13.5 C
Tiranë
E mërkurë, 19 Mars 2025

Irsa Ruçi

Pse të mos vijë Europa tek ne?

Po u dhurojmë gjithë rininë, krah pune të fortë dhe kokëulur. Njerëz të zotë e me sedër dhe shumë punëtorë e familjarë.

Po u dhurojmë pasuritë tona nëntokësore, çdo lehtësi që nuk e kemi as ne këtu; dhe mënyrën e gjetjes së parajsës mbi tokë kur vijnë si të mbaruar në këmbë dhe largohen si pashallarë.
Po u dhurojmë pjesën tonë më të mirë, vetëm që prej tyre të marrim fotografi kortezie të buzëqeshur dhe mendimet tepër pozitive. Besoj se e kemi kapërcyer atë paragjykim për veten në raport me popujt e tjerë, ndaj nuk mahnitemi më nëse Europa mendon sot që ne nuk jemi “majmunët pa bisht” të tridhjetë viteve më parë.
Në çdo kohë, cilindo mendim europian që kemi mbajtur mbi kurriz, ja kemi dalë përherë falë forcave tona.
Komb të qytetëruar nuk të bëjnë gradaçelat, as muzetë përrallorë, as rrugët dhe as ndërtesat gjigande; ato të bëjnë një shtet të pasur e të zhvilluar. Është shpirti i trashëguar që flet e rrëfen historinë dhe askush s’e ka aq të pasur sa ne.

Nuk pranoj kurrë ta shikoj si nder që europa zbarkon në shtëpinë tonë; përkundrazi, të nderuar jemi ne që dimë të tregojmë përherë fisnikëri dhe sesi “shtëpia jonë është e zotit dhe e mikut”.

E shoh me aq shumë krenari vendin tim dhe çdo bashkëkombas, saqë s’më mahnit asgjë tjetër më shumë se kultura, gjuha dhe ëndrra jonë!

“””””””””””””””””””””””””””””””””

“Mjerë për ministri, o mjerë
Ku hyn njeri, e del i dh*erë!”
Pasi më tregoi prindi i një fëmije në arsimin fillor se ç’u mësohet në tekstet shkollore, propozoj të hyjnë si lëndë në klasë të parë:
1. Gjithologjia – një gjashtë vjeçar duhet të ketë nuhatje nga jeta dhe të marrë një informacion të përgjithshëm për çfarë ndodh rreth tij.
2. Genetika – është shumë e rëndësishme që gjashtë vjeçari të kuptojë kujt i ka ngjarë për syçkat e bukura e kaçurrelat e verdha.
3. Teknologjia e informacionit – e çfarë kishin gjenitë e informatikës më shumë se gjashtë vjeçari shqiptar që ka etje për jetën? Jetojmë në epokën dixhitale!
4. Anglishtja, Kinezçja (dhe sipas trendit të telenovelave gjuha e tretë) – sepse janë gjuhë me perspektivë dhe mund t’u japin të ardhme.
5. Topografi – një gjashtë vjeçar duhet ta zotërojë qysh sa është në kohë gjeoshkencën dhe shkencën planetare, sepse relievi është dhe art prej zotit.
6. Astronomi – sepse po nuk e mësoi në klasë të parë ç’është një trup qiellor, kur do e mësojë?!
HAJVANËR!
Po mirë që edhe ajo mendja e vockël e mykur u ka ikur, por as nuk keni durimin të dëgjoni! Jo në Angli, SHBA e Honolulu të keni studiuar, po nga hëna të zbrisni, nuk do ftilloheni ndonjëherë! Se politika do frymë, jo njerëz të fryrë pas teorisë, që e tundin librin si musaf dhe recitojnë shabllone.
Shkolla, e mbi të gjitha arsimi 9-vjeçar, ka një detyrë aq të rëndësishme: të formojë qytetarin, përpara se të përgatisë “shkencëtarin” e ardhshëm!

Po ku di dhia, ç’është tagjia!

“””””””””””””””””””””””””””””””””””

Duke qenë se fusha e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun është profesioni dhe pasioni im, gjatë këtyre tre viteve kam krijuar albumin me fotografi për çdo emision, së bashku me një shpjegim të shkurtër për çfarë kemi biseduar në studio me moderatorët. Të njëjtin arkiv kam ruajtur edhe prej shtypit të shkruar.
E teksa po i numëroja dje, janë 230 emisione televizive dhe artikuj në median e shkruar, në të cilat kam ndarë shqetësimet për arsimin, propozimet për revolucion të sistemit arsimor, edukimin për karrierën, “hinkën mbrapsht” me maturën shtetërore dhe hapësirat për ta ndryshuar këtë realitet, mos-lidhjen e dijes teorike me tregun e punës, mungesën e kërkimit shkencor; mungesën e një strategjie punësimi që lidh të riun e diplomuar me tregun në kushte reale, jo si teorira nëpër letra; reforma e deformuar e arsimit të lartë dhe paralajmërimi se shumë shpejt do shihnim si “tretej” matura shtetërore (sivjet ndodhi ajo që aq shumë e ngrita si shqetësim qyshse dy vite më parë).
Por, asnjë nga këto problematika nuk i kam artikuluar thjesht si fakte, mbi të gjitha kam propozuar një rrugëzgjidhje për secilën prej tyre. Propozime që nuk vijnë nga hamendësime, nga dëshira për me thënë një opinion se u zgjova një ditë e frymëzuar; por nga një fushatë katër mujore në terren me mësues, prindër e të rinj, nga çdo qytet i Shqipërisë.
A ka qenë një mision politik? Patjetër që po, vetëm duke hartuar politikën e duhur, mund të gjejmë zgjidhjen e drejtë.
A ka qenë partiake? Asnjë moment, sepse ishte iniciativë personale. Dhe punën time, nuk ja fal asnjëherë askujt.
Çdonjëri prej nesh ka një pasion që e ushqen. Për mua Arsimi dhe të Rinjtë mbeten misioni që do u dedikoj përherë kohën dhe energjinë, e gjithë dijen që grumbullova nga puna thuajse dhjetë vjeçare me studentët, pozicioni në një prej niveleve më të larta drejtuese në Ministrinë e Arsimit dhe përpjekja tre vjeçare për të qenë pranë çdo qelize arsimore ku shkëmbehet dija.
Faleminderit secilës prej mediave, që e kanë kthyer arsimin dhe rininë në aktualitet; edhe pse jetojmë në kohën e klikimit, që e dominon politika.

Kam për ta gjetur gjithnjë kohën për të folur për sistemin arsimor, pa pritur asgjë mbrapsh. Më jep kënaqësi të pafund të dhuroj pjesën më të mirë prej vetes, për vendin tim; me shpresën se do të vlejnë një ditë dhe ne do mendojmë seriozisht për të ardhmen e Shqipërisë.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.