16.5 C
Tiranë
E mërkurë, 23 Prill 2025

Albert Z. ZHOLI

 

Pikasso shpiku kubizmin me anë të së cilës  donte të përcillte formën e një shprese të re të jetës.

Dy pikturat e reja moderne të Aleksandër Dragotit që përcjellin realitetin shqiptar.

-Dragoti është ndër piktorët e pakët që ka në Muzeun Kombëtar të Athinës 8 piktura

-Pikturat e tij ndodhen edhe në shtëpitë e politikanëve grek si Simitis, Micotaqis, apo Dora Bakojanis

Albert Z. ZHOLI

Aleksandër Dragoti është një ndër piktorët shqiptarë që tashmë njihet jo vetëm për pikturat e tij cilësore, por edhe për shembullin intelektual ku shpesh herë guxon që me penel të kritikojë problemet e ndryshme politiko-sociale në Shqipëri. Ai tashmë numëron në prodhimtarinë e tij rreth 500 piktura si kompozime, peizazhe, portrete, natyra të qeta, por ku mbizotëron  piktura abstraksioniste, moderne e cila është pëlqyer shumë në Greqi. Aktualisht, Dragoti është ndër piktorët e pakët Ballkanik por edhe ata grek që ka në Muzeun Kombëtar të Athinës 8 piktura. Dhe këto piktura janë pranuar nga një komision special duke e lartësuar dhe vlerësuar maksimalisht pikturën e Dragotit. Në këtë muze janë 8 piktura të titulluara “Athinaja nudo” në stilin modern, abstraksionist, ku Ahthinaja e famshme greke shfaqet në pozicione të ndryshme nudo duke fshehur pjesët intime, ku dalin në pah bukuria, fisnikëria, por dhe mendimi i saj filozofik si një ndër femrat më të ditura në botë. Këto 8 piktura mbeten ndër më të komentuarat në Muzeun e Athinës. Përpos këtyre pikturat e Dragotit ndodhen edhe në shtëpitë e politikanëve grek si Simitis, Micotaqis, apo Dora Bakojanis. Ndërsa në dy pikturat e reja Aleksandër Dragoti shpalos  disa ide dhe mendime tepër filozofike, që përbëjnë një risi në pikturën e tij moderne.

 

Piktura e parë e tiulluar “Revolucion”

Kjo pikturë denoncon problemet e shumta sociale të kohës që jetojmë në atdheun tonë.  Nëpërmjet vijëzimeve, formave abstrakte  autori denoncon shkatërrimin e materies, të normalitetit, pasi sërish ka filluar të instalohet hakmarrja që është humbja e koshiencës.  Mes mugëtirës së problemeve të shumta këta njerëz hakmarrës ecin në përditshmëri mbi një bazament të thyer.  Autori diku në qendër të pikturës ka vendosur  pionierin e ri, atë pionier të njeriut real të jetës, i cili duhet të dominojë, të bëjë kthesën.  Ky njeri është i rrethuar nga mediokriteti . Pamja e tij, dora e shtrirë për largim, tregon dhe tenton të përcjellë dëshirën e njeriut korrekt për ta zmbrapsur këtë mediokritet.  Në shumë poste, në shumë organizata këta mediokër me brutalitetin, nënvleftësimin, përbuzjen që i karakterizon nga mosformimi i duhur përbëjnë një shëmti të shoqërisë. Ata janë kthyer në bastardë që vetëm mendojnë fitimin e pandershëm.  Ata e keqkuptojnë demokracinë. Demokracia nuk do të thotë humbje virtytesh apo humbje morale. Jo! Duhet të jetë e kundërta.  Ndaj të mësuar me këtë ideologji përfitimi, autori do të tregojë se aktualisht sëmundja më e keqe e shoqërisë është ideologjia  e gabuar dhe jo kanceri. Pikasso shpiku kubizmin me anë të së cilës  donte të përcillte formën e një shprese të re të jetës. Atë të jetës me rregulla, norma bazuar mbi aftësitë, nivelin  dhe punën e ndershme.  Ndaj politika shqiptare ecën kundër rrymës, kërkesave të popullit  pasi ndërtesën e demokracisë  nuk e sheh në këtë prizëm, në këtë këndvështrim. Përkundrazi,  ndërtesa e demokracisë së brishtë shqiptare në këto 30 vjet  ka filluar nga kati i 30 pa çati dhe që kjo çati në gjuhën e piktorit quhet absurditet.  Nëpërmjet simbolikave të vijave dhe formave të ndryshme autori formëzon disa thika imagjinare  që janë pjesë e problemeve botërore. Këto thika nuk janë pambuk, por metali që presin dhe tregojnë atë pjesë të realitetit botëror si varfëria, skamja, luftërat lokale, që ndikojnë dhe në problemet e shoqërisë shqiptare. Portreti  tjetër i sfumuar në qendër të pikturës   qartëson një klloun gjysmë njeri që luan me njerëzit dhe nuk po kupton fatin e tij. Vjen momenti që këta njerëz po ndërgjegjësohen për realitetin që jetojnë dhe po reagojnë. Kjo pikturë në vaj me përmasa 3,5 X 1.5 metër përbën një evolucion në krijimtarinë e Dragotit.

 

Piktura e dytë e titulluar “Lindje dhe Perëndim”

Tek kjo pikturë autori tregon pozicionin gjeografik por edhe shpirtëror të Shqipërisë. Historikisht shqiptarët kanë dashur të jenë me perëndimin, por koha, pushtuesit, udhëheqësit i kanë orientuar drejt lindjes. Kjo është historia e Shqipërisë dhe shqiptarëve, një luftë jetësore ndërmjet lindjes dhe perëndimit që e kanë sfilitur historikisht. Në këtë pikturë dominojnë 3 ngjyra: E kuqja ngjyra e dashurisë njerëzore, e triumfit njerëzor. E kaltra që tregon hapësirat e pafundme të jetës dhe globit.  E verdha ngjyra e pastër, që të bën të reflektosh dhe kërkosh paqe, mirësi. Të tria këto ngjyra janë në unitet siç i ka krijuar Perëndia  ku e verdha e paqtë, përqafon të kuqen e gjithësisë të cilat shkrihen në kaltërsinë oqeanike dhe atë qiellore.  Të tria ngjyrat janë dhënë në formë kubiste në vijim të idesë së Pikasos, ku ky unifikim ngjyrash është forma e një shprese të re të jetës. Piktura  është në vaj dhe ka përmasat 1 x 2 metër.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.