17.5 C
Tiranë
E enjte, 22 Maj 2025

Abdurahim Ashiku

DIL NË PENXHERE E THUAJE NJË FJALË PËR DIBRËN LUAN RAMA

Ftesë

Të takon, je nip.
E nipërit, sipas zakonit, kur vnjejnë, e shkrepin, e bëjnë bam.
Jo me patllake, por me fjalë, me zë e figurë, atje në penxheren ku të shohim e të dëgjojmë natë për natë të hahesh për karrige me adashin tënd në llagap, Ramën e Gjatë.
Unë, personalisht, kur për herë të parë të kam parë në penxhere, të kam simpatizuar.
Mu shtua simpatia kur mora vesh se je nip në një ndër fshatrat më të bukur e me njerëz më punëtorë në Dibër, në Sohodoll.
Mu dyfishua kur mësova se ke lindur në Rabdisht e ke ecë atje për herë të parë duke vrarë gishtat e vegjël gurëve të rrugicave të kalldrëmta…
Je rritur e ke mësuar të shkruash e lexosh shqipen e bukur në Viçisht…
Nuk e di në se ke qenë në Martanesh, vendlindjen e babait dhe rrënjët e vjetra të fisit Rame, je ngjitur ndonjëherë nëpër ato shtatëdhjetë e dy kthesat që lidhin fshatin Peshk me atë të Valit, i njohur ky në tërë Matin e Grykën e vogël për mbarështimin e dhive e për kreun e tufës “Cjapin e Valit”.
Jam njohur me ty kur ishe student në Institutin Pedagogjik të Shkodrës (kështu quhej atëherë), kur dole në dritaren televizive dhe i munde të gjithë shokët e shoqet në konkurs.
Me meritë, me dinjitet, me dije e kulturë.
Aty, pikërisht në atë konkurs, fiksova portretin tënd, zërin e një tetëmbëdhjetëvjeçari që kishte në magje miell e dinte të lidhte brumë e gatuante bukë…
Më vonë do të njiheshim afër e afër, do të takoheshim e në një moment do të të bëja një fotografi në Viçisht…
Fotoja dhe shkrimi mbaj mend që u botuan në një revistë…
Po i kërkoj në mes dhjetëmijë negativëve të arkivit tim dhe njërën po ta përcjell…
Në vijim do të na lidhte shtypi deri kur unë, për ti shpëtuar dhunës u detyrova të marr arratinë, arrati që e vazhdoj tash një çerek shekulli…
Për ikjen time nuk dole në penxhere ashtu si nuk dolën as drejtuesit e PS në Dibër e as ata  në qendër. Halle koke kishin pas dhunës së 28 majit 1996 në sheshin “Skënderbej”. U shpërndanë sa në Maqedoni, sa në Greqi e gjetkë.
U ktheva një vit më vonë…
I takova një më një…
I kishit puthitur e ngjit me zamkë të ndenjurat pas kolltukëve rrotullues në 360 gradë…
Për mua nuk pati vend as në gazetë e as në Shqipëri.
I zutë të gjitha…
Megjithatë shpirtërisht atje mbeta,
atje jam,
atje do të jem.
Në Shqipëri…
Por më shumë në Dibër…
Atje jetoj ditën, atje ngrysem, atje zgjohem…
Tash jam në merak se I Gjati ka deklaruar se do ta mbysë Dibrën.
E bën ai se ka jo një por disa dërrasa mangët.
Ka edhe një mëni patologjike për Dibrën…
Më të madhe se vlonjatët që dogjën deri pulat në kotec në Çidhën…
Mendjen e ka në Vlorë, ku siç pat thënë njëherë (e unë bëra fejtonin “Nip në Vuno”) donë të pleqërojë me Koçon e për këtë do çajë Karaburunin e për 13 minuta në vilat e veta e të Koços do shtrihet të pleqërojë.
Ti del nganjëherë në penxhere e ia hedh ndonjë romuz, nga ata të llojit “shkumë deti”.
Por unë, me atë gjak që të përshkruaja, tëndin por edhe të fëmijëve, se dhëndër Dibre më kanë thënë se je, të dua të dalësh natë për natë në penxheren digitale e ti thuash se je Dibran dhe se nuk do të lejosh që të mbyten vatanet e tua.
Po u lodhe natë për natë, dil një herë në dy net, alternohu me Monikën se edhe ajo Dibrane është.
Çoi një fjalë edhe deputetit tuaj të listës Mondit që të dalë në foltoren e Kuvendit dhe tua hedhë bojën në tokë ca deputetëve dibranë socialistë që i shkojnë pas Ramës si qengja të grigjës.
Nuk e di a do të vijë deri në veshin tënd zëri im.
Nuk e di a do të vijë deri në sytë tuaj germa e ftesës time  për të dalë në penxhere…
Ndërkohë duke sjellë në mend atë hallexhiun që i kruheshin hundët në kuvend them:
As ke për të dalë në penxhere…
As ke për të folur…
As ke për ti dalë zot Dibrës…
Kur nuk e bëjnë këtë djemtë…
Lëshoju dushke nipërve…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 12 korrik 2020

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.