O zot ! Po dridhem i tëri,duart s’po më punojnë,nuk po shkruaj dot, sytë po më lotojnë.Dua të shkruaj për nënën time; për gjënë më të shtrenjtë në botë. Tani që mosha po kalon, mendja më shkon shpesh herë tek fëmijëria dhe prindët e mi. Ushqej një nderim të thellë për të gjithë ju nëna,që na dhatë jetë, na rritët, edukuat dhe na bëtë burra! Kurrë nuk pata menduar, që nëna ime një ditë do të vdiste dhe do t’më shkaktonte një dhimbje të thellë në zemrën time.Shpesh here del para meje fytyra e saj, e buzëqeshur, e ëmbël, e madhërishme, më del ajo që gjithë jetës së saj më ka falur ngrohtësi dhe dashuri.Të kujtoj ty nëna ime, që shpesh herë më ke falur për ndonjë gabim dhe me duart e tua të ngrohta, ke ledhatuar ballin tim të vogël.Ti nëna ime! në hapat e para të jetës sime më ke mësuar, si të sistemoj librat e shkollës, si të krihem, të laj dhëmbët, të fshij hundët, si të lidh këpucët, apo si të respektoj shokët dhe mësueset.Gjithmon më kujtohesh ku ti,rrije me orë të tëra në dritare, për të më pritur mua kur kthehesha në shtëpi. Për ty unë isha, “djali më i zgjuar”, që nuk e kisha shokun dhe se isha “djali më i bukur në botë”! Çdo mbrëmje kur shtrihesha për të fjetur, gjumi nuk më zinte, sepse e dija se ti, patjetër do vije në shtratin tim dhe do t’më thoje “ Natën e mirë shpirti mamit “, duke më puthur përsëri.Më kujtohet një natë kur u vonova me shokët për një sebep dhe u ktheva vonë në shtëpi, të dallova nga larg ty, ti po më prisje në dhomë zgjuar, më rrëmbeve në krahët e tua, më shtrëngove fort pas vetes, sa më zure frymën.Nëna ime ! Jam i qetë para zotit dhe vetes time , se asnjëherë në jetën time me ty, nuk të kam shkaktuar probleme dhe shqetësime.Nuk të kam kundërshtuar asnjëherë edhe pse ndonjëherë mendoja ndryshe,por kam dëgjuar dhe zbatuar me kujdes porositë e tua prej nëne.O zot ! Sa do dëshiroja që nëna ime të ishte gjallë dhe për një moment, të ishte ulur si at’here në kolltukun te dhoma e saj dhe unë ti sillja kafen e mëngjezit dhe ta pinim atë sëbashku!Por trishtohem në çast, sepse asgjë s’ma kthen dot atë.Ju, që i keni nënat gjallë, mos harroni se ato do të vdesin një ditë. Do t’ju kërkoja sinqerisht, të jeni të ëmbël me nënat tuaja zemërgjera, duajini fort ato dhe dhurojini atyre veç gëzim. Kam detyrimin ti drejtohem zotit për ty nëna ime! Zoti bekoftë nënën time dhe gjithë nënat në botë!