“”””””””””””””””””””””””””
Normalitet
Nën qiellin gri të Berlinit, ndërsa ecja në trotuarin jo larg shtëpisë, u ndala të blija cigaret.
Një kioskë interesante, tipike kuti e rregullt gjermane. Në hyrje të një parku të bukur.
Isha vetëm dhe dëshira për ta shijuar më mirë e më qetë cigaren më shtyu të hyja në park.
Në disa stola kishte njerëz që, të ulur a në këmbë, bisedonin.
Pak, në fakt, për atë park të madh.
Qe një grup jo fort i madh.
M’u duk atipike për gjermanët, të cilët, për sa herë i kam vizituar qytetet e tyre, i kam parë jo më shumë se në grupe nga dy, maksimumi tre persona.
Kryesisht familje me fëmijët e tyre.
Në një stol më tutje, një çift i moshuar me lule në dorë, vetëm mbasi kisha bërë disa hapa, vërejta se edhe grupi më i madh ishte me lule ndër duar.
Cigarja që më është bërë drogë, më kishte bërë të nxitoja pa vënë re detaje. Vrik e të gjeja një stol edhe unë ku të shijoja helmin, i qetë në mes të gjelbërimit.
Është shkurt.
Siç më ndodh shpesh kur shkoj në një vend tjetër e të rri gjatë, kisha humbur nocionin e kohës.
Ideja e parë ishte: “Ndoshta qe data 14. Shën Valentini”, – mendova.
Fytyrat e qeshura e bisedat me zë të ulët, natyrshmëria e pozicioneve të trupave që komunikonin, ma përforcoi këtë gjë edhe më shumë në atë fraksion sekonde, kur truri arsyetoi nën shtëllungën e parë të duhanit që më dilte nga hundët e goja.
Qetësia që la pas ajo duhmë duhani, shtriqja e këmbëve dhe e shpatullave në stol, më qartësuan mendjen.
As zogjtë që cicëronin mbi pemë nuk mbërritën të ma ndalnin arsyetimin që më edhi i shpejtë.
Diçka gati e paperceptueshme po më ngacmonte e në të njëjtën kohë, i ikte arsyetimit.
Me helmin qetësues mes buzësh ktheva kokën në të majtë.
Një çift të moshuarish më shikonte drejt e në sy.
Qenë vendosur njëri sipër tjetrit.
Gruaja, me flokë të përhimtë si shiu që binte pareshtur në qytët, dukej një zonjë e vërtetë.
E lyer me shije, me një palë syze të bukura të viteve ‘80-‘90, me rruaza të mëdha në qafë, kishte një shikim të pakohë.
Nën të, aty ku i përfundonte mjekra, një burrë i shëndosh, faqekuq me sy të hirtë, më vështronte paqtë.
Njëra faqe i skuqte më shumë nga një tulipan i përthyer i buqetës që kishin përpara.
Dukej i qetë me mjekrën e të shoqes mbi kokë.
Hans e Brigit Bachmann.
Edhe pse krejt të paqtë në shikimin e tyre, ndjeva një si rrënqethje në trup.
Tymi i cigares u përdrodh nën ritmin e frymëmarrjes në një si spirale e u lag menjëherë nga shiu gri që nisi të bjerë.
U drejtova mbi stol.
Me ngadalë, sikur dhjetëra Hansa e Brigita të kishin sytë vetëm nga unë, ktheva kokën përreth.
Në fakt, pranë stolit, nën pemë, të cilat nuk ua dija emrin e forma nuk më përngjante me ato që kisha në kujtesë, disa dhjetëra çifte me lule nga më të ndryshmet, më kishin rrethuar qaqësisht.
Njerëzit e ulur në stolin matanë ma bënë edhe më të ngatërruar peizazhin.
Qeshnin me zë të ulët, dikush pinte një cigare si unë e dikush lëvizi me qenin të bënte një xhiro, ndërsa në dorë mbante një tufë lule.
E fiksova burrin me qen, edhe për të qetësuar pak veten, duke e marrë si pikë referimi të lëvizshme.
Bëri disa metra me qenin, duke ia kontrolluar lëvizjet, edhe pse bishti e tradhtonte.
I tundej dukshëm gëzueshëm.
Burri ndaloi para një peme.
Një grumbull dheu qe lëvizur jo shumë kohë më parë e shiu i hirtë dukej sikur i fikte dheut avullin.
Bulçi të nëndheshme po thithnin një cigare, – mendova.
Ndoshta për t’u qetësuar edhe ai.
Burrri lëshoi lulet mbi tokë, ndërsa qeni bënte rrathë të shpejtë rreth trungut të pemës, aty ku dheu kish reshtur së avulluari.
I moshuari bëri shenjën e kryqit.
Mori një qëndrim gati ushtaraku në këmbët që s’i bindeshin.
Mbas pak sekondash i pëshpëriti disa fjalë qenit.
Ai ndaloi për një moment tundjen e bishtit e pastaj, me një shkëputje gati në përtesë, u largua nga pema.
Sapo kishte urinuar.
I moshuari u përkul ngadalë e aty, pranë vendit ku kishte vënë buqetën me lule, i përkëdheli kokën qenit pa e qortuar aspak.
Cigarja po më fikej ngadalë.
Isha në mes të një varreze qytetëse.
Më vonë mora vesh se kjo gjë qe normale në Gjermani.
Varrezat qenë brenda lagjeve ku të gjallët jetojnë.
Nuk do të më kishte ndodhur kurrë ky “gabim” në Itali a Shqipëri.
Të vdekurit në këto vende ishin shpërngulur njëherë e përgjithmonë në periferinë e të gjallëve.
Lotët me dënesë, çjerrjet e flokëve a të faqeve, simbas vendit a krahinës e, lulet e pafund plastike do të ma kishin sqaruar qysh një kilometër larg hyrjen e gabuar në varreza.
Instinkti i parë ballkanas më shtyu të çohesha e të dilja.
Zërat normalë të vizitorëve, dy nga të cilët kishin filluar të hanin nga një panine, njerëzit që ecnin me biçikleta a në këmbë në trotuarin përbri varrezës, më ndaluan.
Të tjerë njerëz hynë në park.
Një çift i ri e vajza e tyre e vogël që hidhej pupthi me një tufë trëndafilash në dorë.
Burri i trego diçka të shoqes e ajo qeshi.
Vajza e vogël tashmë kishte kaluar përpara tyre me kërcimin e saj si ketrush.
Hynë në një nga rrugicat e parkut varrezë e i pashë të ndalonin.
Nga ku qeshë ulur dukej vetëm vajza e vogël që kishte ndryshuar kërcimin e i ati që bënte shenjën e kryqit.
Të ëmës i dukej vetëm dora që lëvizte e shpejtë mbi një pllakë mermeri.
Po pastronte.
Unë sapo kisha ndezur cigaren e dytë.
Nga stoli dukej kthesa e lumit e pallatet e bukura përballë.
Çifti me fëmijën më kaluan mbas disa minutash pranë.
Kësaj here ishte gruaja që tregonte me gjeste të kursyera gjermaneje diçka e i shoqi që miratonte me kokë e qeshte herë mbas here.
I pashë të largoheshin, ndërsa goca e vogël këputi një lule nga ato të dekorit të parkut-varrezë.
Ndenja një kohë të gjatë.
I mbështetur mbas stolit, por tashmë pa atë bezdinë që më kapi ndërsa ndesha me shikimin e Hansit e Brigitës.
Vizitorët kishin ndërruar.
Edhe mosha e tyre.
Ishte e njëjta qetësi komunikimi e paqeje.
U çova me cigaren në gishta. Përshëndeta Hansin e Brigitën e u nisa të dal.
Shiu as qe shpeshtuar, as qe pakësuar.
Kish ndërruar pak ngjyrë, në gri të metaltë.
Në trotuar një çift të rinjsh, bash përballë hyrjes në varreza, me kufje në vesh, jepnin e merrnin duke i shpjeguar njëri-tjetrit diçka në telefon.
Ndërsa ndeza cigaren e katërt, sytë më shkuan te shkrimi mbi paketë.
Nuk e kuptova, por qeshë i bindur se bëhej fjalë për ato njoftimet tashmë standard:
“Duhani dëmton rëndë shëndetin”.
E rifuta cigaren në paketë instiktivisht e mora rrugën drejt shtëpisë.
Mbas pak metrash, pikërisht aty ku qe kioska si dhe një nga hyrjet e parkut, e gjeta veten me cigaren e katërt të ndezur mbi buzë.
Shiu kishte pushuar e qielli, edhe pse i hirtë, ishte në normalitetin e vet.