Shkruar nga:Gani Elezi.
Vuçiçi, Radojçiçi e “içë” të tjerë apo djemtë, politikanët e saj të papërgjegjëshëm ?!!
Sot me 31 maj 2025 për të 24-ën herë Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet, çka i hap rrugë konstituimit të të gjithë instituciobeve kushtetuese të shtetit, sidomos Qeverisë. Në kushte të tilla është paralizuar gjithë aktiviteti brenda vendit e në nivel ndërkombëtarë i shtetit të Kosovës. Kosova aktualisht nuk i ka institucionet për t’u ballafaquar e për të bashkërenduar punën me faktorin ndërkombëtarë, sidomos me BE dhe me SHBA-të. Këtë mungesë ulëritëse e theksuan edhe disa nga përfaqësuesit e këtyre institucioneve në Prishtinë. Sipas kryetarit të Dhomës Ekonomike të Kosovës mungesa e këtyre institucioneve, sidomos e Qeverisë, e penalizon Kosovën edhe në lidhje me investimet dhe ndihmat e huaja në kuadër të programeve të ndryshme. I bllokon, i vonon e më keq i pamundëson plotësisht këto programe.
Mungesa e këtyre institucioneve pengon, vonon, devijon edhe procesin e stabilizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, një proces shumë i kërkuar nga faktori ndërkombëtarë.
Ahere çdo njëri nga ne ka të drejtë të pyesë, kush po e ndal/pengon sot Kosovën në rrugën e saj të konsolidimit si shtet i pavarur dhe sovran?
Mua më duket se, më shumë se “içët” e Beogradit, më shumë se Vuçiçi, më shumë se Radojçiçi, të cilët nuk do gjejnë “paqe” deri sa ta çbëjnë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, tani, këto ditë Kosovën po duan, po e ndalin djemtë, politikanët e saj të papërgjegjëshëm. Po them të papërgjegjëshëm për të mos thënë atë çka do të ishte shumë e rëndë, të them se me dashje a pa dashje po punojnë si argatë të Beogradit. Në fakt çfarë ndodh sot me Kuvendin e Kosovës e çon ujin në mullirin e Serbisë.
Është në nderin dhe në përgjegjësinë e politikanëve të Kosovës, veçanërisht në nderin dhe përgjegjësinë e Albin Kurtit, si kryetarë i partisë më të votuar, të Memli Krasniqit, të Lumir Abdixhikut, të Ramush Haradinajt, të Fatmir Limajt si kryetarë të partive kuvendore në pakicë. Sot nuk po shkruaj se cili, cilët duhet të bëjnë komprimis, cili, cilët duhet të lëshojnë a të marrin diçka (në një shkrim më parë këtë lëshim e kam kërkuar te Albin Kurti, çka disa miq të mi e shohin si nonsens!!!), por po shkruaj se të gjithë këta që përmenda më lart janë, do të mbeten përgjegjës deri në inkriminim në se për interesa politike, partiake, personale e pengojnë, e vonojnë rrugëtimin e Kosovës.
Duke shkruar për liderët e partive kuvendore nuk përjashtoj as përgjegjësinë e deputetëve të votuar e të deleguar si përfaqësues të pushtetit të zgjedhësve të tyre. Në dilema që kanë të bëjnë me fatet e Kosovës ata nuk janë vetëm një karton të cilin e menaxhon kryetari i tyre, janë përgjegjës, mbase më shumë se kryetarët, për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
Le ta ushtrojnë këtë përgjegjësi.
Uroj të ndodhë kështu.