14.5 C
Tiranë
E premte, 25 Prill 2025

Tonin Nikolli

SHKOI DHJETORI, MIKE…
Shkoi dhjetori, mike, shkoi dhjetori,
me borë të bardhë na rrethoi përqark…
Bukuri e saj mendjen na e mori,
por ngrica e egër, na e riktheu prapë…
Shkoi dhjetori, mike, shkoi dhjetori,
dymbëdhjetë pupla mangut na i la në trup…
Plagët e vjetra në lëkurë na i nxori,
të puthjeve të afshta, që i dhamë me ngut…
Shkoi dhjetori, mike, shkoi dhjetori,
zogj të rrallë, qiellit, kryqëzohen zig – zag…
Si të dashur rasti, që koha i bori,
nëpër rrugë të huaja dhe i humbi larg…
Shkoi dhjetori, mike, shkoi dhjetori,
si një ujk i vjetër me qingjin mbi shpinë…
Një vit dashuri, mizorisht na e vodhi,
dhe e arkivoi ne shekullin e tij…
Shkoi dhjetori, mike, shkoi dhjetori,
seç festuam gëzueshëm, si të marrë…
Pa menduar, se butësisht, mizori,
një fletë tjetër grisi, n´tonin kalendar…
“”””””””””””””””””””””””””””””””

Cikel ne vite
ZOGJ JETIMЁ
Kur shkoi baba,
Dada na mbështolli rreth krahëve
me trishtim…
Kur shkoi edhe Dada,
ne u shpërndamë udhëve
si zogj jetimë..
LOTЁ DHE MALL
N´kryqëzime qiejsh,
fëmijë jetim,
prej vitesh pres Dadën Tone…
Lotët më kanë ngrirë.
Malli m´është bërë re,
Shpirti bore…
NЁNAT, DADAT…
Nënat nuk ikin…As dadat…Vetëm shkojnë…
Ngarkuar me dhimbje dhe mall për bijtë.
Në pikën më të lartë t´qiellit mërgojnë
Dhe shpirtin për to e kthejnë në DRITЁ.
SHFUQIZIM “LIGJI”
Sot,
me miratimin e shpirtit të Dadës Tone,
dua të shfuqizoj një “ligj burrnije” të kotë…
Burrat,
për nënën,
mund dhe duhet,
të mbyten në lotë!
E DIELLTË ISH BUZËQESHJA JOTE
Kur qielli nxinte dhe retë e rënda,
pushtonin shpirtin tonë të brishtë,
buzëqeshja jote me rrënjë tek nëna,
ndriçonte butë terrin e trishtë…
Kur qielli nxinte, shtrydhte lotë,
mbi çatinë tonë pikonte dhimbja,
buzëqeshja jote sa një botë,
ish diell mëngjesi, kur ndez nga lindja…
Kur qielli nxinte, dhe rrugët terrte,
në shpresa t’kota, lutje pa fund,
buzëqeshja jote dimension merrte,
e dielltë prej nëne, sa s’gjendet kund…
SHI MALLI
Sot,
Shpirti im është shi.
Rrjedh currila dhimbjeje,
mbush një det mall
për ty!
LUTJA E PARAGJUMIT
Tregoma yllin ku bun Dada!
T’i dërgoj pak mall,
pak dashuri…
Ta mbështjell me avullin tim,
të mos mërdhijë…
Amen!
“”””””””””””””

Mbrëmë,
nata më mbështolli mushlluk ,
në tesha mendimesh…
Ëndrrat me ty s’reshtën.
Shpirtin ma gërryen,
si valë deti i frikshëm…
Notar i lodhur,
përsëri në bregun tënd,
iu zgjova ditës…
… Prej sirenës së mallit
që dje,
shurdhëroi tragjikshëm…
( Paska edhe qarje
Krishtlindjesh…!! )
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.