3.5 C
Tiranë
E martë, 11 Shkurt 2025

A DO TË MUND TË NA KUSHTONTE MË LIRË LlRIA

Nga Dr.Liri Loshi

A DO TË MUND TË NA KUSHTONTE MË LIRË LlRIA

Është e drejtë e secilit të shkruajë çfarë të dojë në statusin e vet, por këto statuset prononcuese të secilit individ disi dukën shumë të mërzitshme dhe sterile qoftë edhe për çështjet më të rëndësishme. Për shembull, në vend se të shprehim secili për vete falënderimet tona për NATON dhe SHBA-të, a ka mundësi që ta shtrojmë ndonjë pyetje apo mendim që nxit një debat produktiv qoftë edhe për të njëjtën çështje dhe falënderimet t’ua besojmë udhëheqësve tanë institucionalë. Nëse presidenti, kryetari i parlamentit, apo kryeministri e falënderojnë një shtet, apo një organizate ushtarake ndërkombëtare, ata këtë e bëjnë edhe në emrin tonë dhe ne mund të merremi me diçka tjetër, apo.

Për shembull, në këtë kontekst, për ta thyer mendimin tonë uniform, unë do të shtroja një pyetje, mbase “heretike” e që ka të bëjë me kontributin e SHBA-ve dhe aleatve të saj për lirinë tonë. Ja pyetja:

A ka bërë SHBA dhe aleatët e saj punën më të mirë me rastin e intervenimit të tyre ajror kundër caqeve serbe për ta shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi serb?

Meqë pyetja është e hapur për të gjithë, po e jep unë së pari mendimin tim. NATO ka bërë punë të mirë, sepse intervenimi ka qenë vendimtar për kapitullimin e Serbisë. Mirëpo, nëse pyetja është specifike, si: a e ka bërë NATO punën më të mirë të mundshme, atëherë përgjigja del pak më e komplikuar. Ndonëse ky vlerësim i përket vetë politikës amerikane dhe aleancës verio-atlantike, as neve nuk na mohohet e drejta e pjesëmarrjes në debat.

Fillimi i bombardimeve me gjeti mes kodrave të Izbicës dhe Vojnikut (Drenicë) tek po kthehesha nga puna ime në ambulancën e Turiçefcit. Të gjithë ishim të entuziazmuar me krismat dhe flakët e para që shpërthyen mbi qiellin tonë. Nga entuziazmi që kisha dhe për ta pasur një njohuri më të mirë se çfarë do të ndodhte në vazhdim, mora në telefon një mikun tim në Prishtinë që sapo ishte kthyer nga konferenca e Rambujesë, ku sipas tij ishin dhënë premtime se fushata e NATOS do të arrinte efektin e saj brenda dy javësh! Por, ngjarjet që u zhvilluan pastaj shuan edhe entuziazmin tim, edhe parashikimin e gjeneralëve të NATOS. Në fakt, ishte vetë gjenerali Weseli Clark që kishte ardhur me një premtim para delegacionit tonë në Rambuje, se gjithçka do të përfundonte shpejt dhe Millosheviç do të dorëzohej brenda disa ditësh. Që të nesërmen forcat serbe filluan ofensivën e tyre më të egër gjatë luftës që do të quhej Plani Patkoi që kishte për qëllim futjen e njerëzve në rreth, masakrimin e tyre, djegien e shtëpive, shkatërrimin e pasurive dhe hapjen e një gryke për deportimin e grave, fëmijëve dhe të mbijetuarve tjerë përtej vendit.

Tani ne të gjithë e dimë se këto ishin ditë më të vështira për popullin e Kosovës. Për 78 ditë rresht NATO nuk i ndali sulmet nga ajri, por kjo nuk e pengoi ushtrinë serbe që ta realizonte në përpikëri planin e vet kundër shqiptarëve. Dëmtimet në njerëz të forcave të NATOS ishin pothuaj zero, kurse dëmtimet e Serbisë në njerëz ishin relativisht të vogla. Pala që pësoi dëme në permasa gjenocidale ishim ne, pala kosovare. Për dy muaj e gjysmë ne u dëmtuam dhjetëra herë më shumë se sa që ishim dëmtuar gjatë një viti të tërë në luftë me Serbinë.

Ne duhet ta dimë se aleanca verio-atlantike kishte ty opcione: intervenimin nga ajri dhe atë nga toka. Intervenimi nga toka do ta shpëtonte popullin tonë edhe nga okupimi, por edhe nga masakrimi dhe deportimi i tij. Pasojë e kësaj, do të mund të ishin dëmët në njerëz dhe teknikë luftarake të NATOS. Por, në rastin më të mirë ishte fare e mundshme që Serbia të dorëzohej pa pasur asnjë hapësirë dhe mundësi rezistence. Në vend të kësaj ndodhi opsioni i intervenimit nga ajri dhe tani të gjithë e dimë rezultatin e tij por edhe pasojat tona shumë të rënda.

Çështja pra, është a ka mundur ndryshe? Unë besoj se po. Por, normalisht se kjo mundësia ndryshe nënkuptonte edhe mundësinë për humbje të ushtarëve të NATOS, edhe pse, siç e thashë më lart, jo domosdoshmërisht. SHBA dhe aleatët e saj vendosën për një intervenim më komod e ky ishte intervenimi nga ajri.

Krejt në fund, do të ishte marrëzi të mendonim se do t’ia arrinim ta çlironim Kosovën pa NATON, pamarrë parasysh për vendimin e saj për mënyrën e intervenimit. Vetëm duhet të mos harrojmë se lirinë e kemi paguar shumë shtrenjtë. Ajo që dua të them është se me një strategji tjetër të miqve tanë perëndimorë, liria që fituam ka mundur të na dalë më lirë.

(Ripostim nga një vit më parë)

Nga Dr.Liri Loshi

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.