Misioni i panjohur “Harxhi” në Moskë në prill 2012. Kërkesa e Tiranës: Berisha në Rusi, Lavrov në Shqipëri..
• Zëvendësministrja shqiptare e Punëve të Jashtme: “Ndërveprimi në Ballkan krah për krah me Rusinë ka shumë rëndësi për garantimin e sigurisë në rajon”
Në vitet 2011-2012 Shqipëria përpiqej të vinte në funksionim të gjitha nivelet e marrëdhënieve me Rusinë, duke siguruar një ftesë për kryeministrin Berisha në Petërburg dhe një vizitë të kryediplomatit rus Lavrov në Shqipëri.
Këto fakte bëhen të ditura në një intervistë që i ka dhënë agjencisë shtetërore ruse të lajmeve ITAR-TASS ish-zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Edit Harxhi, më 12 prill 2012.

Ndërkohë është i pashpjegueshëm fakti që ndërsa MPJ-ja dhe mediat ruse i bënë jehonë vizitës të Harxhit në Moskë, vartësit e saj në Tiranë nuk e pasqyronin në sajtin e Ministrisë së Punëve të Jashtme veprimtaritë në “Romën e Tretë”.
Po hedhim dritë për një vizitë të gjatë të nr. 2 të MPJ-së, Edith Harxhi në Moskë, por që nuk është bërë publike as nga MPJ-ja dhe as nga mediat shtetërore.
Përtej misterit që shkakton ky fakt, ngjallin interes deklarimet e Harxhit në vendin e stepave të pamat.

Sipas njoftimit për shtyp të MPJ-së ruse, në konsultimet midis Titovit dhe Harxhit, më 4 prill, “u diskutuan çështje të ndërveprimit të dy vendeve në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në kontekst të kryesimit të ardhshëm të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, një numër çështjesh të politikës globale dhe gjendja në Evropën Juglindore”.
Me sa duket, Rusia mund t’i jepte kënaqësi Tiranës duke i çuar ftesë Kryeministrit Berisha për një forum ekonomik në qershor dhe ku të takonte kryeministrin e ri rus.
Të paktën, kështu del nga intervista e Harxhit që priste të realizohej ky event.
“Po bëjmë përpjekje të aktivizojmë lidhjet tona”, tha në intervistë Harxhi, e cila 9 ditë më parë, më 3 prill, në universitetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse MGIMO, në një leksion kushtuar zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis Rusisë dhe Shqipërisë, tregoi me hollësi mbi bazat e bashkëpunimit, që u vendosën në marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet 1940-50.
Harxhi nënvizoi se kujtimi për këto tradita është ende i gjallë në Shqipëri.
Berisha u tregua tejet i sjellshëm, kur priti një vit më parë në një audiencë drejtorin e Antidrogës Ruse dhe urdhëroi aderimin e Shqipërisë në Pesëshen e udhëhequr nga Rusia dhe Serbia për të rrethuar Kosovën me një “kordon sanitar” për luftën kundër narkotrafikut.
Jo vetëm kaq, Harxhi u udhëzua të deklaronte në intervistën e cituar se Shqipëria beson që “ndërveprimi në Ballkan krah për krah me Rusinë ka shumë rëndësi për garantimin e sigurisë në rajon”.

Berisha u ka kërkuar rusëve të fusin në Shqipëri një degëzim të gazsjellësit rus “Rryma Jugore”.
Harxhi: Po aktivizohen lidhjet shqiptare-ruse të viteve 1940-50
Agjencia e shtetërore telegrafike ruse ITAR-TASS, intervistë me zëvendësministren shqiptare të Jashtme Edith Harxhi.
– Ju erdhët në Moskë për konsultime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Na tregoni se cilat ishin çështjet që u prekën në bisedimet me homologun tuaj rus Vladimir Titov? A u diskutua grafiku i vizitave të ardhshme të zyrtarëve rusë dhe shqiptarë dhe në ç’ nivele?
– Shpreh mirënjohje të thellë për ftesën që m’u bë nga kolegu im Vladimir Titov për një vizitë në Moskë për vazhdimin e konsultimeve politike.
Në vitin 2010 konsultime të tilla bëmë në Shqipëri. Ftova Vladimir Titovin të vinte në Tiranë.
Si gjithmonë, konsultimet janë zhvilluar në mënyrë konstruktive.
Sot diskutuam probleme të marrëdhënieve në formatet dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Çështja më e rëndësishme që prekëm sot, lidhej me formatin e vizitave shtetërore në vendet tona në të gjitha nivelet, duke filluar nga krerët e Ministrive të Jashtme.
Kemi përgatitur tashmë ftesën për Sergej Lavrovin [ministër i Punëve të Jashtme i Federatës Ruse] për të vizituar Tiranën.
Ministri ynë i Punëve të Jashtme [Edmond Haxhinasto] ka shprehur dëshirën për të ardhur në Moskë.
Do të donim të përfshinim të gjitha nivelet në zhvillimin e marrëdhënieve ruse-shqiptare.
Vizitat dypalëshe mund të shpeshtohen dhe në një nivel më të lartë, duke pasur parasysh dhe fushën ekonomike.
Presim që kryeministri ynë [Sali Berisha] të jetë i pranishëm në forumin ekonomik të Shën-Peterburgut në muajin qershor [2012], në të cilin mund bëhen bisedime me homologun rus për çështje konkrete ekonomike (Ozhidayem, chto nash prem’yer-ministr posetit Peterburgskiy ekonomicheskiy forum v iyune, na kotorom mogut proyti peregovory s rossiyskim kollegoy po konkretnym ekonomicheskim voprosam).
Niveli i qarkullimit të mallrave midis Rusisë dhe Shqipërisë është i ulët në krahasim me ato mundësi që kemi.
Mund të hapet epokë të re në bashkëpunimin dypalësh, duke zhvilluar një forum të përbashkët ekonomik.
Vitin e kaluar, një forum i tillë u bë në Moskë, kurse vitin tjetër do të donim ta mbanim në Tiranë.
Pas formimit të qeverisë se re në Federatën Ruse është planifikuar sesioni i komisionit rus-shqiptar për ekonominë me pjesëmarrjen e kabinetit të ri.
Nga pala shqiptare këtë takim e mbulon ministri i Ekonomisë [Nasip Naço].
Shpresojmë se mbledhja do të mbahet sa më shpejt e mundur në Tiranë. Do të donim gjithashtu të shihnim investitorë rusë në Shqipëri.
Aktualisht kjo gjë është një nga objektivat kryesorë në marrëdhëniet ekonomike.
Ndërkaq kemi përvojë pozitive në shkëmbimet ndër-parlamentare.
Për shembull, spikerja e parlamentit tonë para pak kohësh ka qenë për vizitë në Moskë.
Në një kohë sa më të shpejtë presim një vizitë në Shqipëri të kryetarit të komitetit për çështjet ndërkombëtare të Dumës së Shtetit [dhoma e ulët e parlamentit të Federatës Ruse].
Gjithashtu i kemi dërguar ftesë spikerit të Dumës së Shtetit.
Po bëjmë përpjekje të aktivizojmë lidhjet tona (starayemsya aktivizirovat nashi svyazi).
Besojmë se ndërveprimi në Ballkan krah për krah me Rusinë ka shumë rëndësi për garantimin e sigurisë në rajon.
– A mund të jepni një prognozë të integrimit evropian të Shqipërisë?
– Do të doja të theksoja se Shqipëria tashmë është në procesin e euro-integrimit.
Kemi përmbushur tashmë shumicën e kërkesave të BE-së për marrjen e statusit të kandidatit.
Shpresojmë se do të marrim vlerësim pozitiv nga ana e Brukselit në tetor 2012 lidhur me këtë status.
Gjithashtu shpresojmë në fillimin e negociatave së shpejti.
Hyrja në BE është përparësia numër një në politikën e jashtme të Shqipërisë, e cila ndodhet në Evropë dhe ka po atë kulturë evropiane dhe vlera si të gjitha vendet e tjera të Botës së Vjetër.
Në këtë aspekt, presim vazhdimin e diskutimit midis Shqipërisë dhe BE-së.
Do të jemi gati të bëjmë bisedime me BE-në, kur të përmbushim 12 kërkesat.
Ndërlikimet kryesore për anëtarësim në BE lidhen me problemet e brendshme, ndonëse kemi arritur rezultate të mira kohët e fundit.
– Tani në kuadrin e NATO-s po formohet në mënyrë aktive sistemi evropian i mbrojtjes nga raketat. A po planifikon Shqipëria t’i bashkohet kësaj strukture, a do të instalohen në të ardhmen në territorin shqiptar elemente të sistemit pan-evropian të mbrojtjes nga raketat?
– Që nga viti 2009, Shqipëria është anëtare e NATO-s.
Angazhimi ynë në Aleancë nuk konsiston vetëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në botë në tërësi, si edhe në rajon, por edhe në pjesëmarrjen në operacionet paqeruajtëse.
Do të vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona në kuadër të ISAF-it në Afganistan, si dhe në operacione të tjera të NATO-s në të gjithë botën.
Shqipëria është një vend, i cili jo vetëm garanton siguri, por edhe e prodhon, dhe, duke qenë një shtet i tillë, ne kemi instrumentet përkatëse për zgjidhjen e çështjeve të agjendës ndërkombëtare.
Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar lidhur me çështje të ndryshme në OKB, OSBE dhe Këshillin e Evropës.
Në bisedimet me Vladimir Titovin u konstatua se negociatat në kuadër të Këshillit Rusi-NATO duhet të vazhdojnë, nuk ka rëndësi se në çfarë niveli do të bëhen.
– Në një sërë vendesh të Ballkanit po rritet kërcënimi për konfrontim ndëretnik me pjesëmarrje të shqiptarëve. A mund të çojë kjo gjë drejt një skenari kosovar?
– Çështja e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë skenar.
Shqipëria mendon se Kosova është çështje ndërkombëtare.
Konsideroj se tani pikërisht është koha kur të gjitha vendet e Ballkanit po jetojnë në paqe dhe mirëkuptim.
Ne u kushtojmë vëmendje të madhe çështjeve të bashkëpunimit rajonal.
Një nga elementet e bashkëveprimit me vendet të gadishullit të Ballkanit synon shmangien e skenarëve, keqkuptimeve apo interpretimit të gabuar të së kaluarës.
Sikurse dihet, në disa vende të rajonit ka pasur raste që lidhen me probleme të motivuara etnikisht.
Mendojmë se koha kur në Ballkan lindnin çështje etnike, konflikte fetare dhe konteste territoriale, kanë marrë fund një herë e mirë.
Ne besojmë dhe respektojmë plotësisht sovranitetin e shteteve.
Në të njëjtën kohë përpiqemi t’u japim të gjitha vendeve të rajonit mesazhe korrekte paqeje dhe tolerance.
Opinioni se në të gjitha konfliktet në Ballkan kanë gisht shqiptarët, është absolutisht i gabuar.
Ndoshta jo gjithmonë kjo i referohej shtetit shqiptar, por duhet pasur parasysh se në rajon jetojnë 6-7 milionë shqiptarë, dhe ata kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë faktor stabiliteti si në shkallë rajonale dhe më të gjerë.
Imazhi i Ballkanit si qendër konfliktesh etnike nuk përputhet me realitetin.
Ne tashmë jetojmë në një rajon të qëndrueshëm dhe të sigurt.
Takimi me të rinjtë rusë – diplomatë të ardhshëm
Më 3 prill 2012 në departamentin e politikës së BE-së në Institutin mësimor Evropian pranë universitetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse MGIMO (inicialet rusisht për “Instituti Shtetëror i Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Moskës”) mbajti një leksion mysafirja e tij, zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edit Harxhi.
Veprimtaria u organizua nga Instituti mësimor Evropian, Ambasada e Shqipërisë në Rusi dhe Shoqata ruse e Miqësisë me Shqipërinë.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Rusi Sokol Gjoka.
Edit Harxhi shkoi për vizitë zyrtare në Rusi me ftesë të homologut të saj rus, zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse Vladimir Titov, njoftoi radioja publike e Moskës “Golos Rossii” (Zëri i Rusisë).
Leksioni i Edit Harxhit iu kushtua zhvillimit të marrëdhënieve miqësore midis Rusisë dhe Shqipërisë. Ajo tregoi me hollësi mbi bazat e bashkëpunimit, që u vendosën në marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet 1940-50, dhe nënvizoi se kujtimi për këto tradita është ende i gjallë në Shqipëri, njoftoi MGIMO.
Në vitin jubilar 2012 përkujtohet 100-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria Osmane.
Lidhur me këtë, MPJ-ja e Shqipërisë, ka hartuar një program të gjerë veprimtarish kulturore dhe shkencore që do të zhvillohen në Rusi gjatë vitit.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Rusisë, E. Harxhi vuri theksin në interesin që ka Shqipëria për tërheqjen e investimeve ruse në zhvillimin e burimeve hidroenergjetike të vendit, si dhe foli për planet e ndërtimit të një rrjeti HEC-esh në lumenjtë malorë të Shqipërisë.
Drejtim tjetër i bashkëpunimit është zhvillimi i turizmit.
Për këtë arsye, që nga viti i kaluar në Shqipëri për periudhën e verës është regjimi i vizave për qytetarët rusë.
Mysafirja u ndal në detaje në atë punë që po kryen qeveria për marrjen e statusi të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Izolimi shumëvjeçar i vendit gjatë regjimit totalitar ultra-komunist e ka bërë tranzicionin drejt ekonomisë së tregut në Shqipëri veçanërisht të ndërlikuar në krahasim me vendet e tjera post-socialiste.
Për tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri janë vendosur tarifa të ulëta dhe taksa e sheshtë mbi ndërmarrjet me investime të huaja deri në 10 për qind (i ashtuquajturi “modeli sllovak”), gjë që ka mundësuar gjallërimin e jetës ekonomike në vend.
Ndër partnerët kryesorë të Shqipërisë në BE janë Italia, Greqia dhe Austria.
Një aspekt tejet të rëndësishëm të punës për anëtarësimin në BE, qeveria shqiptare konsideron konsensusin mes partive parlamentare për çështje kryesore të politikës ekonomike dhe sociale.
Gjithashtu, E. Harxhi foli mbi problemin e të ashtuquajturit “neo-otomanizëm”, që po bëhet gjithnjë e më popullor në disa qarqe politike në Turqi.
Shqipëria i përmbahet pikëpamjes se çështja e trashëgimisë osmane perandorake ka një dimension thjesht historik dhe nuk duhet të zbatuar në politikën bashkëkohore.
Leksioni i Edit Harxhit ngjalli interes të madh te studentët dhe u shoqërua me shumë pyetje.
Dokumenti / Njoftim për shtyp i MPJ i Federatës Ruse
Mbi konsultimet politike ruse-shqiptare
Më 4 prill [2012], V.G. Titov, zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Rusisë, zhvilloi konsultime me E. Harxhin, zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Palët shkëmbyen mendime mbi një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin e dyanshëm dhe tema aktuale të agjendës ndërkombëtare. Vëmendje e veçantë iu kushtua grafikut kontakteve të ardhshme ruse-shqiptare, duke përfshirë edhe ato nën linjën e ministrive së punëve të jashtme, zgjerimit të marrëdhënieve tregtare-ekonomike, zhvillimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës.
U diskutuan çështje të ndërveprimit të dy vendeve në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në kontekst të kryesimit të ardhshëm të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, një numër të çështjeve të politikës globale dhe gjendja në Evropën Juglindore.
4 prill 2012