7.5 C
Tiranë
E dielë, 10 Nëntor 2024

Fahri Xharra

Dita e Verës  në Tetovë dhe Gostivar me rrethinë          Shkruan :Edibe Selimi-Osmani- Tetovë

Këngë për Ditë Vere

Trandafilin  në ferrë(2 herë)

Çe na erdh lumja Verë,oooih!

Vera erdh e shkaj,

Mulleza nuk pushoj,

Vera jerdh e shkaj,

Shyshja  nuk kindoj,oooih!

Vera jerdh e shkaj,

Shyshja nuk pushoj,

Trandalin në kaç

Tre jarana pash,

Besën s’un ua dhashë,oooih!…

 

Mitologjia shqiptare, së cilës i duhen shtuar  shtresimet e më vona të feve (krishterë-ortodokse e islame), ruan gjurmët  e lashta të besimit popullor pagan.Nëpërmjet tyre populli shqiptar shfaq botëkuptimin pagan ndaj jetës. Në fshatrat e këtyre dy trevave shënuam disa  rite   me rëndësi të Ditës së Verës të cilat edhe popullata e vendeve me besimtarë myslimanë i ruan me xhelozi.

Në disa fshatra  të Komunës së Gostivarit dhe  të  Tetovës, ritet e Ditës së Verës në krahasim me ritet e Shën Gjergjit  janë më të zbehta dhe po vijnë duke u zhdukur.Kurse në fshatrat e Dervenit më karakteristike janë ritualet e Ditës së Verës se ato të Shën Gjergjit.

Në fshatrat Sërbinovë,Qafë,Tërnovë,Strajan dhe Padalisht  (komuna e Gostivarit)   ritet të Ditës së Verës i hasim edhe sot në terren. Sipas gojëdhënave që shënuam në këto fshatra në këtë ditë fshihen mjetet  e punëdorës së femrave; ato kyçen  në arkën e drurit me dry. Kur i pyetëm fshatarët pse veprohej kështu,na thanë “që  t’mshilen (mbyllen)”gojat e hasmit,mos bëjnë shpifje në familje, t’dryhet goja e  xharpnit, mos i kafshojë njerëzit e  kafshët shtëpiake”.  Të njejtën ditë, para se të fshihen mjetet e punëdorës, e  zonja e shtëpisë,për çdo   anëtarë të familjes,përgadit silmikeshë(pej i leshtë dyngjyrësh, bardh e kuq,i dredhur).Në të varet një pjesë e vogël  e kungullit të egër  dhe një thelb hudhre(larca,verore).

Po ,në fshatrat e lartëpërmendura,  amvisat herët në të gdhirë sjellin ujë taze nga kroi i fshatit në shtëpi.Ata stërpikin oborrin dhe shtëpinë.

Besimi pagan në ujët e shenjëtuar të  natyrës:lumit,të përroit,të kroit, të burimit edhe te  popullsia e Maqedonisë, nuk është vetëm një kujtim nga   historia e të parëve,por është edhe një besim i gjallë e aktiv,besim alternativ e bashkëshoqërues i të gjitha feve që kanë njohur shqiptarët.

Ditën e Verës, herët në mëngjes gatuajnë silpejten (lloj flije) që e hanë së bashku në sofër anëtarët e familjes. Sofra vendoset në oborr,në vendin ku bëhet edhe shirja e të lashtave,pastrimi  i groshës e i drithrave. Nën sofërn rradhiten në form kryqi duajt e kashtës së thekrës,me të cilën i zoti i shtëpisë,pasi hahet silpejtja ( flija),lidhet çdo  pemë që i jep  fryte. I zoti i shtëpisë,përveç duajve të thekrës,merr   edhe sopatën, i afrohet pemës ,   e prek me sopatë   dhe gjatë kohës që e lidh tri herë, veprimin e përcjell me fjalët:” A  de bojsh me kal, a me thes, a të t’pres?”.Gjatë  shqiptimit të fjalëve lidhen  tre nyje me kashtë.Është e kuptueshme  se ushqimi  te lëmi,në origjinë,është një flijim për tokën e bukës, për të bërë  që ajo të ketë forcë  për të prodhuar vitin e ardhshëm.

Zakoni i mbajtjes së kashtës nën sofër, duke e krahasura me një  fenomen të  tillë në popujt të Evropës e të Ballkanit në veçanti, ka të bëjë  me një lloj lëmi  ritual. Kuptohet që bëhej me qëllim që demoni i drithit , që përfaqësohej në këtë  kashtë t’u jepte forcë e mbarësi bereqeteve e në përgjithësi prodhimeve në këtë familje.

Në  fshatin Orçush,Reçan,Raven,Vërtok (komua  e Gostivarit)    bëhen të njejtat  rite . Në këto fshatra,herët në mëngjes,e zonja e shtëpisë merr sopatën,në dorën tjetër këmbanën,prek pemën me sopat dhe thotë:”  A ta pres, a më e pres?” vetë përgjigjet  duke i ra këmbanës “Mës e pre, se dë boje me kal e me thes”.

Në vigjilje  të kësaj   dite, vajzat shetisin në natyrë,sjellin lule dhe gjelbërime.  Për darkën e natës së Ditës së Verës,hahet flija.Kur ,mbarojnë me ushqimin e zonja e shtëpisë i bie  sofrës  me pallë druri tri herë dhe thotë:  Më n’aj shkunde era pemët, (Të mos na i shkundë era pemët.)

Çdo familje zien kokrra misri me hi,duke menduar që gjatë vitit anëtarët e saj do të mbrohen nga sëmundje të ndryshme. Është e pamundësi  t’i përfshijmë të gjitha ceremonitë rituale , do t’i veçojmë disa nga ato. Gjatë kësaj të kremteje në fshatrat Debresht,Vrapçisht , Toplicë  dhe Negotinë, nuk punohet punë dore.

Në fshatrat e Dervenit të Tetovës ,amvisat  na thanë se Ditën e Verës është keq  që tundësi të rijë zbrazur.Duhet tundur dhe dhalla e mandej  shpërndahet  te të afërmit dhe  faqnjët. Tundësja kujdeset për fëmijët që kullosin bagëtinë ajo ju jep nga një lugë kos “që të mos i munde qyqja”….

 

 

Citat  nga vepra Rite e Besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit,  Edibe Selimi-Osmani, Botoi në Shkup 1997,  faq.36-54.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.