14.5 C
Tiranë
E martë, 13 Maj 2025

Kujtim Dashi

H U M O R:
PËR KOHËN QË KA MBETRUR DERISA TË FILLOJË PUNA PËRSEMBARI PER LLOGARI TË 2022-IT!
ROMBLA- ËMBËLSIRË QË E GATUANIN KRYENGRITËSIT E VERIUT NË VITET 1911-1912
Kërkesat burokratike e arbitrare të organeve zyrtare e degraduan edhe aksionin patriotik e gjuhësor për mbledhjen e fjalëve të rralla të gjuhës shqipe.
– Për nesër iu dua të gjithë mësuesve nga 25 fjalë të rralla, burimore, autentike, – urdhëroi drejtori i shkollës në një fshat të Bregut të Matës, i cili s’pranoi asnjë lloj diskutimi, shtyrje afati etj. Pas këtij urdhëri shkrimtari e mësuesi A. I. shkoi në klasën-kabinet të matematikës, ku kishte mësim dhe, ndërkohë që jepte mësim nisi të mendonte e të shkruante për detyrën e porsangarkuar. Sytë i mbetën te figurat gjeometrike të vizatuara në disa tabela si rombi, etj.
– Ç’është kjo rombla?- e pyeti drejtori të nesërmen, kur po merrte në dorëzim 25 fjalët e rralla, mësuesin A. I.
– Rombla është një lloj ëmblësire që e gatuanin kryengritësit e Veriut në vitet 1911-1912, – shpjegoi mësuesi, ndërkohë që më pas me shokët zuri t’iu qajë hallin punonjësve të Institutit të Gjuhësisë se ç‘do të hiqnin të gjorët ata për të “zbuluar” këtë fjalë që vinte prej rombit të klasës-kabinet.
P.S Ende nuk kam ndonjë të dhënë nëse kjo fjalë është shqyrtuar apo jo dhe është futur në ndonjë fjalor të shqipes.
TAMAM, TAMAM, POR DHJETË LEKË MË PAK UNË!
Termi a nocioni “xhaketë” është menjëherë i deshifrueshëm, por për lexuesit e rinj i duhet thënë dy fjalë: ky term përdorej rëndom në monizëm, për të treguar ato njerëz që iu qepeshin ose i mbanin nga pas shefat e të gjithë niveleve për t’i qerasur ato. Kështu, një “xhaketë” e tillë u ndodh në Hotel të Gjuetisë. Pasi kishin pirë kafetë dhe nga një gotë raki, erdhi kamerieri për të bërë llogaritë. “Xhaketa”, që po i themi, bie fjala, Ndue zgjati 10 lekshin e ri. Kusuri ishte fare i vogël, punë 50-60 qindarka.
– Tamam, i ke, lëre kusurin, – tha shefi dhe u ngrit nga tryeza.
– Tamam, tamam, por 10 lekë më pak në xhepin tim, – tha “xhaketa”, që po i themi Ndue.
“KALENDARI” ORIGJINAL I PRITJES SË POPULLIT…
Njëri nga zyrtarët që ka punuar në Lezhë, thonë që pat krijuar dhe vënë në përdorim një “kalendar” origjinal të pritjes së popullit. Thonë që është edhe përshtatje. I shkon një hallexhi për një çështje të vetën dhe zyrtari i thotë:
– Mos hajde as me 1 dhe as me 2, po as me 10 deri më 15 të muajit se s’më gjen këtu, por po erdhe aty nga 20-25 të pres dhe, me siguri, do ta zgjidh problemin.
Kur doli hallexhiu këtë “kalendar” ia tregoi një shoku të tij, që e priste pas dere. Ky i fundit e pyeti:
– Mban mend se ç‘bënte kryetari i këshillit, kur të tregonte “kalendarin”?
– Luante e fërkonte gishtin e madh dhe atë të pushkës,… – tha hallexhiu.
TËRMETI S’NJEH HIERARKI!
Pas tërmetit të rëndë të 15 Prillit 1979, pati edhe disa pasgoditje të tjera që krijuan panik të madh ndër njerëz. Ata, kudo që të ndodheshin dilnin vrullshëm në rrugë, nga zyrat, shtëpitë etj. Në njërën nga këto pasgoditje P.D. një nëpunës i ish-Komitetit Ekzekutiv të rrethit te Lezhes “hartoi rregulloren”:
– Pika e parë “Tërmeti s’njeh hierarki”!
– Pika e dytë “Kur bie tërmet, i jap të shtymen shefit, kërcej mbi kokë të kryetarit të komitetit dhe mbërrij në shesh të qytetit, pa më zënë ndërtesa brenda”.
GJELAT E DETIT LE T’I MBAJNË MEND ATA QË M’I SJELLIN!
– Si nuk i mban mend ata që të sjellin gjelat e detit? – pyetën një ish-shef të bujqësisë në Komitetin Ekzekutiv të Lezhës.
– S’kam përse t’i mbaj mend unë ata që më sjellin gjela deti; ata vetë le t’i mbajnë mend. Unë hallin e kam te dimensionet e banjës!
PAS AMBALAZHEVE, VJEN PESHKU
Dy lezhjanë po gjuanin peshk në breg të Drinit. Pas ‘90 Drini u ndot tej mase dhe u kthye në një depo të madhe hedhurinash. Duke gjuajtur njëri prej peshkatarëve amatorë një herë zuri ca lecka, pastaj ca qeska plastmasi. Më në fund vendosi të largohej prej aty, për t’u çvendosur diku më poshtë.
– Ku po shkon? – e pyeti shoku i vet.
– Mbeta tuj zanë qeska…
– Mos ik, ke për të parë që pas ambalazheve, do të vijnë peshqit që kanë qenë brenda për strehim…
Ç’FLASIM PËR TRAUMAT, KUR PËRBRI NESH KALON POEZIA?!…
Në fillim të viteve ‘70 në Institutin e Lartë Pedagogjik (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi” – Shkodër) studjonin një grup shumë i mirë letrarësh të talentuar që më vonë bënë emër në letrat shqipe. Një të dielë ky grup, në të cilin bënte pjesë edhe një student nga Lezha, po shëtisnin në bulevardin kryesor të Shkodrës, në afërsi të studio “Marubi”. Ndërkohë po flisnin për një dramë të Fadil Krajës, ndoshta për “Djemë të mbarë” ose “Shpartallimi”, që ishte shfaqur një natë më parë. Letrarët të përqëndruar në bisedë nuk shihnin se ç‘ndodhte rrotull.
– Pash nderin ç‘flisni për traumat e Fadil Krajës, kur bri jush kalon poezia e vërtetë, – u tërhoqi vëmendjen poeti Frederik Rreshpja, miku i tyre, i cili në trotuarin përbri kishte parë një vajzë të mrekullueshme, apo “perri” siç e quajti Fredi, me te drejte, pasi gje me te bukur studentet s’kishin pare. Madje njeri prej tyre esic duket e njohu si motren e nje kengetareje te degjuar te kohes. Dhe, studentët, sikur kjo t’u kishte vlejtur si komandë “Majtas kthehu!”, njëherësh kthyen kokat nga vajza simpatike, e cila buzëqeshi me mirësjellje dhe uli kokën si e turpëruar nga ky nderim i veçantë, duke pare per te fundit here lezhjanin.
DY KOKRRA PESHQ SE S’MË LË GRUAJA NË SHTËPI
Një peshkatar amator nga Lezha i hidhte shpesh herë grepat në molin e Shëngjinit. Por më së shumti nuk zinte gjë, ose siç thoshte a justifikohej ai “s’do me i ra, mor burre!”. Po edhe pa gjë s’mbeste, si lypsi. Priste sa të ktheheshin motorbarkat nga gjuetia dhe i lutej herë njërit e herë tjetrit:
– Pash nderin më jep dy kokrra peshq se s’më lë gruaja në shtëpi!…
Kështu e shpëtonin gati përditë peshkatarët peshkatarin amator!
PËR MËNYRËN E UDHËTIMIT NOTËN 10, PËR EKUIPAZHIN 4…
Aty afër fundit të viteve ‘80 dy djem nga Rrila, duke shfrytëzuar detin “vaj”, me mjete që i kishin përgatitur vetë ikën nga Shqipëria. Rrugëtimi i tyre detar kaloi jo shume larg edhe nga plazhi i Velipojës.
– Për mënyrën e udhëtimit keni notën 10, ndërsa për ekuipazhin 4! A s’keni mujt me e mbush plot! – kishin thënë ca shkodranë “ulqinake” më pas që plazhiteshin, duke u ankuar për qeverinë.
KU VAJTI ËMBËLSIRA?
Një kashnjetor shkoi për vizitë te një miku i tij në qytetin e Lezhës, i cili kishte qenë dikur mësues në zonën e Kashnjetit. E pritën shumë mirë, me të ngrënë e me të pirë. Në fund, si ëmbëlsirë i dhanë një pjatë me buding. Kur futi në gojë lugët e para zuri të kërkojë majtas e djathtas, lëviz një pjatë dhe një tjetër, madje ngriti edhe mbulesën e tavolinës për të parë poshtë saj.
– Ç’po kërkon ashtu? – e pyeti i zoti i shtëpisë.
– Nuk di nga shkouan, dreqi… – tha kashnjetori.
– O i kalove në gojë, po është pa kocka, Gjon, është ëmbëlsirë, – e sqaroi i zoti i shtëpisë.
PO MË VJEDHIN… LESHIN E DYSHEKUT!
Në plazhin e Shëngjinit kishin marrë një dhomë në hotel “Flutura” një çift nga Lezha, po me origjinë nga Malësia e Madhe. Për t’i parë erdhi një ditë gjyshi nga fshati. Në mbrëmje, pasi hëngrën dhe pinë ranë për të fjetur. Duke qenë se ishin ngushtë, gjyshit i frynë një dyshek plazhi dhe ai u shtri rehat aty. Vonë nga mesnata, gjyshi, pasi disa kohë më parë kishte shuar cigaren në dyshek, zuri të bërtasë:
– Po më vjedhin leshin e dyshekut, po më vjedhin leshin e dyshekut…
– Baba, mos bërtit ashtu se s’po të vjedh kush, po ka filluar të çfryhet dysheku, – sqaroi i biri.
– Eh, – ia bana vedit, më duket, – ofshani plaku dhe tregoi se c’kishte bërë më parë.
MIRËNDENJA…
Shaqir Dibra, në kohën kur kryente detyrat e ngarkuara lëvizte shpesh fshatrave. Në këto udhëtime i bënte përshtypje se herë pas here punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve i gjente ndenjur dhe rrugët nuk mirëmbaheshin si duhet. Duke shkuar një ditë në Kashnjet, u takua me një grup punëtorësh të kësaj ndërmarrje.
– Sapo vij nga mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, – improvizoi si zakonisht ai dhe shtoi, – ndërmarrjes tuaj ia ndërruam emrin më në fund.
– Po si ia keni vënë? – pyeti një punëtor gjithë kureshti.
– Mirëndenja…! – ia ktheu Sh. Dibra, duke iu lënë këtë epitet si peshqesh për një kohë të gjatë.- A e meritoni ju o askush, – shtoi Shaqiri.
ZYRA E PRITJES DHE E… PËRCJELLJES PA GJË TË POPULLIT!
Nga vitet ‘80 Ll. D. u caktua në zyrën e pritjes së popullit në ish-Komitetin Ekzekutiv të rrethit. I preokupuar se shpesh herë nuk arrinte t’u zgjidhte hallet apo të drejtat e qytetarëve që trokisnin në atë zyrë, kur e pyesnin se ku punonte thoshte:
– Në zyrën e pritjes dhe të… përcjelljes pa gjë të popullit!
HALLI I RADIOS ËSHTË ME DALË NË PUNË NE
Në kohën e monizmit Radio Tirana, çdo mëngjes në periudhën nga ora 6 deri në 7 e jepte vazhdimisht orën, deri në bezdi, thuajse asnjë shqiptar s’kishte orë as në dorë e as në shtëpi.
– Bëjnë mirë që na japin orën tash e parë, – po i thoshte një punëtor i portit një shokut të vet punëtor porti edhe ai po nga Troshani, një hazërxhevaps i njohur e inteleigjent.
– Ashtu është. Po halli i Radios është me na nxjerrë në punë ne dhe jo me na tregue orën se s’duam të nisim trenat… – i tha troshanasi shokut të vet.
A E DO GJELIN PËR LLOGARITAR APO PËR TA HËNGËR!
Në pazarin e Lezhës një qytetar po i blinte një fshatari një gjel për Vitin e Ri. Shihe andej e shihe këndej, më së fundi i gjeti gjelit një kleçkë, përveç çmimit.
– Po ky qenka qorr, mor burrë? – tha qytetari.
– Po ti a e do gjelin për llogaritar apo për ta hëngër?! – ia ktheu fshatari i mërzitur.
TA KAM VËNË EMRIN LEKË ME TË MARRË DHE JO VEÇ ME TË DHËNË LEKË!
Babai i një djaloshi nga Manatia (Dardha), si me të qeshur, por dhe për të shfryrë inatin se i biri i lypte tash e parë lekë, ndonëse kishte hyrë në punë, i tha një ditë:
– Dëgjo, or bir, Unë ta kam vënë emrin Lekë me të marrë pare një ditë dhe jo me të dhënë përherë!…
ME SA MBAJ MEND, NË QOFTË SE MË KUJTOHET…
Në orën e historisë në gjimnazin e Lezhës. Mësuesi i lëndës e gjeti të papërgatitur një nxënës të mirë dhe, ai për të rikuperuar diçka nga vetvetja zuri të përdorë shprehje të tilla parazitare:
– Me sa mbaj mend, në qoftë se më kujtohet, me saktësi kjo ka ndodhur afërsisht më…, në mos gaboj, siç më bie ndërmend mua, besoj kështu do të jetë…
Mësuesi, për të ndaluar këtë inflacion fjalësh e fjalish parazitare, i bëri një ripërsëritje të tillë:
– Me sa shoh unë, në mos gaboj ti nuk je përgatitur sot, ndaj po të jap si kujtim për sot një… 4!
MARKSISTË- LENINISTËT E… GJIMNAZIT TË LEZHËS!
Në vitet ‘70 ka patur një grup gjimnazistësh të Lezhës, mjaft të mirë, të zotë, të cilët, më vonë bënë emër të mirë në profesionet që u shkolluan. Për të treguar se studjonin shumë literaturë edhe të parekomanduar nga mësuesit tash e parë në lëndët shoqërore, por edhe natyrore gjoja citonin Marksin, Englesin etj. Me këto citime ishin mësuar ose ambientuar edhe disa mësues të këtyre lëndëve, të cilët mburreshin me nxënësit e tyre “studjozë”. Drejtori i gjimnazit e përmendte gjithandej këtë “përvojë”. Mirëpo këtë marifet të “pasuruesve” të marksizëm-leninizmit në provincën e Lezhës e mësoi menjëherë një mësues i ri i fizikës (tanimë pedagog në UT, shkencat e natyrës) që erdhi në gjimnaz dhe, kur një nga këta “pasurues” të m-l, nisi të citonte a priori një klasik, mësuesi sakaq e ndërpreu dhe i tha:
– Që sot e tutje citimet e klasikëve i dua në skeda dhe burimet nga i kini marrë, çfarëdo gjuhe të jenë apo botimi…
Që atë ditë kontributi i marksistë-leninistëve të gjimnazit të… Lezhës ra ndjeshëm! Derisa u shuan.
________
Shkëputur (pa ndonjë kërkesë të veçantë, pa letra e e-maile) nga libri “Histori gazmore nga Lezha etj”, vëllimi I-rë, Botimet “Toena”, Tiranë, 2000.
Pëlqej

Komento
Ndaj
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.