NGA “NXËNËS I SPIKATUR I SHEKULLIT” NË ÇEPAN – INTELEKTUAL DHE USHTARAK I PROFILIT TË LARTË NË NDERIN E FA-ve..
– Sot në datëlindjen e 75-t të ARSHIN ÇELËS, e ndërprerë së festuari prej 8 vitesh! –
Kush nga brezi i tij, apo dhe breza më para e pas, nuk e ka njohur direkt apo jodrejtëpërdrejt, e pse jo edhe admiruar, oficerin e pasionuar, të etur për dije dhe shumë dinamik, që spikati ndër shokë, shpejt, për inteligjencën, këmbënguljen për të përparuar gjithanshmërisht, njohuritë e gjera dhe mirësitë që mbart’te, veprimtarin e talentuar, të palodhur e plot risi të rinisë, drejtuesin përherë bashkëkohor, racional, nxitës, bashkëpunues e të suksesshëm, pedagogun eurudit, plot talent dhe elokuent, redaktorin e botimeve dhe studiuesin skrupuloz shkencor, e mbi të gjitha njeriun qytetar, të urtë e fisnik në gen si djalë, bashkëshort a prind e gjysh model, si qytetar plot vlera, parime, mirësi dhe pozitivitet, avokatin (jo vetëm si profesion) të njerëzve të mirë, e sidomos të atyre që shfaqeshin pak më të brishtë apo edhe në nevojë, gjerësisht të nderuarin, tashmë në amshimin e pasosur, Arshin Çela?
Unë, si njëri prej atyre që pati privilegjin ta njihte Atë edhe nga afër, duke e patur edhe pedagog në Shkollën e Lartë V.I. Lenin, madje, vite më pas, rasti e solli edhe të punonim bashkërisht në strukturën juridike të Ministrisë së Mbrojtjes, natyrshëm e njerzishëm sot do të kisha shumë kënaqësi që ta nisja mbarë këtë ditë të pasfestave të mëdha kombëtare, duke i uruar pedagog apo shef Arshiut 75- vjetorin e lindjes.
Apo nëse do t’i binim telefonit të shtëpisë dhe do të na pergjigjej “sekretarja” speciale e tij – mbesa që gjyshi e donte pafund, si dikur kur e telefononim për punë, t’ja uronim edhe Asaj e gjithë familjes, duke kërkuar të na lidhte me gjyshin e shtrenjtë. Por fati, ah fati që jorrallë është edhe i padrejtë, nuk paskësh qenë bashkëudhëtar besnik i tij, ashtu sikurse ishte dhe e meritonte Arshini i mirësive. Tashmë, prej 8 vitesh, nga 25 prilli 2013, pas një sëmundjeje të rëndë, pushoi së rrahuri përgjithnjë zemra e bardhë e fisnike, ende e re, e këtij njeriu aq të mirë, duke lënë në pikëllim të thellë bashkëudhëtaren e tij të shkëlqyer të jetës, Luiza, për të cilën Arshini fliste me nektarin e zemrës, si dhe vajzën, djalin… dhe gjithë njerzit e dashur, kolegë, miq e dashamirës që Ai i kishte aq të shumtë.
Ja dhe disa të dhëna, për ata që nuk e njohin, se kush ishte A. Çela: Ishte djali që sollën në jetë njerzit e mirë, baba Hatemi dhe nëna truppakët Semiko më 30.11.1946 në Gostenckë, në Çepanin e mirënjohur të Skraparit. Po aty Arshini mori edhe mësimet e para, duke shkëlqyer për inteligjencë e përparim të lartë, qysh në 7-vjecare dhe merituar çertifikatën “Nxënës i spikatur i shekullit” të kësaj shkolle. I ardhur në jetë nga prindër sojli, por të varfër dhe pa ndonjë përkrahje, në periudhën 1960–1964 iu përkushtua plot pasion, këmbëngulje dhe rezultate të larta Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe më pas dy vite të tjera në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, aty ku, për shkak të sakrificave deri edhe vetëflijuese, për e në emër të Atdheut, zakonisht shkonin bijtë e bijat e fshatarëve e njerëzve pa pushtet.
Pas titullimit oficer, Ai u emërua dhe shërbeu, me shumë përgjegjshmëri e devocion, në detyra të ndryshme në garnizonet Pukë e Tiranë. I motivuar e sipas parimit të Kastriotit të Madh për t’ju falur virtytit, jo fatit, duke ra në sy të eprorëve dhe vlerësuar për temperamentin e aftësitë e tij në zhvillim të vazhdueshëm, kërkesën e rreptë ndaj vetes për t’u rritur intelektualisht e profesionalisht, si dhe integritetin e tij, në moshë ende të re, u emërua instruktor për rininë në Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Si kuadër me të ardhme u dërgua shpejt për studime në Shkollën e Lartë të Partisë “V.I.Lenin”, ku hyri si student dhe në përfundim të programit të studimeve, përzgjidhet me meritë të emërohet po aty si pedagog, madje duke u bërë një nga më të nderuarit. Me këtë ”mëkat” e ”njollë të rëndë” në CV-në e tij, pas ndryshim-përmbysjeve e të quajturave reforma të fillimviteve 1990, ndëshkohet me nxjerrje në lirim, ashtu si shumë e shumë ushtarakë plot vlera, sakrifica e kontribute…
Por, në fund të ’97-ës, rikthehet sërish në FA me gradën kolonel si shef i Degës Juridike të MM-së, meqenëse krahas tjerash ishte i diplomuar jurist në fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, sikurse kishte ushtruar edhe profesionin e lirë të avokatit. Në vitet 1999–2000 dhe 2003 e vijim punoi pedagog në Akademinë e Mbrojtjes dhe në Universitetin Ushtarak – ”eksperimental”, kurse në atë periudhë të ndërmjetme, për 3 vite, shërbeu si këshilltar ligjor i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA. Gjithashtu Ai pati përfunduar Kolegjin Ushtarak pranë Akademisë se Mbrojtjes, Kursin e Lartë të Filozofisë dhe një seri specializimesh e pjesmarrje në seminare e konferenca me tematikë të larmishme, në Europë e SHBA, falë edhe njohurive që kishte në gjuhët angleze e italiane. Është autor i disa zërave në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar 1985, autor i librit monografik “Ushtria drejt NATO-s”, viti 2010 dhe bashkautor në libra të ndryshëm me karakter sociologjik e juridik. Dhe, si një profil i lartë, ushtarak e shkencor, përvecse i dekoruar disa herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me përpjekje të admirueshme Arshini kishte arritur të merrte qysh herët titullin ”doktor i shkencave” në sociologji dhe më pas atë ”Profesor i Asociuar” si personel akademik.
Gjatë periudhës që punuam bashkërisht në strukturën juridike të Ministrisë, Arshinin e kishim jo vetëm shef, por, në aspekte të ndryshme, edhe mentor, siç Ai e kishte në natyrën e tij partneritetin zhvillimor, që të ndante me të tjerët njohuritë, shprehitë, shkathtësitë, idetë, informacionet dhe perspektivat për t’i kontribuar fisnikërisht formimit të mëtejshëm personal, institucional dhe profesional të studentëve a kolegëve, sidomos atyre më të rinj. Veç Atij, ne ishim numerikisht një ekip i kufizuar: Engjell Gjondeda (më i hershmi ndër ne), Bardhyl Xhafa që se mbaj mend saktë nëse na u bashkua para apo pas ardhjes së Arshinit (por që më pas pata kënaqësinë t’a kem koleg e bashkëpuntor të afërt e dinjitoz) si dhe Unë, që ”komandant” Arshiu më ”emëroi” si shef shtabi, detyrë të cilën s’më kishte rastisur ta kryeja me trupa. Arshiu që njihej si mjeshtër i komunikimit, të jepte besim, sikurse natyrshëm e meritonte edhe t’ia jepje, por edhe e kërkonte justifikimin e besimit. Dhe në marrëdhënie mirëbesimi pune, Ai kishte zakon që meritat u’a dhuronte vartësve, siç ishte i gatshëm që të merrte mbi vete çdo përgjegjësi pune të vartësve, apo nga puna në grup. Ai të jepte detyrën, të linte të punoje, madje të krijonte edhe mjedis të ngrohtë e produktiv dhe komoditetin e nevojshëm. Nuk i përkiste asesi rracës së drejtuesve që i linin vartësit të ekspozuar e riskuar para ndërhyrjeve e presioneve gjithëfarëshe, anësore apo vertikale qofshin, pasi me ato Ai e quante detyrë dhe dinte të përballej vetë. Vartësi duhet të punojë siç duhet, drejtuesi – të mbikqyrë dhe luftojë kur duhet, thoshte Ai.
…Por Prof. Asoc. Kol. Arshiu inteligjent e shumë miqësor, skraparli i ”rrafinuar” dhe lezet auditori, por edhe tavoline, i qeshur dhe gazmor, kishte pjesë të karakterit edhe humorin e hollë, të shëndetshëm, produktiv dhe që i vinte aq natyrshëm.
Dhe si për mbyllje, një grimcë të zakonshme përtej kufijve…
Qëlloi që kur ishte këshilltar ligjor i SHSHP, në 2001-n me sa kujtoj, bashkërisht morëm pjesë në një seminar për Ligjin Humanitar Ndërkombëtar, që u zhvillua në Varshavë, Poloni. Përgjatë një kokteil-i, po bisedonim me një koleg jurist në Ministrinë e Mbrojtjes së Rumanisë, i cili kishte udhëtuar për atje me makinën e tij, duke marrë me vete edhe bashkëshorten e vajzën. Pasi biseda u zhvesh nga formalitetet e diplomacia formale, duke kaluar nga hershmëria e marrdhënieve e miqësisë mes dy popujve dhe hyrë gradualisht në hullinë e përditshmërisë e problematikave njerëzore, kolegu rumun po na fliste për vajzën e tij, me të cilën ishte i shoqëruar edhe në këtë bisedë miqësore. Ajo para një viti kishte përfunduar suksesshëm studimet universitare për financë, por ende nuk ishte stabilizuar me punë të rregullt. – Unë kam punuar me kohë të pjesshme, në një bankë, qysh gjatë studimeve, sikurse edhe vazhdoj ende, por tashmë ky, aq sa është angazhim i pamjaftuesshëm kohor e fizik, është edhe më i pamjaftueshëm financiarisht, – na pohoi e preokupuar vajza. – Ju meritoni përgëzime që jeni diplomuar me rezultate të larta, pa një punë, që nuk e di se sa do t’ju pëlqej juve, ta gjejmë ne në Shqipëri, – iu drejtua aty për aty vajzës së kolegut rumun, Arshiu, me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, karakteristike. – Vajza, pasi hodhi një shikim nga i ati, duke qeshur pyeti – ç’far pune keni parasysh? – Si fillim zevëndësministre, – iu gjegj shkurt e disi serioz, Arshiu. Vajza e dëgjoi, por e pasigurtë se fjala ishte për atë ç’ka dëgjoj, me një skuqje të lehtë fytyre e duke hetuar në fytyrat tona të qeshura, pas një pause të shkurtër, pyeti sërish: – Meqenëse anglishtja është gjuhë e huaj për të dy palët, a mund të ma shpjegosh pak më qartë këtë pozicion pune dhe nocionin “Ministri” tek ju? Pasi bashkëbiseduesi e sqaroi se funksioni në fjalë ka po atë kuptim që kishte edhe në vendin e saj, Ajo, duke menduar se e gjitha ishte një shaka pak si e tepruar për moshën dhe shqetësimin real të saj, me një ton serioz tha – Ju po bëni shaka për t’u argëtuar e kaluar darkën, por, për mua, gjëja që dua më shumë aktualisht është vërtetë të gjej një vend të përshtatshëm pune, ku të ushtroj profesionin që jam diplomuar. Kurse për zevëndësministër e funksione kaq të larta, i’u faleminderit, sepse ato, përvecse janë nivele kariere politike, janë për përvojën e moshën tuaj dhe të babait tim…
– Jooo, më beso mua! Në vendin tim është paaak ndryshe, sepse ne jo vetëm kemi besim absolut tek rinia, por nuk kemi as kohë për të humbur më tej me pleq, – e ndërpreu Arshiu, me të qeshurën dukshëm miqësore dhe duke i vu dorën në sup. – Ju, si vajzë, për më tepër edhe kaq simpatike, jeni fiks për zëvendësministre, me moshë dhe përvojë. Sepse aq sa Ty, 25 vjeç i kemi zevëndësministrat, 30 vjeç festojnë ditëlindjet ministrat dhe 35 vjeç zgjedhim kryeministrin dollibash. Dhe punët shkojnë fjollë…
Vajza që nuk po u besonte veshëve, u shkëput nga ne dhe me nxitim shkoi t’i tregonte për ”mrekullinë/habinë” shqiptare të ëmës, që ishte në një grup tjetër ngjitur…