Asgjë epike nuk kam për të rrëfyer
babai, në uniformën e Skenderbeut
rrëmbyer, kaloi golgotën në grupin e dytë të Tivarit
jetësoi pa pompozitet me thjeshtësinë e trashëguar…
Tyran Prizren Spahiu
*

Fisnorët të shpërngulur në Sarajevë
vetëm ne vazhdojmë të jetojmë në Prizren
tupanat nuk dëgjohen
heshtjen, qetësinë kemi vargje jetësore.
*

Politika nuk ka vend në tavolinë
në dhomën e ndenjes partiakët nuk lejohen
kotësi roli i politikës ditore
orekset gjasojnë, në asgjë nuk kemi kohë për të humbur.
*
Me kapardisjen jemi përshëndetur
vend në oxhakun tonë nuk kemi ofruar
këngë për spahillaret nuk thuren
familja punëtore me djersë të vetin jeton.
*
Familja krekosjes nuk njeh tonalitetin
kryefjalën kemi larguar
spahiu, mbiemër si mijëra të tjerë
kryeneqësia në oxhakun e shenjtë nuk ekziston.
*
Nuk ndërtojmë aureolën e kohës
unin që rrënon dinjitetin
shkallëve të jetës ngjitemi me arsimim
penën, kokën kthejmë vrazhdësisë.
*
Nuk kemi nevojë për ndihmë, ofrojmë dorën mirësisë
portën për ndershmitë gjithmonë të hapur
paftuarit gozhditen në prag të derës
në këtë oazë nuk lulëzojnë lëvdatat e tepruara.