Fizikania, profesoresha dhe politikania e njohur akademike e asociuar Mimoza Hafizi ka sot ditëlindjen.
Kryesia e Akademisë së Shkencave i uron jetë të gjatë dhe suksese në krijimtari, por edhe në aktivitetet e saj të gjera në jetën qytetare dhe sociale të vendit.
Prof.asoc. Mimoza Hafizi është drejtoreshë ekzekutive e bordit të Institutit Kombëtar të Fizikës pranë Akademisë së Shkencave.
Akad. e asociuar Mimoza Hafizi është një personalitet i shkencës së astrofizikës, që ka dhënë me të gjitha energjitë e saj krijuese kontributin e saj edhe në jetën publike e sociale të vendit.
Ka nisur studimet në vitin 1980, në degën e fizikës speciale në Universitetin e Tiranës dhe i ka mbaruar me rezultate shumë të larta (Medaljen e Artë). Menjëherë u caktua të punojë asistent/pedagoge në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, në katedrën e fizikës. Në vitin 1990 u shkëput nga ky vend pune, pasi kishte shërbyer gjithashtu edhe për një periudhë gati dyvjeçare si përgjegjëse katedre, me gjithë moshën shumë të re për të filluar studimet e doktoraturës në Francë, përmes një burse të akorduar nga Ministria e Jashtme e Francës. Studimet doktorale në Francë i kreu në dy etapa: diploma e studimeve të thelluara në fizikë teorike, 1990-1991, (Diplôme des Etudes Approfondies), në Ecole Normale de Paris, njëra nga shkollat më të vlerësuara të Francës dhe Europës; punimet e doktoraturës në fizikë teorike, 1991-1995, në Observatorin Paris-Meudon.
Pas mbrojtjes me sukses të doktoratës, në korrik 1995, kthehet menjëherë në Tiranë, për të filluar punë si pedagoge në departamentin e fizikës, në fakultetin e shkencave të natyrës të Universitetit të Tiranës. Që atëherë zhvillon pa ndërprerje aktivitetin e saj akademik dhe shkencor në këtë departament.
Që nga viti 2020 është anëtare e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Karrierën shkencore e ka fokusuar në fushën e astrofizikës. Dy janë drejtimet kryesore në astrofizikë, të cilat i zhvillon në bashkëpunim me dy koleget të saj, ish-studente të doktoraturës, me të cilat formoi një grup shkencor brenda departamentit: Shpërthimet gama; Planetet jashtë sistemit diellor. Artikujt shkencorë në këto fusha janë disa dhjetra, publikuar kryesisht në revista ndërkombëtare me faktor impakti si “Astronomy and Astrophysics”, që është ndër revistat më të vlerësuara në fushën e astrofizikës. Ka qenë mjaft aktive në organizimin e konferencave shkencore ndërkombëtare dhe kombëtare në Shqipëri, cilësia e të cilave është pasuruar edhe nga prania e shumë kolegëve europianë, me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite. Bashkëpunimet kryesore i ka patur në Francë (Instituti i Astrofizikës i Parisit, dr. Robert Mochkovitch) dhe në Itali (Universiteti i Lecce-s, prof. Francesco DePaolis; Universiteti i Bologna-s dhe INAF, dr. Lorenzo Amati; International Center of Relativistic Astrophysics, Roma-Pescara, prof. Remo Ruffini).
Që prej 4 vitesh është përfshirë në një projekt hapësinor europian, THESEUS, i cili synon dërgimin e një teleskopi në hapësirë për të zbuluar shpërthimet më të vjetra gama, që do të shërbejnë për të kuptuar universin e fazave krejtësisht të hershme.
Prof. Hafizi ka qenë ideatore dhe bashkërenduese e ngritjes së observatorit lëvizës në Tiranë, me një teleskop Celestron 20 cm, aktiviteteve të të cilit u bashkohen me qindra qytetarë shqiptarë, për konferenca publike dhe vrojtim e ilustrim me teleskop. Prof. Hafizi ka shkruar dhe dy romane shkencore, “Pika Trëndafil” dhe “Infiniti blu”, ku spikat dëshira dhe pasioni për t’i bërë sa më popullore dhe të kapshme dijet dhe përpjekjet më të fundit të mjedisit shkencor për zbulimin e planeteve të reja jashtëdiellore dhe të jetës jashtëtokësore.