9.5 C
Tiranë
E enjte, 16 Janar 2025

Mehmet Elezi

 

UJVARA

Tri minuta para se të njoftonte mesnatën Sahati i madh i Tiranës
Qave fort, për të thënë:
Qeshni fort, se erdha!L'immagine può contenere: una o più persone e persone sedute

Ti kishe mbërri tek unë qyshkur, edhe para mamit, dhjetë vjet përpara! Isha student njëzet vjeç, kur luaje symshel nëpër poezitë e librit “Zhurmojnë ujvarat” (1970).

Nuk qe dëgjuar ky emër vajze.
Ah, do t’i thërrasin Varvara!

Sa herë luanit nëpër oborr, një vogëlush përherë gjunjëvrarë i bënte shuplakët qyngjë rreth gojës e të ngacmonte: o Katarakt!
Dhe një vogëlushe me syze dhe flokë të verdhë, na trokiste në derë çdo të dielë, të tëra sh-të i shqiptonte s:
-Ujvara s’na ka soqe mua!

Vite përpara këtë emër vajze e solle me vete ti.
Ah, do t’i thërrasin Varvara! Shën-Varvara!

Po, do t’i thërrasin Shën-Ujvara!

Për vërtetësinë e këtyre që thashë, këtu në Isla Nera kam dëshmitar Oqeanin Paqësor. Dhe Oqeanin e poezisë, Pablo Nerudën.

Këtu, në Isla Nera, të dy i përplasin paqësisht dallgët, Paqësori dhe Neruda. I shkapetin qafë në qafë. Deri në qiell. Deri në Diell.

Dhe prapë i lëshojnë drejt Tokës, si Ujvara.

Santiago (Kili), 03 shkurt 2020

AMERIKA DHE NJË KAFE ME KADARENË..L'immagine può contenere: 1 persona

Ka qenë shtator (1990), tashmë punoja në Elbasan, kur në të përditshmen “Bashkimi”, gazeta e dytë në vend, Berisha boton një shkrim për probleme të demokratizimit në Shqipëri. Shkrimi doli ditën e hënë, kur “Bashkimi” lexohej më shumë, ishte e vetmja gazetë që botohej të hënave. Mes të tjerash, në shkrim theksohej se demokratizimi i Shqipërisë është mbështetje e fuqishme edhe për luftën e drejtë të vëllezërve tanë në Kosovë. Sofokli Lazri, i mbiquajtur “Profesori”, që hynte në zyrën e Ramiz Alisë pa trokitur, thërret në zyrë kryeredaktorin Qemal Sakajeva:
-Ç’janë këto që shkruani në gazetë, ja, për këtë tezën të thirra unë tia. Kjo sikur nuk është teza jonë. Është tezë e Amerikës.
I le me kuptue se autori, Berisha, ishte agjent i CIA-s!

Amerika, që kishte mbrojtur dhe shpëtuar shtetin e ri shqiptar nga copëtimi përfundimtar, dhe që po përvijohej në lëpen edhe si shpëtimtarja e Kosovës, kjo Amerikë vlerësohej zyrtarisht si armiku numër një i shqiptarëve! Ishte detyrë e përhershme me e sha SHBA-në mbarë e mbrapsht, me të parë e të mbramë, njëzet e katër orë rresht. Në të gjitha gazetat e në radiotelevizion. Diçka që bënte ose thoshte Uashingtoni vlerësohej a priori armiqësore, reaksionare, luftënxitëse. “Profesori” nuk linte rast me i shkue huq për këtë çështje, ndiqte me vëmendje të përqendruar gjithë çka shkruhej e përcillej në RTV. Amerikës vetëm mëshojini!

-Ç’bëhet kështu, kjo është kundër interesave kombëtare!, më kishte thënë një ditë Kadareja, duke shpërthyer me një fjalor të idhët plot zemërim, siç di me u zemërue ai. 1)
Pimë kafe vetëm të dy te Hotël “Dajti”. Duhet të ketë qenë qershor (1990).
Para se me dalë për kafe, njoftova në sekretari. Në aparat të Komitetit Qendror ishte rregull me lanë adresë kur lëviznim.
Me t’u kthyer në zyrë më thërret Ramiz Alia. Më thotë diçka pa rëndësi dhe, me ton të ndryshuar, më pyet çfarë kishim folur me Ismailin. Mendova mos donte me më vu në provë, pasi ai i merrte vesh të gjitha, nëse nuk i kishte marrë ndërkohë. Në Hotel “Dajti” regjistrohej edhe fluturimi i mizës. Përcillej “live”.
Rasti më erdhi bukur në derë.
Ia thashë mendimet e Kadaresë, që më brenin edhe mua, si shumë të tjerë, por që ende ishte shumë e rrezikshme me ia thanë si mendime të miat. Vetëm një Ismail, me imunitetin e talentit dhe personalitetit të tij që nuk njihte kufij, mund të guxonte me folë hapur ashtu. Ia përsërita sa munda saktë, në ligjëratë të drejtë, gjithë çka më kishte shqiptuar Ismaili, duke iu referuar atij.
Ramiz Alia më dëgjoi i nervozuar.
-Posi, posi, e di Ismaili se politika nuk është letërsi?, ndërhyri dy-tri herë (e thoshte më fort për mua, se sa për Ismailin, ai nuk qe aty). Po tjetër ç’tha?
Në të vërtetë Ismaili më kishte folur edhe për dy çështje të tjera. Për bustet e Stalinit, Shqipëria qe i vetmi vend që i mbante gjithandej, edhe para akademisë së shkencave; dhe, me sa më kujtohet, për yllin në flamurin kombëtar. Për këto nuk i thashë Ramiz Alisë. Mendova se bëhet tepër. Hë për hë mjaftonin ato për qëndrimin ndaj Amerikës. Ato ishin kryesorja. Dhe ato ia zbraza krejt.

—-
1). Për këtë takim Kadareja shkruan: “Radioja, televizioni, fortesa të konservatorizmit, nuk humbnin asnjë rast për të sulmuar SHBA. “Zëri i Popullit” po ashtu. Në të njëjtin numër ku ishte një lajm për dënimin nga senati të shtypjes së shqiptarëve në Kosovë, botoheshin pesë artikuj armiqësorë kundër SHBA. Piva një kafe në “Dajti” me M. Elezin, i emëruar pak kohë më parë drejtor i shtypit në Komitet Qendror, dhe I thashë është e turpshme, kafshërore, kundërkmbëtare, proserbe. Ai u tregua i kujdesshëm ndaj fjalëve të mia, unë e ndieja se edhe ai vuante, por nuk më dha asnjë përgjigje. Kjo do të thioshte se gjithçka vendosej më lart” (citohet sipas botimit frengjisht “Ismail Kadare “Le Printemps albanais””, Fayard 1991, fq. 37. Përkatësisht në shqip “Nga një dhjetor në tjetrin”).

————
-nga libri “Nuk isha student i dhjetorit, – Ramiz Alia dhe Sofokli Lazri, enigma e vëllezërve siamezë” – sprovë, botim i dytë i plotësuar-

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.