16.5 C
Tiranë
E enjte, 20 Mars 2025

Armenida Qyqja

-MENDIMI YT-
Agim i purpurt dhe ajër i ngrirë…
Buzët tona shoh të puthen atje lart,
Mallin ndezin në qiellin e përgjumur,
Shpirtin t’më ngrohnin mes dimrit…
Mendimi yt ka fuqinë në mua,
T’më marr e të t’më shpjerë në tjera stinë,
Atje, ku e lumtur është përherë zemra,
Sepse të sajin e ka diellin, dashurinë…
Agim i purpërt, mëngjes dhjetori,
Teksa hapat e dritës drejt teje zvogëlohen,
Në qiellin tënd po puthemi tani,
Detit tok me ty, mushkëritë i zgjerohen…
-ARMENIDA-
(Dhjetor 2022)
-MOLLA E ARTË NË DUART E ZOTAVE-
Nuk ka turp njerëzimi, Alan,
E harroi dhe fytyrën tënde, bir,
Imazhe të tjera vendin ta zunë,
Nga Siria gjer në Ukrainë…
Në bregun e shpresës flijuar të harruan,
Ashtu siç harruan Krishtin në kryq,
Perënditë që kurrë në lavdi s’u ngopën,
Në luftëra të reja i ngasin i çdo ditë…
Të harruan Alan, në gjak e dallgë mbytur,
Ashtu si mijëra foshnje para e pas teje,
Lodër është lufta, lodër e vjetër,
Molla e artë në duart e zotave…
-ARMENIDA-
(Dhjetor 2022)
-PRAG KRISHTËLINDJESH-
Ti vdes çdo ditë e më shumë,
Atje, në vitrinat e stolisura, mes dritave,
Ku ditëlindja jote shitet në treg, plot zhurmë,
Mes thirrjeve dhe tringëllimave të zilkave.
Ti vdes dhe më dhimbshëm se atë ditë në kryq,
Kur Juda të këmbeu për një qese me para,
Mes qiellit, plagët e shpirtit të pikojnë gjak,
Teksa miljona njerëz, ditëindjen tënde,
Blejnë dhe shesin ende në pazar…
-ARMENIDA-
(Nëntor 2019
-SHTËPIA E ZEMRËS-
Në sytë e tu të kaltërt ka diçka të bardhë,
Diçka që më bën ëmbël në ty të dorëzohem e tëra,
Kush do ta mendonte kaq të paqtë
Pushtimin e një armate neuronesh ngjizur në luftëra?!
Si një fëmijë që lazdrohet para një pasqyre
Shtriqem në qelqet e tyre
Dhe duke dashur më fort ty dhe veten,
Në heshtje të ftoj: Merrmë!…
Në sytë e tu të kaltërt ka diçka të bardhë,
Diçka të afërt e të largët, përtej kësaj bote,
Diçka që rrugëtimit të rrahjes i jep kuptimin,
Më së fundmi zemra ka gjetur shtëpinë…
-ARMENIDA-
(Dhjetor 2022)
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.