14.5 C
Tiranë
E shtunë, 8 Shkurt 2025

KOHË KRIZE…

Abdurahim Ashiku

Fejton

KOHË KRIZE…

Ishim ulur dhe gjerbnim kafenë e së dielës “Te Genci”. Ai, me vështrimin tek avulli që ngrihej mbi filxhan për tu përzierë me tymin e duhanit, nis të tregojë…
Kam një mik grek, grek i thënçin se shqiptar është me rrënjë e me degë por, si edhe të tjerë ka siguruar pasaportë dhe kartë identiteti helene dhe kështu e quan veten. E takova dje tek “Donalds” ku mblidhemi herë-herë me të. Ishte i shqetësuar. Kjo dukej edhe në fytyrë, madje edhe në veshje. Atë ditë nuk kishte vënë as kollaren, gjë jashtë zakonit për të, madje edhe rrobat në trup më ngjanin si rroba punëtori që sa ka lënë punën në ndërtim.
Llafi i parë që më tha, para se të këmbenim përshëndetjet e rastit ishte:
– E kam gruan shumë të shqetësuar, është tërë nerva. Kam frikë se mos e kap kriza.
U shqetësova. Të kesh gruan të sëmurë në moshën kur merr të përpjetën e viteve shtatëdhjetë jetë, është me të vërtetë për tu shqetësuar. Është sikur të të të presin krahun e këmbën, si të ta marrin e presin përgjysmë trupin e zemrën. Kjo për një të ri të ditëve të sotme nuk është kaq tragjike por për ne që u mësuam të jetojmë me mendimin dhe ligjet e kohës sonë, është me të vërtetë e rëndë.
– Çfarë ka? – i them duke u dridhë në shpirt e në trup.
– Vajza – tha duke zgjatur krahun.
– Çfarë ka vajza? – e pyes tashmë me dridhje të forta të zërit.
– I kanë ulur tetëqind euro rrogën dhe gruaja është bërë si e çmendur.
– Shumë, i them. Po sa e kishte rrogën?
– E kishte tremijë e tetëqind dhe ia kanë bërë tremijë.
– Pak ia paskan ulur! – i them unë tashmë i çliruar nga ankthi që më kishte rrëmbyer.
– Si pak?
– Mua më kanë pushuar fare nga puna. Nuk di ku të shkoj e çfarë të bëj. Edhe ato pak lekë që merrja në ndërtim tani fluturuan. Pronari, ngaqë nuk i shiten apartamentet, nuk ndërton më dhe na ka hedhur në rrugë të madhe të gjithëve.
– Kohë krize.
– Po – i them – Me të vërtetë kohë krize. Veçse nga kjo krizë po ankohen më shumë ata që kanë lundruar në rroga të larta e në shpërblime pas shpërblimesh që përbënin rroga mbi rrogë e dhurata mbi dhuratë.
Më pa një sy si të kishte përpara një jashtëtokësor…

DURIM PAKU

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.