Në planetin Sh, më të voglin e Galaktikës sonë, banorët kanë emra të çuditshëm, të gjetura në një Qitap, mes mbeturinave të një anije kozmike. Vendimin për këtë pagëzim emrash e mori i pari i planetit, për t’u dukur para banorëve si i vetmi kryebanor largpamës në univers.
Përderisa në planetin Sh kishte ardhur një objekt i së ardhmes dhe ai për këtë të ardhme kishte luftuar, fituar dhe punonte, e vetmja gjë që mund ta realizonte shpejt, pa asnjë shpenzim material dhe truri shkencëtarësh, ishte ndërrimi i emrave të banorëve me emrat e rinj të së ardhmes.
Për ta bërë më ceremoniale dhe festive vendimin e tij, shfytezoi rastin e parë të lindjes së fëmijës së parë, fill pasi i ra në dorë Qitapi i anijes kozmike.
Fëmija do quhej Revolucion.
Planeti Sh nuk vuri gjumë në sy atë natë, nga fishekzjarrët, këngët dhe brohoritjet për të parin e fisit dhe lindjen e banorit të parë me emrin e së ardhmes.
Pas Revolucionit lindën të tjerë fëmijë dhe prindërit u lanë të lirë të zgjidhnin kë emër pëlqenin nga lista e Qitapit.
Meqë fëmija i dytë ishte femër, prindërit preferuan emrin Partia. Edhe kur mbaroi lista e gjatë e Qitapit, banorët ishin të lirë, por me detyrim, të zgjidhnin përsëri nga kjo listë.
Bile i pari i tyre shpiku dhe kombinime emrash nga dy, tre e më tepër emra të listës, që sipas tij duhej të ishin koka gjeniale të planetit të së ardhmes.
Të parin emër që kombinoi shpejt dhe e bëri të hidhej përpjetë nga gëzimi, ishte MarEngLen.
Kur dilte në publik dhe dëgjonte prindërit tek ju drejtoheshin fëmijëve me emrat Revolucion, Proletar, Partia, Liria, Paqësorja Kongres, Plenumi, Konferenca, Socialistja, Demokratja, Komunist, Fitorja, etj, etj, i dukej vetja sikur vërtet po jetonte në planetin e së ardhmes.
Me këtë besim të përjetuar dhe përjetim të besuar, jetoi deri çastin e fundit të jetës.
*
Nuk kishin kaluar as pesë vjet nga vdekja e të parit të fisit, kur një ditë të bukur vjeshte, Revolucioni, tek shëtiste me shokët e tij, Proletarin, Kongresin dhe Komunistin, mbeti i shtangur në vend, pa mundur të hedhë dot hapin para. Shokët kujtuan mos ishte ndonjë nga lojrat surprizë, që jo pak herë ju bënte gjatë shëtitjes, por kur e panë si statujë të ngrirë, me sytë drejtuar një vajze në kahun e kundërt të shëtitjes, kuptuan se shoku i tyre porsa kishte rënë viktimë e një femre me fuqinë e Meduzës mitologjike.
-Hej, Revolucion, mblidh veten se po lë nam mes njerëzve! – i thirri Komunisti, kurse Proletari iu afrua dhe i dha nja dy të shkundura tek supet.
-Cfarë ka ndodhur, ku jam, ku jemi?
E qeshura e shokëve e solli në vete.
-Qeshni ju, qeshni, se nuk keni provuar atë që provova unë. Ku është, nga u zhduk?- ju drejtua shokëve, duke kërkuar me sy atë që pak më parë e kishte shigjetuar me shigjetën e Erosit.
-Për Paqësoren e ke llafin? – e pyeti Komunisti.
-Rrofsh, kaq desha,- u përgjigj i lumturuar Revolucioni, sikur kishte zbuluar thesarin e Monte Kristos.
*
Fejesa me Paqësoren nuk zgjati as dy muaj, aq i paduruar dhe i ngutshëm ishte për t’u martuar sa më parë. Dhe po aq i ngutshëm për ta lënë me barrë, gjë që solli në jetë fëmijën e parë, Demokraten. Bukuria e saj jo vetëm ia kalonte së ëmës, por nuk ishte parë e dëgjuar një bukuri e tillë në Planetin Sh.
Banorët e quajtën një dhuratë e ardhur nga planeti i së ardhmes, që ishte ngjizur në trupin e prindërve qysh çastit kur ata u pagëzuan me emrat nga lista e Qitapit. Vetëm nga një çift i tillë, me burrin e quajtur Revolucion dhe gruan Paqësore, mund të lindte një fëmijë- engjëll me emrin Demokrate.
*
Si të zgjuar nga një gjumë i gjatë letargjik, banorët mbushën sheshet dhe kërkuan dorëheqjen e pasardhësit të ish të parit të fisit dhe shpalljen e Revolucionit si Lideri i së Ardhmes.
Ditën kur Revolucioni u shpall i pari i fisit, Planeti Sh vezulloi aq shkëlqyeshëm nga dritat dhe fishekzjarret, sa teleskopshikuesit e trupave qiellorë të Galaktikës, kujtuan se po lindte një yll i ri, i paparaishikuar në studimet e kërkimet e tyre kozmike.
*
Revolucioni e filloi me yrysh punën qysh ditës së parë kur hyri në zyrën e ish të parit të fisit. Duhej ndryshuar çdo gjë, filluar nga ndenjësja ku do ulej, vazhduar me tavolinën drejtkëndshe, dollapet, raftet, portretet dhe pikturat e varura në të katër muret. Edhe telefoni duhej ndërruar, kurse e fundit që pa dashje e goditi me këmbë, ishte koshi i mbeturinave. Duhej bërë revolucion në gjithçka e për çdo gjë. Pse kot quhej Revolucion? Dhe jo vetëm kaq. Ai duhej t’i dëshmonte fisit, besimin që i dha duke e bërë të parin e Planetit. Për më tepër, ai do t’ju dëshmonte njerëzve se nuk ishte thjesht një rastësi zgjedhja e tij si i pari i tyre, por një dëshirë e vetë Zotit. Ishte dëshira e Zotit që ai të pagëzohej i pari në këtë planet me një emër të ardhur nga Planeti i së Ardhmes. As martesa me Paqësoren nuk mund të ishte rastësi, përkundrazi. A mund të krijonte rastësia një kombinim kaq ideal dhe domethënës mes dy emrave, që i jepnin të vetmin kuptim dhe vërtetim misionit të tij? Revolucion Paqësor!
Vetëm fuqia e Zotit mund ta bënte këtë mrekulli.
Dhe vetëm kjo mrekulli do e bënte Planetin Sh, si Planeti i së Ardhmes.
Kaq mjaftoi të deklaronte në daljen e parë para fisit, duke patur në krah dhe bashkëshorten, për t’u pritur me brohoritje, urime dhe duartrokitje që vazhduan deri në të gdhirë.
Thënia e Revolucionit: – Ta bëjmë Planetin Sh si Planeti i së Ardhmes!- u bë refren i përditshëm pas çdo përshëndetjeje mëngjesore, drekore dhe darkore të njerëzve.
Me gërma të florinjta u shkrua kjo thënie në trupin e anijes kozmike, që u vendos si monument simbolik në sheshin e madh të kryeqytetit.
*
I bindur se fisi kishte besim absolut tek ai dhe askush tjetër brenda e jashtë Planetit Sh, Revolucioni urdhëroi Qendrën Kufitare të Orbitës të çaktivizonte rrezatimin vdekjeprurës të kufirit orbitar, të krijuar nga ish i pari i fisit për të neutralizuar çdo përpjekje për arratisje të kundërshtarëve të tij.
Lajmi i shumëpritur u përhap në çdo skaj të Planetit.
Dhe nga çdo skaj i tij, ndodhi ajo që po ndodhte të nesërmen e lajmit në vendbanimet e mëdha dhe për çudinë e habinë e Revolucionit, edhe në kryeqytetin që mbahej si model i zhvillimit, përparimit dhe mirëqenies, ikja e madhe e miliona banorëve.
Në fillim ai e mori si një dëshirë e kuriozitet turistik të njerëzve për të parë jetën planetare përtej Planetit Sh. Por kur ditët u bënë javë, javët muaj dhe po afrohej fundi i vitit pa kthimin e asnjërit prej të ikurve, Revolucionit sa nuk i ra mbi kokë sateliti artificial që përhapte në hapësirë këngën me titull “E ardhmja jemi ne”.
Statistikat për numurin e të ikurve u barazuan me numurin e banorëve të mbetur, po atë ditë kur iu shfaqën në ekranin e madh të zyrës. Kur kthehu kokën para pasqyrës, nuk iu besoi syve. Ishte thinjur komplet.
*
Thirri urgjentisht Këshillin e të Urtëve. Me keqardhje ju njoftoi dorëheqjen nga posti i të parit të fisit dhe propozoi në atë post, bijën e tij, Demokraten. Ky veprim u reklamua si akt i lartë vetmohimi. Të Urtët e Këshillit e kundërshtuan me gjithë format e kundërshtimit, duke përfunduar, pas këmbënguljes së tij, me të qara dhe shkulje flokësh e mjekrash.
I ngushëlloi sadopak thënia e tij, se aty do e kishin, sa herë t’ju duhej dhe mos ju duhej. Dhe kur të mungonte, mjafton të shikonin, të dëgjonin dhe t’i bindeshin pasardhëses së tij, Demokrates.
*
Ndodhitë e papritura në Planetin Sh alarmuan për herë të parë Bashkimin e Madh Planetar të Galaktikës.
Ikja e madhe e banorëve ishte sinjali i parë për devijimin e këtij planeti nga ligjësitë që rregullonin jetën ndërplanetare.
Dhe përderisa ky devijim ndodhi në kohën kur i pari i fisit ishte Revolucioni, ai duhej të ishte përgjegjësi dhe fajtori kryesor.
Bashkimi i Madh Planetar nuk të fal në kësi rastesh. Revolucioni duhej ndëshkuar, pavarësisht nga reagimet e tij dhe të përkrahësve të tij.
Kurse fati i së bijës do varej nga vetë ajo.
Lajmi ra si kometë gjigande mbi Planetin Sh.
Revolucionit i ndalohej dalja nga orbita e Planetit. Njëkohësisht Bashkimi i Madh ishte në pritje të reagimit të së parës të fisit, Demokrates. Nuk ishte e lehtë për të, të vendoste. Ishte mes dy zjarresh, nga të cilat zor të shpëtonte pa u ndëshkuar nëse do gabonte. Babai ishte për të dy herë Perëndi, në shtëpi po e po, por edhe si ish i pari i Fisit. Por, nëse do dilte në krah të tij do humbte të ardhmen e saj. Dhe kush, ajo që çfarë nuk kishte bërë për të arritur aty ku arriti.
Mos duhej që për një baba të kthyer në ish prijës, ta dreqoste këtë arritje?
Por një tjetër zë i brendshëm, “a mund ta mohosh babanë tënd?”, po ia bënte çorbë mendjen.
Nuk kishte më kohë për të pritur. Në Planetin Sh po shfaqeshin për herë të parë rivalët e saj. Dorëzimi para tyre do ishte fatal për Demokraten.
Vendimi i erdhi papritur pas mesnatës së fundit të pushimeve verore.
Babai duhej larguar nga Këshilli i të Urtëve.
Aty, nga dhoma-zyrë e vilës, para kameras të Televizionit Planetar Sh, me dhimbje në shpirt njohu gjithë fisin me vendimin e porsamarrë.
Fill pas kësaj, u shfaq në ekranin e bisedave i ati.
-Vetëm dy fjalë po të them. Tashmë ti nuk je më bija engjëll për mua, por bija djall,- kaq tha dhe u zhduk nga ekrani.
Demokratja nuk e pati të vështirë të kuptonte se çfarë fshihej pas këtij mesazhi ogurzi të babait. E njihte mirë karakterin, egon dhe përballjen e tij me ata që i quante djaj.
Vetëm shpresa dhe besimi që kishte tek mbështetja dhe mbrojtja nga Bashkimi i Madh Planetar, ia qetësonte sadopak shpirtin.
*
Nga Planeti Sh vijnë çdo ditë lajme të bujshme, tronditëse, deri në të frikshme.
Titujt pompozë, “Revolucioni kundër Demokrates”, “Baba dhe bijë mohuan njëri-tjetrin”, “Për ty Revolucion, bëjmë revolucion!”, etj, etj, mbushin hapësirën e Galaktikës.
Për herë të parë në historinë e Galaktikës, qendrat e sofistikuara për parashikimin e së ardhmes, janë çorientuar në profecitë e tyre.
Kurse unë, qesh dhe nënqesh për galaktikasit.
Sikurse qaj dhe ulërij për fatin e mbrapshtë që i është qepur qysh në krijimin e tij, Planetit Sh.