“”””””””””””””””
Sot, për herë të dytë poezia ime me shifër “Dallëndyshja me fole Kosove’’, ndërsa me titull ‘’PËR TOKËN TIME’’ qenka vlerësuar me çmimin më të lartë për art dhe kulturë, pra çmimi “Sulejman Krasniqi”, çmim ky që e ndan Komuna e Rahovecit në kuadër të shënimit të ditës së bibliotekës së qytetit të Rahovecit e cila mban emrin e atdhetarit e shkrimtarit të madh Sulejman Krasniqi.
Një falënderim i veçantë shkon për DKRS në Rahovec me drejtor z. Afrim Dina!
Këtë çmim ia dedikoj familjes sime, miqve dhe të gjithë atyre që më përkrahin pa rezervë në rrugëtimin e krijimtarisë letrare.
Shuma e të hollave nga ky çmim do të jepet për skamnorët në vendlindjen time.
Faleminderit të gjithëve!
E juaja
Fatime Kalimashi
7. 12. 2022
PËR TOKËN TIME
Për tokën time
e për këngën e rrudhave të ballit
digjem përmallimit
e bëhem shkrumb i largësive
përtej qindra bjeshkëve
Më grisen damarët e shpirtit
e letrës së kujtimit
as flluska hiri s’i mbeten
tek i numëroj së kaluarës
Sytë nga loti i kuq
shko e eja rrugëve të përmallta
fije peri m’i bëjnë shpresat
Në tokën e huaj
me djersën e nëpërkëmbur
i numërojmë kalendarët e rrudhave në ballë
Në gjirin e zjarrmishëm
këmishën e kuqe e ruaj
tek i kujtoj rënkimet e nënëlokes
për birin e saj
që ia bëri hallall tokës ilire
Në qiellin blu
urës së ylberit do të udhëtoj
e krejt këtë etje që më përvëlon
aromën misërnikes ia ndjej
Fjala bukë e ujë
tingëllojnë rimshën në vargun tim
mëngjeseve ua thith rrezet
e zogut ia vjedh fluturimin
Në tokën e gjyshit tim
të marr frymë ilirisht…
Dallëndyshja me fole Kosove