PAQJA
E lumtur
fshihet në bardhësinë
e një trëndafili
sytë e botës flasin
ajo është e bukur
po ti je akoma më e bukur
derisa të mbyllen petalet e tua
njerëzit kanë nevojë për dashurinë tënde
por hartën e zemrës ma vret heshtja jote
kur pëllumbat të ngriten drejt qiellit të uruar
e stuhia e reve të fashitet brenda meje sonte
do t’i shkruaj vargjet që të pëlqejnë edhe ty
paqe…
ISMAIL GASHI.
Mike
Muzgu po bie
trëndafilat kanë hapur kurorën
e mbrëmjes
aroma e tyre dehëse
freskon mendjen
është parfum bio
që e heqë lodhjen
dashuria shtohet prej tij
e quajnë qetësia e perëndimit
mike
eja
ulu
ta soditim së bashku të dy…
NUK U PANË MË
Koha se mori parasysh
Udhët s’patën faj
Mëngjesi i dritës i bashkoi
Besonte se prapë do të takohej
Përse
Për çdo njeri
E ardhmja është e panjohur…
Nuk u panë më.
ISMAIL GASHI
Kur Ti hesht
Kur ti hesht
nga përlotja e syrit
malli lë gjurmë
si një gjeth vjeshtor
që shkëputet mërzitshëm
pa fjalë ndjenjat dromcojnë
pëlhurën e kujtesës
asgjë s’bën zë në mua
kur hesht Ti.
KOSOVË
Ky nuk është emri yt i vërtetë
Ta pagëzuan armiqtë emrin e ri
Më vije keq që po ta them sonte
Kësaj natë të gëzuar që festoj me ty
Kur u krijua bota
Lindi dhe jeta jote
Nga e njëjta mendje
Nga e njëjta dorë hyjnore
Atdheu im i të parëve të mi
Dikur të quanin Dardani.
ISMAIL GASHI