Dielli u drejtua perëndimit të largët dhe bashkë me të filloi dhe tkurrja e rrezeve të dritës në formë shiriti mbi det. Ajo u mbështoll nga ai vezullim i artë me një madhështi marramendëse të arit flakërues të ajrit dhe shkëlqimit vezullues të qiellit dhe tokës.
E mahnitur, e prekur dhe e mallëngjyer nga zjarri i perëndimit që pasqyrohej në sytë e saj me shkëndijëza të vogla ajo shikonte tej në horizont diellin që po fshihej. Ecte mbi rërën e shkrifët me sytë e mrekulluar nga natyra. Dalëngadalë muzgu po binte dhe në qiell filluan të shfaqen yjet e parë, të cilët dhe pse ashtu në zbehtësi shquanin rrëzëllimin e tyre.
Ndihej mirë aty mes zhurmës së valëve dhe çuditërisht këmbët nuk i bënin të largohej. Deti dukej i frikshëm, ngjyra e tij ishte shndërruar një me natyrën, vetëm se stërkalat e valëve tashmë zbardhnin si pikëza të bardha që luhateshin mes vështrimit përgjatë gjithë gjatësisë së tij. Ndjesia e qetësisë e kishte kapluar në të gjitha qelizat dhe përthithej prej tyre lehtësisht. Ecte ngadalë dhe përhumbte në krahë lumturie, njëlloj si fëmijët që kuturisin nëpër skuta për të gjetur çelësin e shpjegimit të botës. Naiviteti i tyre me sytë e pafajshëm zbulonte të vërteta të mëdha marrëzie mbi botën e ndaluar, të patreguar dhe të panjohura të qytetërimit. Dëshironte të gërmonte mes atij misticizmi që e kishte sjellë njeriun në tokë, në endjen e tij të gjatë përmes hapësirës dhe kohës. I vetmi moskuptim i hyjnizimit apo tragjizmit shpirtëror të tij ishte fataliteti që krijonte në raport me veten. Hodhi trikon e lehtë supeve, sepse era e mbrëmjes e kishte humbur ledhatimin e ngrohtë.
“Askush nuk e kupton shpirtin tim që vuan në heshtje, kur nuk shkruan, nuk hedh sugjestionin e tij rreth këtij refleksioni në raport me vetë natyrën që na krijoi” – mendoi me vete.
Një trishtim i madh e kapte dhe një errëti edhe më e madhe se kjo mbrëmje e përfshinte të gjithën. Beftas e përfytyroi veten të plakur e kurrusur, një krijesë që duhej të jetonte me kujtimet e shkuara, për të lehtësuar sadopak dhimbjet e kësaj bote. Përditësia jetë mbushej me të moshuar që tërhiqeshin zvarrë, me gjymtyrët e lodhura nga jeta dhe zhytur në mendime të trishta. Nëse vrojton me kujdes lëvizjet e tyre, ata duken si qenie të mbërthyera në dy kolona të thara, me duar që u dridhen, qafën e zgjatur para, thuajse të zgërlaqur nga një zgjedhë çnjerëzore. Sytë e tharë, pa qerpikë që të shndrijnë shkëlqimin e jetës dhe lëkurën e rreshkur nga pesha e viteve dhe dhimbjet e kaluara.
S’di pse e kapi ky ankth i papritur e i thellë dhe ndjeu neveri për këtë lloj jete, e cila të ngre në këmbë, të shtyn të rendësh dhe në fund të zhyt në një krijesë të shkretë e në mjerim. Disa prej më fatlumëve i gëzojnë ditët e tyre të fundit nën përkujdesje, kurse pjesa tjetër në vetmi të plotë dhe e shikojnë vdekjen si shpëtim nga brengat e shumta që i mundojnë.
I mendonte dhe vuante në heshtje. Ndodhte që dhe të qante pareshtur për ta dhe për vete, e në fund pajtohej padashur me ciklin e jetës.
Sot s’ mund të shkruante më asgjë, as të humbiste në ato vizione që përthyheshin dritësisë mendim, veç disa vijëzime të çrregullta në rërë, si hieroglifet e vjetra ku askush s’ mund t’i kuptojë dhe aq më tepër të hedhë dritëhije mbi këtë botëkuptim, që shkon në heshtje dhe mbetet i fshehur ose shuhet dhe me një gjatësi të vetme vale.