OH SA BUKUR, NUK NA KANË HARRUAR!
Fejton
Po, po, nuk na kanë harruar. Kështu e tha “I Gjati” që na ka parë e na sheh nga lart herë si miza e herë si lopë, herë me një erashkë në dorë që të na i prujë mos i përllongim fytyrën e herë si lopë për të na mjelë pa na dhënë asnjë dorë barë.
E tha copë, shkurt dhe qartë: “VOTA E DIASPORËS PËR NE NUK ËSHTË HARRUAR”.
Ky është lajmi më i gëzuar që kam lexuar sot! E përsërita në mendje duke tundur kokën disa herë dhe po e përsërisë me tundje të fortë koke e dridhje trupi: “Vota e diasporës për ne nuk është harruar”.
E kam lexuar sot thashë?
Gabim. E kam lexuar e dëgjuar sa herë ka pas zgjedhje vendore e kuvendare. Nga të djathtë e të majtë ulur në karrige pushteti, e nga të djathtë e të majtë ulur në rrugë ngjitur në podiume parlamenti apo në livadhe.
Edhe nga shoqëria civile, civile i thënçin se uniformë më të sofistikuar se ajo ushtarake ka.
E kush nuk e ka lexuar e dëgjuar? Në faqe gazetash e portalesh që i kanë ndarë punët; njeri ti bije gozhdës e tjetri patkoit? Në ekrane të vegjël “kombëtarë” që e fillojnë emisionin me krime e dhunime seksuale dhe e mbarojnë po me to, a thua se në Shqipëri mendimi e veprimi ka ra mes këmbëve?
E kush nuk ka shkruar për “votën e emigrantit” ?
Edhe unë kam shkruar, fejtone, bile me germa kapitale e në kursiv, me sarkazëm dhe ironi, sa herë ka pas zgjedhje, sa herë kanë ardhur për të na frymëzuar në dell të patriotizmit e të atdhedashurisë se duhet me u ngjit në autobusë me porosi e me e dhënë votën për ta.
Dhe që nga viti 1997, sa herë ka pas zgjedhje vendore e kuvendare kam votuar. Pa përjashtim.
Dhe jo vetëm unë por mbarë emigrantët.
Si kam votuar? E dinë ata, vjedhësit profesionistë…
A do të votojmë ndonjëherë?
Po shkuam atje, mbase.
Prej këtu ku jemi ngujuar nuk ma merr mendja.
Afërmendsh ndoshta…
E si të votojmë kur shteti ynë nuk na e din adresën?
Mua nuk ma din…
Po ju a ua din?
U fol nja katër a pesë vjet të shkuara për regjistrim të emigrantëve. U bë edhe një ligj me nene e ndërnene, me datë fillimi e datë mbarimi. Nuk u fillua asnjëherë. Merret me mend që as u përfundua. Pezull mbeti si të gjitha lidhjet me emigrantët…
Kosova, shteti më i ri në Evropë (por edhe në botë) e filloi dhe tak – fak e mbaroi. I ka të regjistruar emigrantët e vet me adresa, numër telefoni, postë elektronike…
Dhe i thirri në votime…
Dhe e përcollën votën…
Thjeshtë…
Kryeministri ynë që di shkrim e vizatim doli sot në foltoren e Kuvendit dhe tha: “Vota e diasporës për ne nuk është harruar”.
Aferim!
Unë nuk e besoj…
Nata e “votës së emigrantëve” është e gjatë, pa agim.
Kështu ka qenë me Berishën, me Nanon, Metën, Majkon…
Kështu do të jetë edhe me Ramën…
Është bërë aksiomë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 18 qershor 2020