Pisha ishte dashuri pylli
Pishë e vogël, shtatvogël,
si gëzim në pyll na erdhi,
hapi syçkat, tundi kokën,
lot të gjelbër, lehtas, derdhi…
“Tundte doçkat, edhe thonte:
“Jam e gjelbër! Erdha unë!
Në pyll linda, më shikoni?!
Jam e lumtur shumë, shumë..!”
-Mirë se erdhe! – i tha rrezja
dhe e puthi si një motër,
(rrezes, çdo halëz e vogël
na i ngjante si një lodër).
-Mirë se erdhe! – i tha zogu.
E uroi dhe një iriq.
“Mos harro pishëz e vogël,
pylli ynë ka vetëm miq!”
-Mirë se erdhe! – tha rrëkeza
(që këndonte pa pushim…),
Mirë se erdhe! – thonin miqtë.
Pylli kish më shumë gjelbrim!
Pisha rritej, gjelbëroshe…,
kishte ëndrra, kishte boçe,
ndaj, shpesh herë, dhe në gjumë
shihte ketra shumë, shumë…
Dhe në mbrëmje vinte hëna,
Dhe në mbrëmje vinte ylli,
dritë, pishës i dhuronin;
pisha ish… dashuri pylli!
xhb., shkurt, 2020
Zogu që ruante pemën
Dhe pse ishte zog si shokët e tij,
bënte fluturime rrallë e për mall…
Ciu, i thonin shpesh: “Ti je zog i humbur”,
Ciu, i thonin shpesh: “Ti je zog i rrallë!..
Zogu fluturonte, kthehej në fole,
Zogu fluturonte, hidhej degë më degë,
rojë i bëhej pemës, e ruante çdo çast,
zogu zgjaste sqepin… (fletë në çdo fletë).
Zogu ruante pemën (edhe nuk mërzitej)
Pema shihte zogun (edhe nuk çuditej…)
Kështu… zogu rritej, rritej edhe pema;
në çdo degëz, fletëz nuk pushonte kënga.
Rritej-rritej pema (trupin mbante drejt)
Zogu s’ishte zog, por mjek i vërtetë.
Kështu… ditë pas dite, kështu vit pas viti…,
nga ca miq të vegjël erdhi një urim:
“Falemnderit, pemë, libra na dhurove,
në çdo stinë, o pemë, gjithnjë paç lulëzim!”
***
Kështu… dorë më dorë, e zemër më zemër
librat nuk u lodhën, shëtitën- shëtitën…,
këndonte çdo fletë si një këngë zogu,
këndonte çdo fletë, e përcillte dritën…
xhb., shkurt 2020
Vjollcë e vogël
Vjollcë e vogël, vjollcë e vogël
mos ke frikë nga era,
mos ke frikë nga ferra,
mos ke frikë nga shiu,
as nga xha Veriu,
mos ke frikë nga bora
dhe pse mardhet dora,
as kur fryn thëllimi,
as kur ngrin burimi…
Vjollcë –shpirt pranvere,
shpirt dallëndyshe,
ngjyrën dhe aromën
e do dhe një gjyshe…
xhb. janar, 2020.