23.5 C
Tiranë
E premte, 17 Prill 2026

Sakip Cami

Sudja, Mudja, Dudja dhe Budja

Gjyshja ime më tregonte shpesh për burrat e mençur e trima të katundit, për gratë heroina që i jepnin kuptim jetës në këtë katund të vogël e të largët.
Por gjyshja më tregonte edhe për katër gra llafazane që çonin rrotull gjithë katundin. Dhe këto ishin Mudja, Sudja, Dudja dhe Budja. Sudja dhe Mudja ishin motra dhe kunata sepse ishin martuar me dy vëllezër Sutin dhe Mahmutin.
Suti e rrihte Suden dhe e hidhte nga telisi (ballkoni) në tokë se asaj nuk i pushonte goja, përziente dynjanë me thashemet e saj. Sudja binte në kambët e veta në tokë dhe në pak sekonda merrte vehten, ngjitej këmbadoraz shkallëve dhe pa kthyer akoma shpinën i shoqi, i thirrte: Të marroftë Zoti mor burrë, siç të ka marrue, kot u mundove, asgjë nuk më bëre, ja ku jam.
Motra ishin Sudja dhe Mudja, por si kunata ziheshin pa pushim se kush ishte zonja e shtëpisë, se kush e meritonte drejtimin e shtëpisë. Zonja e shpisë qëndronte brenda dhe përgjigjej për gatimin, mikpritjen etj. Gratë e tjera të shtëpisë duhet të dilnin në arë, të ushqenin bagëtinë etj., dhe kjo ishte e rëndë dhe fyese për ta.
Dudja dhe Budja ishin nga një fis tjetër, por ngatërronin dynjanë. Dudja, kur nuk kishte çfarë të ngatërronte, zinte qentë, i ndillte kundër njëri tjetrit derisa i gjakoste. I shikonin fëmijët qentë e tyre të gjakosur dhe fillonin e ziheshin me grushta. I shikonin baballarët e fëmijëve dhe futeshin në shamatë deri në plagosje, Dudja prapa gardhit gajasej së qeshuri tamam si te filmi “Përrallë nga e kaluara”.
Budja me qëllim e lidhte lopën në kufi me livadhin e komshiut, që lopa të braconte në livadh të huaj. Dudja i thoshte të zotit të livadhit: A nuk e sheh ti apo të kanë plasur sytë? Po ta kullosin livadhin të tjerët.
E kështu fillonte shamata tjetër…
⁃ Mos gjyshe, si vazhdoi kjo punë kështu, e pyesja unë?
⁃ Kështu vazhdoi, më thosh gjyshja deri kur këto plaka të poshtra u sëmurën e vdiqën. Atëhere katundi ra në qetësi.
“””””””””””””””””””””””””

Kur nuk të lavdërojnë, lavdërohu vetë

Një agronom kooperative bujqësore(atëhere kur kishte kooperativa) mbeti i pakënaqur nga raporti i kryesisë. Nuk përmendej emri i vet në asnjë rresht të raportit si agronom i dalluar. Kooperativa shpërndante 22 lek të vjetra për ditë pune
U ngrit dhe filloi diskutimin: punë të shkëlqyer ka ba Mazllumi, por nuk përmendej në raport. Nuk e di arësyen përse nuk përmendej.
-Kush është Mazllumi ? Pyeti i deleguari i Partisë dhe i pushtetit në rreth.
-Unë, tha diskutanti.
-Mos u lavdëro vetë o Mazllum, prit të të lavdërojnë të tjerët, i tha njëri.
-Kam pritur boll dhe askush nuk kujtohet të më lavdërojë, prandaj po lavdërohem vetë dhe vazhdonte të fliste.
-Ta vemë Mazllumin kryetar kooperative, propozoi i deleguari i Komitetit.
Kështu Mazllumi u bë kryetar kooperative.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.