuemi që ka kalue rininë në burg?
Çka i thotë vajzës që nuk e njohu kurrë babën e saj, sepse regjimi ia pushkatoi dhe ia fshehu trupin?
Çka i thotë nanës që vdiq pa e ditë ku ia kishin hedhë të birin?
Nuk po të kërkoj me urrejtë Edi Ramën. Urrejtja nuk asht rruga e krishterë. Nuk po të kërkoj as me i mbyllë dyert e Kishës përpara tij. Kisha duhet me i mbajtë dyert hapun për çdo njeri që kërkon të vërtetën dhe pendesën. Por as dashunia e krishterë nuk do të thotë heshtje përballë padrejtësisë. Falja nuk asht harresë. Mëshira nuk asht servilizëm. Dialogu nuk asht nënshtrim.
Nji meshtar mund t’ia shtrëngojë dorën nji pushtetari, por nuk mund t’ia dorëzojë ndërgjegjen. Mund të ulet në tryezën e tij, por duhet me marrë me vete zanin e atyne që nuk kanë ma za. Mund ta shikojë në sy, por duhet me ia kujtue se mbi çdo fron tokësor qëndron gjykimi i Zotit dhe i historisë.
Shqipnia ka nevojë për pajtim, por jo për nji pajtim të rremë që i barazon viktimat me xhelatët. Ka nevojë për falje, por jo për falje të imponueme pa pendesë. Ka nevojë për dialog, por jo për fotografi që zbukurojnë pushtetin ndërsa vorret vazhdojnë me mbetë pa emën.
Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia jote. Ti nuk ishe në atë tryezë vetëm si njeri. Ishe aty si meshtar i nji Kishe të përgjakun. Mbas shpinës sate qëndronin priftën që u çuen prej altarit në hetuesi. Qëndronin fretën që u torturuen në qeli. Qëndronin besimtarët që u dënuen vetëm pse banë shenjën e kryqit, pse pagëzuen fëmijët ose pse mbajtën nji figurë shenjti në shtëpi.
Petku yt nuk asht veshje ceremoniale. Ai asht dëshmi dhe barrë. Jaka jote e bardhë nuk duhet të shërbejë për me zbukurue fotografinë e asnji kryeministri. Ajo duhet të jetë shenja e nji fjale që nuk blihet, nuk frikësohet dhe nuk hesht.
Prandaj pyetja “Si mundesh?” nuk asht nji thirrje urrejtjeje. Asht britma e kujtesës. Asht pyetja që del prej burgjeve, kampeve, qelive të torturave dhe vorreve pa emën. Asht pyetja e atyne që vdiqën me lutje në buzë dhe që sot nuk munden me folë.
Ata po të pyesin nëpërmjet nesh:
Si mundesh me buzëqeshë pa i kujtue?
Si mundesh me ndejë pranë pushtetit pa folë në emnin e tyne?
Si mundesh me ngritë gotën pa mendue për kupën e vuejtjeve që ata e pinë deri në fund?
Si mundesh me u çue prej asaj tryeze pa i kërkue njeriut ma të fuqishëm të vendit me u përballë ndershmënisht me trashëgiminë politike që përfaqëson?
Ndoshta përgjigjja jote asht se ishe aty për dialog. Nëse po, atëherë dialogu yt duhet të ketë fryt. Ndoshta thue se meshtari duhet me ndejë pranë çdo njeriu. E vërtetë, por duhet me ndejë si meshtar, jo si oborrtar. Duhet me i çue pushtetit Ungjillin, jo me marrë prej pushtetit miratimin. Duhet me mbrojtë të pambrojtunit, jo me shërbye si dëshmi e rreme se gjithçka asht harrue dhe falë.
Atë, mos harro se fotografia kalon, darka mbaron dhe pushtetarët ndërrohen. Por dëshmia mbetet. Nji ditë secili prej nesh do të pyetet jo pranë kujt u ul, por çfarë të vërtete tha kur u ul pranë tij.
Prandaj fol. Nëse ia ke thanë të vërtetën Edi Ramës, thuaja edhe popullit. Nëse nuk ia ke thanë, thuaja herën tjetër. Përmendi martirët. Kërko drejtësi për të zhdukunit. Kërko hapjen e plotë të së kaluemes. Kërko që krimet e komunizmit të mos relativizohen dhe që viktimat të mos përdoren vetëm për fjalime ceremoniale.
Sepse vetëm atëherë prania jote pranë pushtetit mund të kuptohet si mision dhe jo si nënshtrim.
Deri atëherë, pyetja mbetet pezull mbi atë tryezë, mbi lulet e bardha, mbi buzëqeshjet dhe mbi heshtjen:
Si mundesh, Atë?
Si mundesh me ndejë pranë pushtetit pa e vendosë ndërmjet jush gjakun e martirëve?
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.