SHQIPONJA FESTON DITËN E FLAMURIT.
E nisa jo pa qëllim me fjalën shqiponja këtë kronikë feste për Ditën e Flamurit. Sepse shqiponjën e kemi simbolin tonë mbi flamur. E sepse emrin e shqiponjës e ka edhe shoqata e mirënjohur në Reggio Emilia, e cila kishte organizuar një festë të bukur e entuziaste kushtuar kësaj dite të çmuar të historisë sonë, në bashkëpunim me shoqatën “Zëri i Atdheut”, në të cilën bëjnë pjesë emigrantë vëllezër nga Kosova.
Ndonëse pandemia ka krijuar mjaft vështirësi prej gati dy vjetësh tashmë, shqiptarët e gjejnë mënyrën për t’u bashkuar e për të festuar sëbashku, gjithnjë në zbatim të rregullave shtrënguese që janë vënë nga dekretet qeveritare italiane, si kudo në botë. Shoqata “Shqiponja” e ka dëshmuar këtë më së miri gjatë kësaj periudhe të vështirë. Dhe e dëshmoi akoma edhe një herë, edhe më bukur e më fuqishëm, të shtunën e kaluar, kur në Villa Cupido në Reggio Emilia ishin mbledhur më shumë se 250 anëtarë e aktivistë të kësaj shoqate, miq e të ftuar, disa prej të cilëve kishin ardhur edhe nga larg.
Në një ambient të zbukuruar hijshëm me flamurin tonë kombëtar e me flamurin e Republikës së Kosovës njerëzit takoheshim përzemërsisht e me dashuri midis tyre, duke uruar njëri-tjetrin për festën kombëtare. Kemi zbritur nga Rovereto me miqtë tanë, shkrimtarin e mirënjohur Rexhep Hoti, i cili ka ardhur që nga Kosova, si dhe me bashkëshortët Xhemal e Lutfie Hyzoti, që janë edhe aktivistë të shoqatës “Besëlidhja”. Nga Lecco ka ardhur kryetarja e Grupit të valleve “Shqiponjat”, Drita Gega bashkë me familjen e saj prej artistësh, ndërsa nga Milano ka ardhur imprenditori i njohur e i suksesshëm Eduart Ndocaj bashkë me familjen e tij.
Salla mbushet dalëngandalë. Madje, tej prenotimeve të bëra për këtë rast, vijnë më shumë bashkëatdhetarë me familjet e tyre. E drejtuesit e lokalit shtojnë numurin e tavolinave, duke u munduar të mos lënë jashtë asnjërin në këtë festë të bukur. Numuri i pjesëmarrësve i kalon 250 e shkon drejt 300. Mbushen plot 3 salla të lokalit. E ndërsa të ardhurit vazhdojnë të sistemohen, muzika ka filluar e vallja shqiptare i pushton të tri sallat. Atmosferë e bukur, ku meloditë, veshjet popullore e flamuri kombëtar që valëvitet në çdo sallë duket sikur na kanë sjellë një copëz atdheu në këtë mbrëmje. Akoma më e ndjeshme bëhet kjo edhe nëpërmjet këngëve të këngëtares Greta Koçi, e cila ka ardhur nga Shqipëria.
Mrëmjen festive e hap presidentja e shoqatës “Shqiponja”, Majlinda Korça, e cila, pasi iu uron mirëseardhjen pjesëmarrësve, flet për rëndësinë historike të festës së 28 Nëntorit, për luftrat dhe përpjekjet që iu deshën popullit shqiptar për të arritur në ditën e shënuar të Pavarësisë. Për të përshëndetur në emër të shoqatës “Zëri i Atdheut”, presidenti i kësaj shoqate Sadri Hamitaga fton shkrimtarin e ardhur nga Kosova Rexhep Hoti. Ai shpreh kënaqësinë e tij që ndodhet midis vëllezërve të një gjaku në këtë festë dhe thotë që kjo festë është e të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, ndaj e nderojmë e duhet ta nderojmë në çdo rast e nga të gjitha moshat flamurin kombëtar e himnin kombëtar që na emocionon sa herë që e dëgjojmë.
Themeluesi i kësaj shoqate, imprenditori i suksesshëm, Klodian Cami në një moment fton ekipin e futbollit”Shqiponja”, të cilin ai e sponsorizon prej vitesh. Ekipi u prit me duartrokitje të ngrohta nga pjesëmarrësit, të cilët i përshëndesnin djemtë e skuadrës dhe trajnerin e tyre për rezultatet e arritura në kampionatin e sivjetëm, duke qenë në krye të klasifikimit.
Një moment i veçantë i kësaj mbrëmjeje ishte edhe promovimi i librit “Nata e Kosovës” i Rexhep Hotit. Në një tavolinë janë ekspozuar librat e shumtë të këtij autori, dy prej të cilëve të përkthyer edhe në gjuhën italiane e të publikuar nga shtëpia botuese “Kimerik”. Pata nderin e kënaqësinë të flisja mbi librat e romanit në promovim, si dhe të bashkëbisedoja me autorin për krijimtarinë e tij e për projektet që ai ka për të ardhmen. Nga salla vinin lexuese e lexues që i merrnin librat të shënuara me autografin e autorit. Madje pati lexues të pasionuar si Klodian Cami që mori 6 nga veprat e ekspozuara të autorit.
Kjo atmosferë e bukur vazhdoi deri në orët e vona, duke përcjellë krenarinë e shqiponjës që zbukuron flamurin e festat tona.
Ndue Lazri