Nje njeri i shtrenjtë i familjes, në koleksionin e vet kishte çuditurisht edhe këtë foto, ku kam dale rreth moshës 4 apo 5 vjeç bashkë me vëllanë tim të dytë që quhej Razip, i cili në këtë periudhë ndiqte “Liceun artistik” për pikturë.
Vite më vonë, kur i premtonte koha, ngrinte telajot mbi tavolinë e pikturonte zakonisht peisazhe, apo ilustronte ngjarje që i nxirte nga leximet, veçanërisht nga historitë e moçme ruse.

Duhet të kem qenë rreth të 15-ave, kur ai po pikturonte në vaj, një peisazh të një gjiu në det. Sipër gjiut, rrethuar mes dy kodrash, një shtëpi fshati në mes të gjelbërimit, me tre seksione të shkallëzuara. Nga sipër, dukej sikur ndriçonte me një blu të çelët një qiell maji apo qershori, që shkrihej nën ujin e sipërfaqes të limituar të detit dhe që ngjante më tepër me një liqen që lëkundej lehtë fare nën puhizën e mesit të ditës.
Më hyri menjëherë në qef kjo që po pikturonte im vëlla. Gjatë gjithë kohës e ndiqja nga një cep krevati mbrapa tij. Kaq shume u ambientova me atë pikturë, sa njihja çdo degë peme apo tufe shkurresh. Ndofta e mbaroi per rreth një muaj pune. Kur e firmosi më pyeti
– Të pëlqen?
– Shume! Eh sikur te kishim një shtëpi të tillë…
– Si thua t’i shtoj gjë tjetër?
E pash me dyshim…
– Po ja, sikur të shtosh ndonjë pemë para shtëpise si dhe ndonjë varkë në det. Eh, të kishte edhe ndonjë qerre në rruginë …
Fantazi femijesh! Kanë qenë vite të vështira për familjen time (si mijra të tjerë) në ato kohëra. Nëntë vetë në dy dhoma e kuzhinë, që edhe kur binim për të fjetur bënim kujdes mos shtypnim njeri tjetrin.
E “doja” krejt atë shtëpi të pikturuar për vete! Më mbushte me shpresë se ndonjë ditë edhe ne mund të mernim frymë si aty, brenda asaj më “të mrekullueshmes” pikturë në botë që e kishte bërë im vëlla.
Më pa duke rrudhur vetullat.
– Jo, kjo është pamja reale. Është në Dhërmi e nuk është mirë ta ndryshoj…
Nuk e pashe më pikturën. Zakonisht punet i amballazhonte dhe i mbyllte …
* * *
Jo, e pashe! E pashë, por mbas 20 vitesh. Kur mora shtëpi të re ku jam sot, më bëri vizitën e kortezisë dhe duke ikur më la një pako të amballazhuar së bashku me një kartolinë : “Ta gëzosh shtëpinë e re! Nuk është si ajo që ke dashur që femije, por unë do të ndihmoj pak”.
Mbeta i habitur. Ne dorë kisha shtepinë pikturë, me te cilën kisha 20 vite që isha “ndarë”. Vetëm me një ndryshim. Ishte shtuar një pemë para saj dhe në thellësi të detit, zbardhte vela e një varke. Nuk ishte shtuar ajo qerrja që i kisha “sugjeruar”. Në fund ishte sigla e tij dhe viti i ripunimit 1984.
Për fat të keq, aty nga fillimi i vitit 2001 u ndje i rënduar. “Lëviz” e kishte porositur mjekiu. Me pak siklet zbriste deri në qendër, e aty rreth orës njëmbëdhjetë kthehej për në shtëpi, me gazeta nën sqetull e me shpresën se lëvizja e kishte përtërirë.
Nga mezi i ditës kthehesha në shtëpi një të djelë, e sapo kalova godinën e Muzeut Kombetar andej nga krahu i rrugës te “Durresit”, vura re tim vëlla ulur ne borduren e mermerit. Kishte një pamje disi të lodhur e të zbehtë. Buzeqeshi sapo më pa.
– Nga te prisja e nga me dole!
– Po çfar bën këtu vetem!? Pse nuk ngjitesh ne shtepi?
E kisha fjalen për shtëpinë time e cila eshte tamam aty, nga ana tjeter e rruges, ballkoni i te cilës dukej fare mirë nga ai pozicjon.
– Jo, do kthehem avash avash në shtëpi.
– Po pse vetëm xhanem? Ku e ke atë shokun tënd?
U shqetësova pa masë. I pamundur nga sëmundja që e mundonte, mu duk si në hall e i nevojitej ndihmë.
– Ore burrë i dheut, po nuk mund të rrij njeriu kështu kot në mes të rrugës! Ja ku e ke shtepinë, pesë hapa larg!
Vahhdonte e buzëqeshte lehtaz, pa e patur fort mëndjen te fjalët që i thoja.
– Nuk kam gje more jo, s’kam gje e mos u be merak…
– Po ç’ben ketu pra …?
Ma kapi doren për mbështetje duke u ngritur nga bordura.
-E ja, mendoja se mos dilje në ballkon e më pas të ikja. Mu fiksua qysh në mengjes, o do të shihja sot ose do “pëllcisja”. Ja të pash! Tani do iki e mos u bë merak.
Më përqafoi dhe u nis për në shtëpinë e vet. E ndoqa me sy. Ndaloi pas disa hapash e ktheu kokën :
-E di që bëra gabim atëherë kur nuk i “shtuam” asaj pikturës “tënde” atë qeren! Por … kësmet.
Në fakt nuk e pati më të mundur të lëvizte. Shpejt fare zuri shtratin dhe një ditë … ndëroi jetë.
Unë nuk besoj në zot! Por kushedi? Shpesh kur hedh sytë nga piktura e tim vëllai, më duket sikur i kam hypur asaj qeres që imagjinoja dhe duke ju larguar këtij qameti prej betoni e zifti që na mbyt, vete për ditë aty në mes të atij gjelbërimi e më duket sikur shikoj tim vëlla me kavalet përpara.