13.5 C
Tiranë
E martë, 10 Dhjetor 2024

Nga.Jaku Alma

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

PENDIM

Gjithmonë i kam quajtur të marra,
Poezitë për bisedat telefonike,
Mesazhet që fshihen penduar,
Fjalë dhe simbole fshirë prej frike.

Nëse dashuritë do bëheshin “unsent”
Zemërimet e helmëta do i kisha fshirë,
Flokët e dëborës ortek do i bëja,
T’i paqtoja me zjarrin që në shpirt xixëllin.

Unë jam grua e ngjizur prej henës,
Me shpirtin e saj të çmendur hënor,
Si hëna detin me cikle të doja,
Por ja, pak nga pak u bë shumë vonë!

Vonë për unsent ,vonë për të puthur
Koha që ikën nuk paska më kthime,
Ylli u shua prej pikave të ujit
Vetë shkembi u bë pluhur-thërrime!

Por mos harro, nga pluhuri lind bota,
Lindin universet, lindin yje të tjerë,
Unë prapë pa dashje shoh nga qielli lart,
Se mos një komete e njohur do bjerë!

HUTIM

Mbi qiellin e Parisit fluturon tani.

Dhe ndjej se si Kulla Eifel
Të zgjatet dhe zgjatet të arrijë tek unë,
Të ngaterroj me një Meteor Qiellor
A me një Yll që digjet shkrumb.

Kurse unë nga toka poshtë fryjë retë ,
Më duken si çarçafët e tu të bardhë,
Pres që të zbuloj,
Trupin tënd që dëshirat m’i ngjall !

Me ligje gravitacioni bëhet pritja ime,
Kujtimi yt më bie mbi kokë!
Rëndesa e pritjes krijon Universin tonë,
Sepse je Qielli në qiell e unë Toka në tokë!

LULET E VONA

Ai më puth në cep të buzëve lehtë,
Por unë e ndjej stuhinë në ditën e qetë.

Butësia e tij ma kërcënon gjithë qënien time,
Tani i trembem pasionit tim, rrëmbimeve.

I trembem luleve të vjeshtës së vonë,
Me aromën e tyre më joshëse, më të fortë.

Lulet e dëborës që çelin mes borës acar,
Janë më të qëndrueshme se lulet e pranverës së parë!

BESOMË KUR THEM TË DUA

Besomë kur them të dua,
Mos shih me dyshim me sytë blu!
S’di as unë të të jap arësyen,
Ç’bëhet me mua, tek vjen tek unë?

Si një përrua që bëhet lum,
Dhe prek brigje kurrë pa shkelur
E brishtë jam gjer në shkrumb
Kur buzët e tua i puth e etur.

Çmontoji po munde përflakjen e syve,
Vullkanin e buzëve që zjarr shpërthen,
Provo, ne krahnor,a mund ta burgosesh,
Gezimin pa fre, qe shpirtit me del?

E di, unë jam grua e çmendur
Fundja poetët shekujsh kështu janë…
Me yje ngrohem, i mbajmë ndër gishta,
Kur bëj dashuri me ty përmbi hanë.

Ishulli Itakë…

Ne vargjet e mia ti rri fshehur,
Brenda çdo germe qëndron ti,
Aty çdo burrë do t’kishte pyetur:
Mos jam unë në kët’ poezi?

Si një sekret i koduar,
Ti bën çdo grua që të dojë,
Si Paridi nuk je i bekuar,
Por je si Uliksi mendjehollë.

Të puth e etur varg pas vargu
Edhe pse kët’ kurrë s’e beson,
Si me Uliksin, udhëtoj pandalur
Dhe mposht vetë Perëndinë Poseidon.

Me ty kërkojmë t’arrijmë një Ishull,
Që quhet Itakë a Dashuri,
Me krahët e tu Uliks, mbështjellur
Unë vetë jam Ishulli që kërkon ti.

KATËR FUGA PËR DASHURINË

1.
Ti je Kisha dhe Katedralja ime
Mëkatet që brejnë shpirtërat t’i rrëfej,
Dhjete shërbesat e kolonës vertebrale tënde
I prek me dorë, si një falje i ndjej!

Çdo puthje që jep me ëmbëlsi
I fshin mëkatet lehtësisht
Ashtu si bankë që borxhet t’i fal
Kur pasurinë e ke shpenzuar mirësisht.

2.
Sa herë që afrohem pranë teje
Ndjej peshën e mëkatit më të lashtë,
Duhej të kishe vënë një lajmërim
– Mos u afroni! Voltazh i lartë!

Më zë tundimi i trupit tënd,
Në çdo qelizë të trupit mbarë!
Kush tha se Xiordano Bruno po digjet?
A nuk e shihni se jam vetë në zjarr?

3.

Mbi kofshët e tua vë kokën time
Zbres poshtë të pi te kroi yt,
Thellësia jote është thellësi e detit
Që veç marinarin kurr nuk e mbyt!

Me thua te rri pa frike ,pa droje
Te mos them lutje ne purgator,
Ne dashuri,Ferri, Parajsa jane nje
Se helmi dhe mjalta shijojne njesoj

4.
Me thone se ferri eshte I mekatareve
Se parajsa eshte per ata qe s’gabojne
Kur jemi bashke ne aktin e dashurise
Ne te gjitha rruget e botes shkojme

Ciniket na thone- po shkoni ne Ferr
Se vete dashuria na qenka mekat!
O njerz qe s’dashuruat kurrhere
Lutuni per Ferrin q’e děsheroni,me zjarr dhe flake!

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.