
Kumtesë imja e lexuar në Tryezën e Krijuesve Shqiptarë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, më 21.12.2022, rreth librit poetik “Kosova në sytë e mi”, të autores Fatime Kalimashi.
Kumtesa mban titullin: POEZI MENDIMI E DERDHUR NË VARGJE TË LIRA.
Mirëdita të nderuar poetë dhe dashamirë të fjalës së shkruar,
Ju përshëndes të gjithëve. Kam nderin dhe privilegjin që më këtë rast t’i the disa fjalë rreth librit poetik të krijueses tashmë mjaft të afirmuar, Fatime Kalimashit, e cila çdo ditë e më tepër po i dëshmon vlerat e saja në botën letrare dhe artistike.
Me të marrë së lexuari në dorëshkrim librin me poezi të poetes Fatime Kalimashi, e cila jeton dhe vepron midis Zvicrës dhe Kosovës, ishtë hera e parë që ulesha të shkruaj për një libër poetik të një poeteje që jeton në diasporë, kjo gjë ndodh me poezinë e poetes së vlerave tepër të cilësueshme, Fatime Kalimashi, me librin e saj më të ri metaforik ”Kosova në sytë e mi“, që po e promovojmë sot.
E nisa shfletimin e këtij libri me dëshirën që poezia e kësaj autoreje të mos më zhgënjente, sikurse më ka ndodhur me disa poetë të tjerë. Me zhgënjim unë nënkuptoj kur poezitë nuk të lënë mbresa, kur ato janë të errëta ose hermetike dhe kur ato nuk transmetojnë emocione dhe mbresa jetësore. Tashmë pasi kam pasur kënaqësinë t’i lexoj ndoshta i pari poezitë e këtij libri, them që
Fatime Kalimashi jo vetëm nuk na zhgënjen me poezinë e saj të veçantë, por, tregon që përveçse një poete origjinale, po ashtu është dhe një poete me ndjeshmëri të lartë, e veçantë dhe origjinale. Në këto çaste më bie ndërmend thënia e një kritiku të huaj i cili i porosiste poetët të shkruanin thjesht dhe me ndjeshmëri, pasi, siç thoshte ai: “ Me atë masë që do ta ndieni një krijim ju, me atë masë do ta ndjejnë dhe të tjerët”.
Poezia e e Fatime Kalimashit pasi e mbron së lexuari të lë një ndjesi të bukur si ajo kur të lënë të gjithë poetët e suksesshëm. Para së gjithash ajo është një poezi mendimi, e derdhur në vargje të lira. Motivet e libri përgjithësisht janë motive bashkëkohore, mbresa personale, meditime, mall, dhimbe, shpresë… përkujtimore miqsh, të afërm dhe martirë të luftës çlirimtare të Kosovës, (poezia, PËR TY, Sahit Krasniqi ). miqve ndërkombëtar që ndihmuan lirinë dhe pavarësinë e Kosovës (MIKES SË POPULLIT SHQIPTAR ( Madeline Albright ) etj.
Poezia e Fatimes është një poezi kryesisht meditative, lakonike, hera-herës e mbyllur si një ditë dimri me re dhe vetëtimash e hera-herës e kthjellët si peizazhet malore dhe pranverore të vendlindjes së tij. Madje dhe vendin kryesor në poezinë e saj i zënë hallet dhe problemet e një Kosove martire, me prerje kohore vertikale, në kohë, dhe horizontale, e shtrirë në kohën që jetojmë, me plagët e kurbetit dhe pritjet e mëdha të një populli martir. Plagë kurbeti është dhe poezia e saj që edhe sot e kësaj dite rëndon shpirtin e këtij popullit, por edhe vetë të autores.
Një nga poezitë më mbresëlënëse të këtij libri që edhe vetë libri mban titullin e kësaj poezie, “Kosova në sytë e mi”, autorja shpreh gjithë shprushin e zjarrtë të dhimbjes dhe mallit që ndjen për atdheun dhe vendlindjen e saj:
Një ditë do të vij
Së bashku me dallëndyshet,
Zemra më është lodhur
Nuk kam krahë as të fluturoj
Me një copëz letër nga gjumi do t‘ju zgjoj.
Aty do të shkruaj për ju miq e dashamirë
Për Kosovën time të lirë,
Do shkruaj për vuajtjet e kohës së vështirë
Dikur të lidhura me pranga e zinxhirë.
Do shkruaj për të lënë gjurmë
Që prej juve ka nga ata që digjen shumë,
Me zemër qëndrojnë të fortë si hekur
Me trup shpesh jemi sikur të mekur…
Poezia, KOSOVA NË SYTË E MI, FQ. 43.
Poezinë e Fatime Kalimashit do ta përkufizoja dhe si një poezi malli, mall për të ikurit nga kjo botë, mall dhe lot për më të dashurit të saj, për heronjtë që bënë veprën më sublime dhanë jetën për lirinë e Kosovës që sot po e gëzojmë; dhe mall e dert të madh për vetëm dhe gjithë familjarët, që i ka larg e sa herë që vijnë në vendlindje ngazëllohen, siç di të ngazëllohet edhe vetë autorja.
Kalimashi ka vite që lëvron me sukses një poezi të thjeshtë dhe komunikuese. Duke qenë dhe një njohëse e botës studimore ajo e di mirë se sa efektive dhe sa emocion të jep një poezi e thjeshtë, intime, e qartë dhe pa rëndesa metaforike, siç ndodh rëndom tek disa poetë. Emocione të veçanta të lënë poezitë intime, e sidomos ato kur poezi ku autorja vendos në optikën e saj njerëzit e saj të dashur dhe shumë të tjerë që kanë lënë gjurmë në aureolën e lavdishme të përjetësisë.
Pra poetja Kalimashi e brumosur me ndjenja atdhedashurie dhe me vlera tipike njerëzore përpiqet që talentin e saj letrar dhe artistik ta shkrijë në tematika të larushme duke përçuar mesave shumë domethënëse dhe tepër kuptimplote dhe vlera estetike e artistike.
Kështu që libri i autores Kalimash me titull “Kosova në sytë e mi” është një libër me vlerë dhe që i qëndron kohërave si për nga aspekti ideor po ashtu edhe të atyre letrare.
Si përfundim do t’i uroja autores që të mos i shterojë pena kurrë, e që në të ardhmen të na jap dhe shumë krijime poetike cilësore, të cilat do e vendosin poeten Kalimashi në kategorinë e poetëve dhe poeteshave të suksesshme bashkëkohore.
Prishtinë, 21 dhjetor 2022