Në sallën e Kuvendit në Pejë, sot, më 18.10.2026, u mbajt promovimi i dhjetë librave të prof. dr. Indira Avdyl Hoxhës.
Duke vlerësuar veprimtarinë dhe kontributin e saj të çmuar, salla ishte e mbushur plot me intelektualë, poetë dhe shkrimtarë nga Tropoja, Tirana, Shkodra, SHBA-ja, Skandinavia, si dhe bashkatdhetarë nga diaspora në Gjermani, Zvicër e vende të tjera.
Të pranishëm ishin gjithashtu shumë poetë dhe profesorë të artit, kulturës dhe letërsisë nga qytetet e Kosovës.
Për biografinë, veprimtarinë dhe punën e prof. dr. Indira Hoxhës në fushën e kulturës dhe shkencës folën veprimtarë, shkrimtarë, përfaqësues institucionalë nga komunat e Kosovës. Në pamundësi për të marrë pjesë, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i kishte dërguar një telegram përshëndetës. Mesazhe përshëndetëse i kishin dërguar edhe shumë mikesha të saja nga diaspora.
Prof. dr. Indira Hoxha i falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe përkrahjen, duke bërë të ditur se së shpejti do të botojë një libër shkencor kushtuar trashëgimisë kulturore për rolin e odave të burrave në mbarë Kosovës.
Nën moderimin e zonjës Anila Kodra, e cila e drejtoi veprimtarinë me profesionalizëm dhe me një zë brilant, promovimi u përmbyll në një atmosferë të veçantë, nën tingujt e fyellit dhe me recitimin e disa poezive nga librat e autores, dr. Indira Hoxha.
Në fund të këtij aktiviteti kulturor u shtrua edhe një koktej, si shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për të gjithë pjesëmarrësit në promovimin e librave të prof. dr. Indira Hoxhës.
“””””””””””””””
PROFILI I SHQIPONJËS SË BELLÈS
Një vullkan shpërtheu e s’më la të qetë,
Nuk jam puthadore,
O të mjerë!
Jam shqiponjë Belleje e kreshtave të kreshnikëve,
S’më ndaloni turrin se jam llave vullkani,
As Ti, as Ai,
As heshtja juve.
Nuk ma ndalojnë turrin
As Ata që kritikën e kanë në majë të gjuhës,
As Ato që pëshpëritin si vejushkat rrëzë gardhit,
As pritat tuaja natën e ditën.
Unë jam zjarri që ju ndez,
E zjarrin e kam uratë që njerëzia ma dha,
Fletë-fletë në flatrat e mia.
Nga të bëmat tuaja të kahmotshme,
Shpirti juaj gërmadhë po digjet pa zë,
Bashkë me bimët që u rritën nën hijen tuaj.
Gurgullimat i filluat si meritat,
Duke ma prishur rimën e vargjeve të mia,
E zieni si vegshi i fasules në zjarr,
Netëve të dimrit dikur.
Ju nuk ma ndaloni rrugëtimin e fjalëve të mia të arta,
Që si rreze dielli shkëlqejnë gjithësinë,
Si vello nusërie tutje horizonteve,
lindje e përendim.