ERONA, AUTORJA QË SFIDON ME BUKURI FIZIKE PO AQ SA EDHE ME BUKURI TË SHPIRTIT.
Kur poeti Dan Ibrahimi më ftoi në promovimin e Eronës, nuk pyeta për emrin e autores, por e konfirmova pjesmarrjen menjëherë. “Shija letrare dhe miqësia jote” nuk më zhgënjen asnjëherë, ishte përgjigja që i dhashë poetit nga Prishtina, si edhe garancia ime për të shkuar në këtë event. Më pas mësova se autorja që promovohej, kishte ardhur bashkë me shoqen e saj Ylltare Ferati, dhe ishin nxënëse e studente të autores dhe mikes tonë Flora Idriz Peci. Ky prezantim ma shtoi besimin, se janë krijuese të përzgjedhura, dhe jo aq të rastësishme. Nxënia dhe edukimi prej një mësueseje që i motivon shije të bukura dhe kulturë e dije, përtej shkollës, duke i mbështetur edhe në eksperiencat e promovimit dhe botimit të librave, është një modelim që premton ardhmëri për këto krijuese cilësore… urime mësuese Florës për këtë mision largpamës!
Duke shfletur librin me poezi, më bien në sy, poezi për nënën, për gjyshin, për babanë, për vende dhe ngjarje historike, për natyrën, por sidomos për librin, si një pasion i përhershëm që udhërrëfen Eronën, në rritje e sipër…dhe këto janë kollonat e duhura mbështetëse, mbi të cilat, autorja, do të ndërtojë të nesërmen e saj … Brenda librit gjejmë poezi me tematika të ndryshme, një botë të larmishme plot ngjyra dhe këndvështrime emocionale, që e diferencojnë autoren nga adoleshentet e moshës së saj, por edhe e prezantojnë me përgjegjësi për vazhdimin, në udhën e mrekullueshme të krijimit!
Erona sfidon me bukuri fizike, po aq sa edhe me bukuri shpirti, me fjalën dhe sjelljen e saj, gjatë këtij promovimi, mirënjohëse dhe entuziaste për miqtë e nderuar pjesmarrës, që e komplimentojnë dhe e inkurajojnë të vazhdojë kështu… Pranë librit, herë si lexuese dhe herë si autore, është destinacioni që Erona i ka përcaktuar vetes.
Nisur nga mosha e saj, në formim e sipër, ushqimi i mendjes me lexime librash, është parësore dhe thelbësore, si kontribut i vyer për të qenë më pas, një autore bashkëkohore librash të pëlqyer nga lexuesit. Sado e talentuar dhe me fat, sado e mbështetur nga mësuesja dhe familja, sado e mirpritur dhe përkrahur nga komuniteti i poetëve dhe shkrimtarëve, unë do ti kujtoja Eronës, se shumë fëmijë, e nisin kështu si ajo, por pak mbërrijnë atje ku duhet, sepse keqmenaxhimi i vetes, i famës dhe i shanseve të dhëna, veset dhe rrethanat e jetës, i deformojnë, i lodhin dhe i shkatërrojnë, i devijojnë nga ëndrrat, ndaj ëndërro fort, por edhe kij vullnet të fortë për ti realizuar ato: Lexo…! Duke lexuar…! Nga të lexuarit…! Prej leximit…! Në lexim e sipër…! Vetëm me lexim… do të arrish atje ku dëshiron!
Me kënaqësinë e shkëmbimit të librave, të koktejit, të çasteve të takimit me miqtë, të fotove, të bisedave e debateve, dhe me këtë sygjerim apo këshillë, e përmbyll urimin për Eronën, duke marrë shkas nga një shprehje e Pablo Picasso që thotë “Çdo fëmijë është një artist. Çështja është që ai të mbetet i tillë edhe kur të rritet…” Urime e suksese për botimin e parë, vazhdo të shkruash me shkopin magjik, e dashur Erona Mehmeti