Gjatë karrierës time ushtarake, duke filluar nga kadet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” jemi rritur si të thuash me Himnin Kombëtar, ku çdo ditë para fillimit të mësimit, gjatë ceremonisë së ngritjes së Flamurit, këndonim Himnin Kombëtar. Po kështu në shkollën e marinës dhe gjatë shërbimit në Flotën Luftarake Detare.
Jam ndjerë shumë krenarë, ku në detyrën e Atasheut Ushtarak të Mbrojtjes, në aktivitete të zhvilluara në akademitë ushtarake në Itali, ku studionin kadetë shqiptarë, në ceremonitë me rastin e festës sonë Kombëtare, ngrihej lart Flamuri ynë Kombëtar duke u shoqëruar me këndimin e Himnit tonë Kombëtar. Po kështu, kujtoj se gjatë ceremonive që zhvillonte ambasada me rastin e festave të 28-29 Nëntorit, çasti më solemn ishte kur ekzekutohej Himni Kombëtar përpara autoriteteve të larta shtetërore italiane dhe ato të aktedituara në Itali dhe momenti më i rëndësishëm në jetën time ishte “ Ngritja e Flamurit tonë Kombëtar duke u shoqëruar me ekzekutimin e Himnit të Flamurit” në Komandën e Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli-Itali, 3 Prill 2009.

I shkrova këto pak rreshta për të treguar sesa krenar ndihesh kur simbolet e tua shtetërore respektohen jashtë atdheut. Prandaj, gjithmonë e kam patur në zemër se si duhet të bëhet si ushqimi që marrim tek brezat e rinj. Erdhi momenti që duhet ta nxirrja nga “sirtari” i zemrës që e kisha ruajtur fort. Kisha marrë një detyrë në një qark në jug të vendit, në Gjirokastër. Ishte viti 2018 dhe po afronte data e Flamurit. Me ndihmën e bizesmenëve dashamirëse të Gjirokastrës, që me këtë rast i përshëndes dhe i uroj sa më shumë suksese, blemë 100 flamuj kombëtarë dhe 100 flamuj të BE, 100 cd ku kopjuam “Himnin e Flamurit të Shqipërisë” dhe “ Himnin e BE”, si dhe përgatitëm 100 pergamen (përshëndetje) për çdo nxënëse e nxënës të klasave të pesta të shkollës 9-vjeçare “ Koto Hoxhi” në Gjirokastër. U zhvillua një aktivitet i mirëorganizuar nga institucioni i Prefektit të Qarkut, Drejtorisë Rajonale të Arsimit dhe Drejtorisë së Shkollës. Ishte një festë mbresëlënëse ku të gjithë kënduam “Himnin e Flamurit” dhe momenti më domethënës që u fol gjatë nga qytetarët gjirokastrit ishte kur ju dhurua nxënësve të klasave të pesta një pako ku ishte Flamuri Kombëtar shqiptar, Flamuri i Bashkimit Evropian, një disk për të dëgjuar himnin kombëtar shqiptar e himnin e Bashkimit Evropian dhe një pergamen ku ishte shkruar përshëndetje për çdo nxënëse e nxënës.
Aktiviteti na dhuroi emocione të veçanta falë edhe angazhimit të mësuesve dhe nxënësve të ciklit fillor të asaj shkolle.
Mesazhi ynë ishte që ajo pako të mos konsiderohej siçdo dhuratë që të jepet, por një pako simbolike kuptimplote, që Flamuri ynë Kombëtar të shpaloset në një pozicion nderi në vendin e banimit të çdo nxënësi në festën kombëtare.
Ky ritual u përsërit edhe vitin tjetër, 2019 në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Libohovë dhe do të uroja që ajo traditë e bukur të vazhojë jo vetëm në qarkun Gjirokastër, por të bëhet virale në gjithë vendin.
Gëzuar Festën e bukur të Flamurit